Bota e madhe, fshati i vogël
Pushteti në epokën e kujtesës digjitale
Iljaz Mehmeti
9/30/20262 min read


Para disa netësh, një grup protestuesish në Tiranë ndeshën një ish-ministër dhe deputet, të ulur në një kafene me familjen dhe miq. Filluan thirrjet. Përreth, heshtje. E shoqja, aktiviste, reagoi fort. Dikush filmoi. Brenda pak minutash, skena ishte në internet. Para pak ditësh, një tjetër, «po aq aktiviste», sot deputete, u vu në qendër të kundërshtimit publik. Edhe ajo skenë u bë virale.
Mendova: këtu ka diçka shumë më të madhe se vetë incidentet.
Për mijëra vjet njeriu jetoi në një botë të vogël. Në fshat, pothuajse të gjithë dinin gjithçka për të gjithë. Mund të ishe i pasur, i fuqishëm, kryetar apo pronar, por kujtesën e komunitetit nuk e kontrolloje dot plotësisht. Njerëzit mbanin mend.
Pastaj bota u bë e madhe.
Qytetet, shteti modern, administrata, korporatat dhe mediat masive i dhanë pushtetit diçka që fshati nuk ia kishte dhënë kurrë: anonimitetin dhe kontrollin mbi distancën. Ajo që ndodhte në një zyrë mund të mos dilte kurrë prej saj. Një dokument mund të zhdukej. Një dëshmitar mund të harrohej. Një histori mund të mos arrinte kurrë te publiku.
Interneti po e përmbys përsëri këtë raport.
Bota fizikisht nuk ka qenë kurrë kaq e madhe. Por, nga pikëpamja e informacionit, është bërë çuditërisht e vogël.
Një telefon është kamerë, arkiv dhe transmetues. Një dokument i nxjerrë sot mund të ruhet në mijëra serverë. Një deklaratë e bërë pesëmbëdhjetë vjet më parë mund të shfaqet nesër, pikërisht kur rrethanat kanë ndryshuar dhe pushteti që dikur të mbronte nuk është më ai i dikurshmi.
Gjithnjë e më shpesh, forca që vjen nga pushteti mund të blejë kohë, të prodhojë edhe zhurmë; jo harresë.
Viraliteti, sigurisht, nuk është domosdoshmërisht drejtësi. Interneti prodhon edhe gënjeshtra, manipulim, urrejtje dhe turma që dënojnë përpara se të gjykojnë. Një video nuk është një proces gjyqësor dhe transparenca nuk është e vërteta e plotë.
Por ka sjellë një kufizim të ri për pushtetin: pamundësinë për të qenë i sigurt se e sotmja do të harrohet nesër.
Ndoshta këtu ka edhe diçka thellësisht etike, njerëzisht të pashmangshme.
Fetë e kanë vendosur prej mijëra vjetësh në themel të moralit idenë se njeriu mund t’u fshihet njerëzve, por jo së vërtetës së veprimeve të veta dhe jo gjykimit të Zotit. Teknologjia nuk e shpiku këtë parim; vetëm i dha një formë të re, tokësore dhe të dukshme: gjithnjë e më shpesh, dikush sheh. Dikush ruan. Dikush kujton.
Në këtë kuptim, interneti na ka kthyer çuditërisht te fshati.
Vetëm se tani fshati ka tetë miliardë banorë.
