Katër vite luftë Ukrainë - Rusi: Cili fiton dhe cili humbet?

Erion Dasho

2/2/20263 min read

Në katër vjet luftë midis Rusisë dhe Ukrainës, rrallë kam shkruar dhe komentuar për këtë temë. Kjo sepse duke mos qënë as ushtarak dhe as specialist i gjeopolitikës, nuk kam dashur të bie në nivelin e "ekspertëve" konspiracionistë me të cilët jo pak u zbavita gjatë pandemisë.

Por gjithsesi, nuk mund të qëndroj komplet indiferent dhe të mos jap disa fakte për të debatuar me një aradhë komentuesish të cilët edhe ata duket mos qënë as ushtarakë dhe as strategë të gjeopolitikës, kanë 4 vjet që flasin për "fitoren" e Rusisë dhe "humbjen" e Ukrainës.

Do të mundohem të bëj sa me pak analizë dhe të paraqes thjesht ato që i konsideroj si fakte.

Lufta nisi sepse Rusia kërkonte që Ukraina të ruante neutralitetin ushtarak duke mos u bërë pjesë e NATO-s dhe atë politik duke mos u bërë pjesë e BE-së. Pas refuzimit të Ukrainës, nisi i ashtuquajturi "operacion special".

Para shkurtit 2022, Rusia kishte nën kontroll diçka më tepër se 40,000 km² të Ukrainës, arriti të pushtojë për disa javë mbi 120,000 km² të tjerë, duke arritur maksimalisht rreth 170,000 km². Pas kundërofensivave ukrainase, Rusia humbi rreth 60,000 km² që u çliruan nga ushtria ukrainase dhe sot ka nën kontroll rreth 110,000 km², pak më pak se një të pestën e Ukrainës.

Me çfarë kostoje?

Së pari, kostoja njerëzore vlerësohet në mbi një milion të vrarë, të plagosur dhe robër lufte. Vetëm të vrarët janë disa qindra mijë. Ushtria ruse ka humbur reputacionin dhe vetë Putini, me gjithë megalomaninë që e karakterizon, ka deklaruar disa herë se Rusia as që mund të mendojë të sulmojë NATO-n, sikundër është aluduar herë pas here nga liderët evropianë, të cilët kanë nisur ta përdorin "gogolin" e diskretituar rus si kartë loje për politikën e brendshme të unionit.

Së dyti, me humbjen përfundimtare të aleatit të vet më të natyrshëm, Ukrainës. Midis vendeve sllave, armiqësia e Rusisë ishte e kufizuar tek Polonia dhe Çekia, kurse Ukrainasit nga pikëpamja e kombësisë, traditës dhe fesë, ishin pothuajse një vend vëlla me Rusinë. Sot ndasia me Ukrainën është bërë e pakapërcyeshme, të paktën në disa breza. Kjo do të thotë se Rusia ka humbur primatin në botën sllave ku ka një ndarje pothuajse gjysmë për gjysmë në numër popullsie midis vendeve aleate dhe armiqve të betuar. Një humbje jo e vogël.

E treta, Rusia humbi ndikimin, jo vetëm rajonal, por edhe ndërkombëtar. Në rajon Moldavia u shkëput përfundimisht nga sfera e influencës ruse, ndërsa vendet ish sovjetike të Azisë Qendrore janë ftohur si kurrë më parë duke u afruar ndjeshëm me Kinën. Në botë, miqtë e Rusisë si Asad, Maduro dhe tanimë Ajatollahët ose janë larguar nga pushteti, ose janë në prag të largimit, dhe Rusisë nuk i ka mbetur veçse të krijojë sfera influence në disa vende të harruar afrikanë, pothuajse pa asnjë ndikim gjeopolitik.

E katërta, dhe më e rëndësishmja, asnjë nga dy objektivat e "operacionit special" nuk u arrit dhe Ukraina sot është de facto anëtare e NATO-s dhe de jure vend kandidat për anëtarësim në BE.

Nga ana e saj, Ukraina, në shkurt të vitit 2022 u përball me rrezikun e asgjësimit si vend dhe ata që sot janë aleatët e saj më të fortë, Gjermania, Britania dhe Franca, nuk i jepnin më tepër së një javë "jetë". E njëjta Ukrainë sot është një vend i shkatërruar nga lufta dhe me humbje njerëzore ndoshta po aq të rënda sa ato të Rusisë, por ama ka ruajtur mbi 80% të territorit, duke qënë siç e thashë de facto vend antëtar i NATO-s dhe de jure vend anëtar i BE-së.

Kur në 22 shkurt të 2026-ës do të bëhet bilanci i katër viteve luftë, cili do të gjykohet vallë si fitues dhe cili si humbës i luftës?!