Heshtja e laboratorëve: kriza e shkencës në Shqipëri
Viti i ri akademik 2025-2026 nis këto ditë dhe drejtuesit dhe pedagogët e fakulteteve janë sërish në ankth mbi regjistrimet në degët që ofrojnë. Numri i studentëve përcakton fondet për universitetet dhe dobëson ose forcon autonominë e tyre. Veçanërisht të rrezikuara janë degët e shkencave të natyrës. Ky raport përmbledh gjendjen e fushave të shkencave natyrore, matematikës dhe statistikës në Shqipëri (ISCED F-05) dhe e krahason atë me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian. Ai kombinon dy tregues kyçë: 1) rënien e regjistrimeve të studentëve në këto fusha, 2) nivelin e investimeve publike dhe private në Kërkim & Zhvillim (R&D).
Lindita Komani
10/7/20258 min read


Viti i ri akademik 2025-2026 nis këto ditë dhe drejtuesit dhe pedagogët e fakulteteve janë sërish në ankth mbi regjistrimet në degët që ofrojnë. Numri i studentëve përcakton fondet për universitetet dhe dobëson ose forcon autonominë e tyre. Veçanërisht të rrezikuara janë degët e shkencave të natyrës. Ky raport përmbledh gjendjen e fushave të shkencave natyrore, matematikës dhe statistikës në Shqipëri (ISCED F-05) dhe e krahason atë me vendet e rajonit dhe Bashkimin Europian. Ai kombinon dy tregues kyçë: 1) rënien e regjistrimeve të studentëve në këto fusha, 2) nivelin e investimeve publike dhe private në Kërkim & Zhvillim (R&D).
Të dhënat statistikore
Të dhënat e INSTAT, EUROSTAT dhe Bankës Botërore tregojnë një situatë kritike. Midis viteve akademike 2021–22 dhe 2023–24, pjesa e studentëve të regjistruar në fushat shkencore në Shqipëri ra nga 3.9% në 1.96% të regjistrimeve totale në arsimin e lartë. Në të njëjtën kohë, vendi investon vetëm 0.006% të PBB-së në kërkim e zhvillim, kundrejt rreth 1.0% në Serbi dhe 2.26% në mesataren e Bashkimit Europian. Këto të dhëna shfaqin një krizë strukturore të arsimit dhe kërkimit shkencor, me pasoja të thella për të ardhmen e vendit.
Për Shqipërinë, pavarësisht kërkimeve të thelluara, shifrat për përqindjen e investimeve në R&D mungojnë. E vetmja mënyrë për të mbledhur të dhëna pak a shumë të sakta ishte përmes shqyrtimit të buxhetit të shtetit për vitin 2024. Sipas këtij shqyrtimi shifrat reale për shkencën ishin rreth 1.95 miliardë lekë “Fondi për Shkencën” dhe “Akademinë e Shkencave”. Ndërkohë fondi për Arsimin e Lartë i cili nuk shkon specifikisht për shkencën, por për mbarëvajtjen e arsimit në universitete ishte rreth 13 miliardë lekë. Referuar PBB-së për vitin 2024 sipas ligjit të buxhetit 2024, rezulton se realisht në shkencë qeveria shqiptare investon 0.0008% të PBB, ose nëse llogariten edhe fondet për arsimin e lartë përqindja rritet dhe shkon në 0.006%, që është shumë më e ulët se një shifër prej 0.2% që qarkullon si statistikë në faqe gazetash, por për të cilën nuk ka ndonjë bazë reference të saktë.
Çfarë thonë shifrat?
Rënia galopante e numrit të studentëve në degët Fizikë, Matematikë, Kimi dhe Biologji nuk është thjesht një problem numrash, është shenja paralajmëruese e një krize të thellë social-ekonomike dhe sociokulturore. Kur një vend ndalon së përgatituri shkencëtarë, ai ndalon së besuari në fuqinë transformuese të dijes.
Heshtja institucionale
Universitetet dhe institucionet publike shpesh shmangin publikimin e të dhënave sipas degëve, sepse shifrat janë të dhimbshme. Kur një program ka vetëm dy studentë, ose asnjë, sistemi fshihet pas statistikave të përgjithshme, duke fshehur shkatërrimin e heshtur të një fushe të tërë dijeje.
Erozioni kulturor e shoqëror
Shkenca ka humbur prestigjin e saj në kulturën shqiptare. Të rinjtë zgjedhin degë studimi që premtojnë sukses më të shpejtë, dukshmëri, largim më të shpejtë nga vendi (sikurse ndodh për shembull me degën e infermierisë, diploma e së cilës mundëson një integrim shumë të shpejtë në tregun e fuqishëm të punës në Gjermani). Ata që kanë talent të vërtetë shkencor largohen herët nga vendi. Ndërkohë, figura e shkencëtarit në Shqipëri është zbehur; vendin e tij e ka zënë sipërmarrësi apo influenceri.
Mospërfillja ekonomike
Me më pak se 0.006% të PBB-së të destinuar për kërkim dhe zhvillim, infrastruktura shkencore është e vjetëruar, laboratorët nuk përmbushin standardet bashkëkohore dhe karriera akademike ka pak vlerësim. Mungesa e mbështetjes financiare dobëson njëkohësisht arsimin dhe inovacionin, duke dekurajuar brezat e rinj.
Kuptimi simbolik
Rënia e shkencës është treguesi i një realiteti tragjik. Kur mbyllen katedrat e fizikës, shoqëria ndalon së pyeturi për ligjet e natyrës. Kur zhduket matematika, venitet logjika. Kur braktiset kimia e biologjia, ndalon vetë procesi i transformimit në shoqëri po aq sa në laborator. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është vetëm një krizë universitare, por një krizë e kuptimit. Heshtja e laboratorëve është heshtja e një shoqërie që ka harruar vlerën e shkencës dhe gjuhën e kërkimit shkencor.
Krahasimi rajonal dhe pasojat
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet në fund për regjistrimet në shkenca dhe financimin e kërkimit. Serbia që përbën konkurrentin më të fortë për Shqipërinë në rajon, investon shumëfish më shumë në R&D dhe ruan programe të qëndrueshme në shkencat bazë. Mesatarja e BE-së është po ashtu shumëfish më e lartë. Ky hendek krijon një rreth vicioz: institucionet e dobësuara prodhojnë pak studentë, dhe mungesa e studentëve përdoret për të justifikuar më pak fonde. Rezultati është një peizazh shkencor që zbrazet çdo vit, një paaftësi për konkurrueshmëri në nivel ndërkombëtar dhe për inovacion në fusha që bazohen në zotërimin e njohurive kritike të shkencave të natyrës dhe matematikës.
Vëzhgime nga takimi vjetor i Alb-Shkencës
Rreth njëzet vjet më parë, Instituti Alb-Shkenca u krijua me synimin për të afruar diasporën shkencore shqiptare me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe për të forcuar lidhjet mbarëkombëtare mes studiuesve shqiptarë. Alb-Shkenca ka qenë dhe mbetet i vetmi institucion në çdo fushë të jetës ku shqiptarët janë të bashkuar, përtej kufijve shtetërorë dhe dallimeve lokale. Në periudhën 2005–2013, interesi për këtë nismë ishte i lartë, si nga studiuesit shqiptarë në vend e jashtë, ashtu edhe nga qeveria shqiptare. Konferencat e viteve të para u karakterizuan nga larmi e madhe pjesëmarrësish dhe qindra abstrakte të botuara në një vëllim të vetëm. Në kontrast, takimi i këtij viti mblodhi rreth 100 kumtesa, një tregues i qartë i uljes së ritmit dhe i lodhjes graduale së organizimit. Gjatë bashkëbisedimeve me studiues, u mblodhën të dhëna alarmante lidhur me rënien drastike të regjistrimeve në degët shkencore të Universitetit të Tiranës. Veçanërisht tronditëse ishin shifrat e përmendura për Fizikën, me vetëm dy studentë të rinj vitin e kaluar, dhe për Matematikën, ku nuk u regjistrua asnjë student. Këto fakte përforcojnë tendencën e paraqitur në analizën statistikore të këtij raporti.
Një propozim me interes të madh që del nga komuniteti i Alb-Shkencës është krijimi i një laboratori kombëtar të përbashkët, i cili do t’u mundësojë të gjithë studiuesve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, të zhvillojnë kërkime, të kryejnë matje dhe të nxjerrin rezultate shkencore me përdorim të gjerë. Deri më sot, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, një tregues që dëshmon për mungesën e vizionit afatgjatë për zhvillimin e shkencës. Një tjetër përshtypje shqetësuese ishte zhvendosja e fokusit nga prodhimi shkencor drejt organizimit të konferencave. Në vend që të forcohet prodhimi i ri kërkimor, energjitë dhe fondet po orientohen drejt mbajtjes së ritmit të ngjarjeve formale, pa përmirësuar përmbajtjen dhe ndikimin e tyre real.
Në vend të një epilogu
Kriza e shkencës në Shqipëri nuk është vetëm një çështje statistikash apo financash - është një pasqyrë e gjendjes shpirtërore dhe kulturore të shoqërisë shqiptare. Të dhënat e raportit, të kombinuara me përvojat e drejtpërdrejta nga terreni, tregojnë se po përballemi me një proces të gjatë rrënimi që po e bën shkencën gjithnjë e më periferike në jetën publike dhe akademike të vendit.
Vëzhgimet nga takimi i fundit i Alb-Shkencës e bëjnë edhe më të qartë këtë panoramë. Njëzet vjet pas krijimit të institutit që synonte të bashkonte diasporën shkencore shqiptare, takimi i vitit të fundit dëshmoi se ritmi dhe energjia e dikurshme janë zbehur ndjeshëm. Në vend që ky forum të ushqehej nga breza të rinj studiuesish, ai po përpiqet të mbijetojë me forcat e atyre që e themeluan.
Nëse një vend nuk përgatit më fizikantë, kimistë apo matematikanë, humbet aftësinë për të kuptuar dhe shpjeguar botën në mënyrë të pavarur. Në këtë kuadër, propozimi i Institutit Alb-Shkenca për krijimin e një laboratori kombëtar të përbashkët për të gjithë studiuesit shqiptarë është një ide strategjike dhe simbolikisht e fuqishme. Një laborator i tillë do të shërbente si “urë e gjallë” që lidh universitetet me diasporën, studentët me kërkimin, dhe shkencën me jetën publike. Fakti që deri më sot nuk ka patur veprim konkret nga qeveria shqiptare tregon se ende mungon një vullnet politik për ta parë shkencën si prioritet kombëtar. Po aq shqetësuese është zhvendosja e fokusit nga prodhimi i ri shkencor tek organizimi i vetë konferencave. Energji të mëdha dhe fonde të kufizuara shpenzohen për mbajtjen e strukturave formale të shkencës, pa investim të qëndrueshëm në përmbajtje, laboratorë, publikime ndërkombëtare dhe bashkëpunime reale. Nëse kjo prirje vazhdon, rrezikohet të humbasim jo vetëm gjeneratën e re të studiuesve, por edhe vetë trashëgiminë e mendimit shkencor shqiptar që u ndërtua me mund në dekadat e mëparshme.
Ringjallja e shkencës kërkon një strategji të re kombëtare për shkencën si pjesë të një reforme gjithëpërfshirëse, që të mbështetet mbi bashkëpunimin rajonal e me diasporën, laboratorë të hapur, dhe një sistem që e vlerëson kërkimin shkencor dhe arsimimin cilësor në shkencat themelore si shtyllë të zhvillimit dhe të kulturës. Heshtja e laboratorëve nuk është e pashmangshme. Ajo mund të thyhet, por vetëm nëse Shqipëria zgjedh të rikthejë shkencën si pjesë të identitetit të saj kombëtar. Kjo rivendosje e shkencës në qendër të vëmendjes që i takon kërkon njohjen e rëndësisë së shkencave themelore për ekonominë, inovacionin dhe kërkimin, dijen si e mirë publike, konkurrueshmërinë dhe sovranitetin teknologjik. Nga ana e saj, kjo njohje kërkon një ndryshim radikal në mendësinë e stabilizuar në shoqëri, tek prindërit, fëmijët, arsimtarët, studiuesit, biznesi dhe mbi të gjitha tek ekspertët e arsimit dhe shkencës, shkencëtarët më në zë, vendimmarrësit në Ministrinë e Arsimit, kryeministri dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë moment shumë kritik është i nevojshëm një diskutim i thellë mbipartiak që duhet të bëjë bashkë pedagogë dhe studiues, student, ekspertë të pavarur si dhe organizata që i kushtohen zhvillimit të arsimit dhe shkencës, politikëbërës dhe vendimmarrës në qeveri dhe kuvend. Instituti Konservator Shqiptar duhet të marrë vendin e tij në këtë diskutim dhe pse jo, të bëhet nismëtar i tij.
Burime
INSTAT (2024). Statistikat e Regjistrimeve në Arsim 2023–2024.
https://www.instat.gov.al/media/13263/education-enrollment-statistics-2023-2024.pdf
Eurostat (2023). R&D Expenditure – Statistics Explained.
https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php?title=R%26D_expenditure
Qendra e Botimeve Zyrtare. Ligj Nr.97/2003 Për Buxhetin e Vitit 2024.
https://qbz.gov.al/eli/ligj/2023/12/07/97
World Bank (2023). Research and Development Expenditure (% of GDP).



