Deklaratë e Institutit Konservator për Situatën e Zjarreve në Shqipëri

Instituti Konservator Shqiptar - ACI

8/13/20254 min read

Instituti Konservator Shqiptar shpreh indinjatën dhe zemërimin e thellë për situatën katastrofike dhe të paprecedentë të zjarreve që po shkatërrojnë pyjet, kullotat, ekosistemet dhe madje po kërcënojnë qytetet në të gjithë Shqipërinë. Sot flakët nuk po digjen vetëm në male dhe kodra, por po pushtojnë fusha, zona të banuara dhe hapësira urbane, duke shkaktuar humbje jete, dëme të mëdha mjedisore dhe rrezik të drejtpërdrejtë për komunitetet.

Ne shprehim solidaritetin tonë me këdo qytetar të prekur nga zjarret dhe shprehim mirënjohjen më të thelle për zjarrfikësit që janë në krye të detyrës duke rrezikuar dhe jetën e tyre.

Kjo tragjedi nuk është një fatkeqësi natyrore e pashmangshme, është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të politikave për të mbrojtur vendin nga një kërcënim i parashikueshëm dhe i përsëritur çdo vit. Mungesa e përgatitjes, infrastruktura e dobët, neglizhenca institucionale dhe abuzimi me mjedisin kanë çuar në një gjendje ku Shqipëria hyn në çdo verë e pambrojtur, e varur nga ndihma e huaj dhe e paaftë të ndërhyjë me kapacitetet e veta.

Ne denoncojmë mungesën e mjeteve dhe pajisjeve themelore për shuarjen e flakëve, nga zorrët me presion të lartë dhe pompat e ujit, tek automjetet zjarrfikëse të përshtatura për terrene të vështira dhe mjetet ajrore të dedikuara. Sot, Shqipëria varet nga ndërhyrjet e huaja, si helikopterët Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, avionët Canadair nga Italia e Kroacia, apo ndihma nga Çekia dhe Sllovakia, sepse nuk ka ndërtuar asnjë flotë zjarrfikëse ajrore kombëtare. Mungesa e shërbimeve pyjore efektive, e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe e trajnimit profesional e ka lënë vendin në mëshirë të fatit.

Për më tepër, fondet publike të dedikuara për emergjencat civile dhe mbrojtjen e mjedisit janë të pamjaftueshme dhe shpesh të shpërndara në mënyrë klienteliste, duke përfshirë kontrata të dyshimta, tendera të fryrë dhe mungesë transparence. Ndërsa vendet e tjera investojnë për të parandaluar tragjedi të tilla, në Shqipëri fondet ose shpërdorohen pa rezultat, ose nuk përdoren fare, duke e lënë popullsinë të pambrojtur. Janë vetëm 21 milionë euro për emergjencat civile, rreth 9 euro për qytetar për t'i mbrojtur nga zjarret, ndërkohë që shpenzohen shumë më tepër për projekte jo prioritare.

Në shumë raste, përgjigjja e qeverisë dhe e strukturave përgjegjëse ka qenë e vonuar, duke lejuar përhapjen e flakëve dhe rritjen e dëmeve. Ndërhyrjet shpesh bëhen pasi situata ka dalë jashtë kontrollit, kur pasojat janë tashmë të pakthyeshme, duke treguar mungesë koordinimi dhe gatishmërie.

Ndërkohë, prerjet e pakontrolluara të pyjeve, shitja masive e lëndës drusore, betonizimi dhe asfaltimi i çdo hapësire të gjelbër, ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe turizmi masiv i pakontrolluar po shkatërrojnë ekosisteme të tëra. Mbetjet e hedhura në natyrë shndërrohen në karburant për flakët, ndërsa mungesa e pastrimit të kullotave e përkeqëson situatën. Kjo nuk është vetëm krizë mjedisore, është një kërcënim për jetën, ekonominë dhe identitetin tonë kombëtar.

Vendet fqinje si Greqia, Kroacia, Italia apo Maqedonia e Veriut kanë zhvilluar flotat e tyre ajrore dhe struktura zjarrfikëse të specializuara, duke reaguar shpejt e me efikasitet, edhe në kushte të vështira. Ndërsa ato investojnë në teknologji, trajnime dhe kapacitete vendase, Shqipëria mbetet pa një strategji kombëtare serioze, duke treguar qartë se kjo është çështje vullneti politik, jo pamundësie teknike apo mungese fondesh.

Nëse kjo situatë vazhdon, pasojat afatgjata do të jenë dramatike: shkretëtirëzimi i territoreve, humbja e burimeve ujore, rënia e mëtejshme e prodhimit bujqësor, dëmtimi edhe më i madh i turizmit, thellim i shpopullimit në zonat rurale dhe humbja e biodiversitetit. Këto nuk janë thjesht probleme mjedisore, ato do të kthehen në kriza ekonomike, sociale dhe demografike që do ta lënë vendin të varfër dhe të pazhvilluar për dekada.

Nuk mund të vazhdohet më kështu. Çdo vit përsëritet i njëjti skenar, me dëme gjithnjë e më të mëdha, dhe asgjë nuk ndryshon. Shqipëria ka nevojë për veprim të menjëhershëm dhe të vendosur, jo për justifikime.

Thirrje për Veprim
  1. Shpallja urgjente e emergjencës kombëtare për mobilizimin e të gjitha burimeve dhe forcave në terren.

  2. Investime të menjëhershme në flotë zjarrfikëse tokësore dhe ajrore kombëtare (helikopterë dhe avionë të pajisur për shuarje zjarresh), si dhe pajisje moderne për terrene të vështira.

  3. Riorganizim i shërbimeve pyjore me staf të trajnuar, monitorim 24/7 dhe përdorim të teknologjisë si dronë e sensorë për zbulim të hershëm.

  4. Ndalesë e prerjeve të pakontrolluara dhe nisja e një programi masiv ripyllëzimi në zonat e dëmtuara.

  5. Menaxhim i rreptë i mbetjeve dhe ndëshkime maksimale për zjarrvënësit.

  6. Kufizim i ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe ruajtje e biodiversitetit.

  7. Fushata kombëtare sensibilizuese për parandalimin e zjarreve dhe ruajtjen e mjedisit.

  8. Transparencë totale të shpenzimeve për emergjencat dhe hetim të çdo abuzimi me fondet publike të destinuara për mbrojtjen nga zjarret.

Ne, Instituti Konservator,do të vazhdojmë monitorimin e kësaj neglizhence shtetërore dhe do të punojmë për zgjidhje konkrete, së bashku me komunitetin dhe partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria ka nevojë për një politikë të re mjedisore, të përgjegjshme dhe të aftë, sepse çdo vit që humbasim, humbasim një pjesë të së ardhmes sonë.

Instituti Konservator
13 Gusht 2025