Deklaratë e Institutit Konservator Shqiptar
Instituti Konservator Shqiptar
9/16/20263 min read


Instituti Konservator Shqiptar shpreh shqetësimin dhe kundërshtimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Pas afro gjashtë vjetësh në paraburgim në Hagë, katër prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar në shkallë të parë me dënime të rënda me burgim, ndërkohë që procesi ende nuk ka përfunduar dhe mbetet e drejta e apelimit. Kohëzgjatja e jashtëzakonshme e privimit nga liria përpara një vendimi përfundimtar ngre pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin dhe zhvillimin e këtij procesi.
Aktgjykimi i sotëm përmban megjithatë një element thelbësor: Gjykata nuk pranoi gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Ky fakt merr rëndësi të veçantë kur kujtojmë gjenezën e Dhomave të Specializuara. Ky mekanizëm u krijua pas pretendimeve të raportit të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të hartuar nga Dick Marty. Pretendimi më tronditës që shoqëroi atë raport, trafikimi i organeve, nuk u bë akuzë në këtë proces, ndërsa sot të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Drejtësia për çdo viktimë është një parim i panegociueshëm dhe çdo përgjegjësi individuale për krime lufte duhet të trajtohet nga drejtësia. Por përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet në një aktgjykim ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo në rishkrim të historisë së luftës së Kosovës. Vetë Dhomat e Specializuara theksojnë se gjykojnë individë, jo UÇK-në, një komunitet apo një grup etnik.
Lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt ndaj të cilit bota euroatlantike qëndroi neutrale. Në fazën vendimtare të saj, NATO ndërhyri ushtarakisht kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, bashkëpunoi me UÇK-në në terren dhe, pas përfundimit të luftës, negocioi drejtpërdrejt me drejtuesit e saj procesin e çmilitarizimit dhe transformimit. NATO dhe KFOR-i mbështetën më pas krijimin e një mjedisi të sigurt, ngritjen e administratës civile dhe zhvillimin e institucioneve demokratike të Kosovës, duke shoqëruar kalimin nga lufta drejt shtetndërtimit. Ky angazhim euroatlantik është pjesë e pandashme e historisë së çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës. Asnjë proces ndaj individëve nuk mund ta fshijë këtë histori dhe as të vendosë një shenjë barazimi ndërmjet UÇK-së dhe regjimit të Millosheviçit.
Vendimi i sotëm duhet të hapë gjithashtu një debat serioz mbi të ardhmen e vetë Dhomave të Specializuara. Ato janë një mekanizëm i përkohshëm dhe i jashtëzakonshëm, i krijuar për një juridiksion specifik. Pas më shumë se një dekade nga krijimi i tyre, është legjitime të kërkohet një vlerësim institucional mbi përmbushjen e qëllimit për të cilin u ngritën dhe mbi kushtet e përfundimit të mandatit të tyre, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe detyrimet e saj ndërkombëtare.
Po aq e nevojshme është përgjegjësia politike për mënyrën se si kjo Gjykatë u krijua. Pas dështimit të votimit të parë në Kuvendin e Kosovës në qershor 2015 dhe gjatë presionit ndërkombëtar për përsëritjen e tij, më 16 korrik 2015 Kryeministri Edi Rama udhëtoi papritur me helikopter në Prishtinë për t'u takuar me Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin. Sipas raportimit të kohës, nevoja për krijimin e Gjykatës Speciale ishte një nga temat e takimit. Për këtë arsye, reagimi i tij i sotëm kundër vendimit nuk mund të shkëputet nga qëndrimi dhe roli i tij politik në kohën kur ky mekanizëm po krijohej. Opinioni publik shqiptar meriton koherencë dhe transparencë edhe për këtë përgjegjësi.
Instituti Konservator Shqiptar mbështet shterimin e të gjitha mjeteve juridike në dispozicion të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit dhe pret një shqyrtim rigoroz të çështjeve të kontestuara në apel.
Historia e Kosovës nuk filloi sot në një sallë gjyqi në Hagë dhe nuk mund të përfundojë aty. Sakrifica e popullit të Kosovës, karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së, ndërhyrja vendimtare euroatlantike dhe e drejta e Kosovës për liri e pavarësi janë pjesë e një historie që asnjë aktgjykim ndaj individëve nuk mund ta zhbëjë.
