I gjithë shteti në një fletë gjobe
Iljaz Mehmeti
8/29/20263 min read


Më telefonon një fqinj imi, zotëri i moshuar. Në një postbllok policie i kishin thënë se në sistem i rezultonte një gjobë e vjetër, e papaguar. Gjoba e parë e tij në gjithë Tranzicionin.
E ke në e-Albania, i kishin thënë.
Të ndihmoj unë, - i thashë. - Por duhet të më besosh që të hapim llogarinë tënde në e-Albania. Pastaj e ndërrojmë password-in.
E kryem operacionin. Hyra. E gjeta gjobën. Shkarkova procesverbalin dhe nisa t’a këqyr.
I gjithë shteti shqiptar në një fletë gjobe, mendova.
Gjoba ishte lëshuar në fillim të vitit 2026. Zotëria nuk dinte asgjë. As letër, as telefonatë, as sms, as email. Për ekzistencën e saj mori vesh muaj më vonë, krejt rastësisht, sepse një polic në një postbllok i tha se kishte një detyrim të papaguar.
Por shteti e konsideronte punën të kryer: “E ke në e-Albania.”
Shteti, pra, ka arritur atë stad të zhvillimit teknologjik ku qytetari duhet të dijë vetë se shteti ka diçka për t’i thënë dhe, herë pas here, të futet në portal për të kontrolluar mos vallë është gjobitur.
Një lloj kutie postare, vetëm se postieri nuk të thotë se të ka ardhur letër.
Pastaj shikon procesverbalin.
Adresa?
Ose shteti, pas 35 vjetësh Tranzicion, ende nuk ka një adresar funksional të qytetarëve, ose e ka dhe sistemet e veta nuk dinë ta përdorin.
Në të dyja rastet, rezultati është i njëjtë.
Pastaj vjen kryevepra tjetër: Vendi i shkeljes: “BENZI”.
Jo rrugë. Jo numër. Jo kryqëzim. Jo koordinata. Jo adresë subjekt. Jo!
BENZI.
Si t’i thuash dikujt në telefon, edhe sot, pas 35 vitesh: “Atje, te Benzi.”
Pra, ose shteti nuk ka as adresar të rrugëve dhe subjekteve tregtare, ose e ka dhe përsëri nuk e përdor.
Por policin që t’a hedhë gjobën në e-Albania, atë e ka.
Tek përshkrimi i shkeljes, pastaj, gjërat bëhen edhe më elegante.
“Mosrespektim i sinjalizimit rrugor”.
Cilit sinjalizim, atij vertikal? Atij horizontal? Në ç’mënyrë ka ndodhur shkelja?
Në procesverbal shkruhet edhe se shkelja është konstatuar “me pamje filmike”.
Mirë.
Atëherë ku është fotografia?
Ku është fragmenti filmik?
Ku është pamja e shkeljes?
Nuk ka.
Është ngarkuar procesverbali, por jo prova për të cilën vetë procesverbali thotë se ekziston. Pra qytetari duhet ta imagjinojë shkeljen.
Dhe, duke qenë se është ende aq naiv sa të mendojë se një gjobë duhet të lidhet me një fakt, pyet: Po a e kam bërë vërtet këtë shkelje?
Pyetje paksa provinciale, natyrisht. Në shtetin dixhital duhet të kesh besim.
E pyeta:Po sikur të mos duash t’a paguash? Sikur t’a kundërshtosh?
Më pa. Ku?
Pyetje tjetër e pavend.
Në fletën e gjobës nuk tregohet qartë ku duhet të ankohesh, cili është institucioni kompetent, si bëhet kundërshtimi dhe cilat janë afatet që ke në dispozicion.
Shteti të tregon me përpikëri se ku duhet të paguash.
Për pjesën ku mund të kundërshtosh shtetin, duhet të bësh pak kërkime vetë.
Edhe më bukur është puna e kamatëvonesës.
Në procesverbal shkruhet:
“Me kalimin e afatit paguhet 2% kamatë në ditë.”
Në ditë.
Formulari nuk mundohet të të shpjegojë aty se ligji parashikon një kufizim kohor të kësaj kamate. Po t’a lexojë një qytetar normal, arrin fare natyrshëm në përfundimin se pas disa muajsh mund t’i jetë rritur gjoba me disa qindra për qind.
Edhe këtu, qytetari duhet ta dijë ligjin më mirë se administrata që ka prodhuar formularin.
Ndërkohë shteti e ka numrin e tij të telefonit.
E ka email-in.
E ka llogarinë në e-Albania.
Për të rinovuar dokumente, për të marrë shërbime, për t’u identifikuar para administratës, qytetari duhet të kalojë pikërisht nga kjo infrastrukturë.
Por kur Policia e gjobit në mungesë, askujt nuk i shkon mendja t’i dërgojë një mesazh të thjeshtë:
“Ju është vendosur një masë administrative. Hyni në e-Albania për ta parë.”
Jo.
Gjoba hidhet aty në heshtje, pastaj kalon koha, pastaj ecin afatet.
Pastaj shfaqet kamata.
Dhe një ditë, në një postbllok, një polic të thotë:
-Ke një gjobë të papaguar.
-Çfarë gjobe?
-E ke në e-Albania.
Dhe këtu, në fakt, është i gjithë suksesi i transformimit tonë shtetëror.
Kemi e-Albania, por nuk dimë të njoftojmë qytetarin. Kamerat i kemi gjithashtu, por nuk e tregojmë pamjen.
Kemi regjistra, por vendi i shkeljes është “BENZI”.
Kemi procesverbal, por jo përshkrim të faktit. Edhe procedurë ankimi kemi, por nuk të themi ku ankohesh. Siç kemi edhe numrin celular të qytetarit, por sms-ja është e tepërt.
Penalitetin dhe arkëtimin i kemi dixhitalizuar me shumë sukses.
Shtetin ende JO.
