Instituti Konservator Shqiptar qëndron në krah të studentëve në lëvizjen e tyre historike për një Shqipëri të dinjitetit.

Instituti Konservator Shqiptar

10/17/20262 min read

Instituti Konservator Shqiptar qëndron në krah të studentëve në lëvizjen e tyre historike për një Shqipëri të dinjitetit.

Ajo që po ndodh sot është zëri i një brezi që refuzon të jetojë në heshtje, që kërkon të dëgjohet dhe që po rimerr të drejtën e vet për të përcaktuar të ardhmen e Shqipërisë.

Instituti Konservator Shqiptar shpreh mbështetjen e tij të plotë për të rinjtë dhe studentët që po kërkojnë dinjitet, liri, drejtësi dhe një vend ku të kenë arsye të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër çdo akt dhune, intimidimi dhe represioni ndaj protestuesve. Dhuna ndaj të rinjve që ushtrojnë një të drejtë themelore demokratike është e papranueshme.

Veçanërisht të rënda janë ndalimet dhe arrestimet e të rinjve, dhe mbi të gjitha çdo rast që përfshin të mitur. Përdorimi i forcës shtetërore ndaj minorenëve, frikësimi i tyre apo trajtimi i tyre si kërcënim për rendin publik përbën një vijë që një shoqëri nuk duhet ta lejojë kurrë të kalohet.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të çdo protestuesi të ndaluar vetëm për ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës, transparencë të plotë mbi çdo rast dhune apo keqtrajtimi dhe hetim të pavarur për çdo tejkalim të kompetencave nga strukturat shtetërore.

Përgjegjësia duhet të shkojë jo vetëm te ata që ushtrojnë dhunën, por edhe te ata që e urdhërojnë, e lejojnë ose e justifikojnë atë.

Për më shumë se katër muaj, qytetarët dhe studentët kanë protestuar paqësisht, ndërsa Edi Rama ka zgjedhur të mos dëgjojë dhe të mos i japë përgjigje tensionit gjithnjë e më të madh shoqëror. Sot përgjegjësia politike është e qartë. Edi Rama duhet të largohet dhe të japë menjëherë dorëheqjen, duke i hapur rrugën një qeverie tranzicioni. Në kushtet e krijuara, kjo është rruga për të ulur tensionin social, për të rikthyer besimin te institucionet dhe për t'i dhënë vendit mundësinë të dalë nga kriza përmes një procesi politik paqësor dhe demokratik.

Një qeveri nuk mund kurrë të kontrollojë ndërgjegjen e një brezi. Nuk mund të arrestojë shpresën. Nuk mund të intimidojë një shoqëri të tërë përmes frikës.

Studentët po kujtojnë sot një të vërtetë themelore se Shqipëria nuk është pronë e pushtetit. Shqipëria u përket qytetarëve të saj dhe, mbi të gjitha, brezave që duhet ta trashëgojnë atë.

Instituti Konservator Shqiptar do të qëndrojë në krah të studentëve, të të rinjve dhe të çdo qytetari që kërkon paqësisht liri, drejtësi dhe dinjitet.

Në krah të studentëve. Në krah të lirisë. Për një Shqipëri të dinjitetit.

Insights

Promoting conservative values in economic policy, national security and governance.

Contact

info@albanianconservativeinstitute.org

© 2025. All rights reserved.