Kodi Penal i ri: frikë ligjore, jo reformë drejtësie
Instituti Konservator shpreh shqetesimin dhe kundershtimin e thelle mbi draftin e paraqitur per Kodin e ri Penal.
Enri Çeno
7/30/20252 min read


Si jurist me diplomë ndërkombëtare, djali i një ish gjykatësi të lartë dhe anëtar i Federalist Society – një organizatë juridike konservatore e përkushtuar ndaj kushtetutshmërisë, ndarjes së pushteteve dhe kufizimit të ndërhyrjes shtetërore mbi liritë themelore – ndjej detyrimin të shpreh oponencën time të menjëhershme dhe pa ekuivok ndaj draft-Kodit Penal të propozuar nga qeveria shqiptare.
Ky është një dokument i rrezikshëm, i paekuilibruar dhe i frymëzuar nga frika ndaj fjalës së lirë dhe kontrollit publik. Dhe më keq akoma: nuk është kundërshtuar seriozisht as nga opozita, përveç një reagimi të Sali Berishës, ndërkohë që në grupin parlamentar të opozitës ndodhen të paktën 5 juristë me formim të mirë, përfshirë 2 ish-magjistratë dhe 3 drejtues politikë. Heshtja në këtë rast nuk është neutralitet – është bashkëpunim institucional në heshtje.
Vetëm nga një lexim sipërfaqësor, kam identifikuar 6 probleme madhore që bien ndesh me të drejtat themelore dhe parimet kushtetuese. Ky Kod ka me dhjetëra të tilla, ndaj kërkon një oponencë të thelluar, profesionale dhe publike nga juristët seriozë të vendit.
1. Cënimi i lirisë së shprehjes dhe medias
Parashikimi i burgut për “krijimin e mosbesimit ndaj drejtësisë” është një mjet frikësimi i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe gazetarëve. Është në kundërshtim flagrant me nenin 10 të KEDNJ dhe nenin 22 të Kushtetutës shqiptare. Kritika nuk është krim – është oksigjen i demokracisë.
2. Shkelje e parimit të sigurisë juridike
Termat si “ndikim negativ”, “zbulim i padëshiruar”, “kompromentim i imazhit të shtetit” janë të mjegullta dhe të pambrojtshme juridikisht. Ligji penal duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i parashikueshëm – ky është neni 7 i KEDNJ. Ky Kod është i kundërti.
3. Kriminalizimi i gazetarisë dhe informimit publik
Drafti vendos gazetarët përballë burgut për publikim informacioni që “rrjedh” nga institucionet. Kjo bie ndesh me praktikën Goodwin v. UK dhe nenin 8 të KEDNJ mbi mbrojtjen e burimeve. Mediat nuk janë shërbim i Prokurorisë – janë shërbim për publikun.
4. Dënime jo proporcionale me parimet kushtetuese
Deri në 12 vite burg për publikime, ndërkohë që për korrupsionin shtetëror dënimet janë simbolike. Ky është inversim i drejtësisë penale. Parimi i proporcionalitetit është thelb i shtetit të së drejtës – shkelet rëndë këtu.
5. Proces legjislativ pa transparencë dhe pa konsultim
Asnjë konsultim serioz me shoqërinë civile, juristët, gazetarët apo akademikët. Një draft i përgatitur në errësirë për të forcuar pushtetin. Komisioni i Venecias ka folur qartë për rolin e konsultimit publik në ligje me impakt të lartë.
6. Klima e frikës dhe vetëcensurës
Kur ligji penal shndërrohet në mekanizëm për të ndëshkuar opinionin, kritikat dhe investigimin, shoqëria futet në fazën e paralizës demokratike. Ky Kod i ri është udhërrëfyes për autocensurë, jo për drejtësi.
Të heshtësh si jurist përballë këtij sulmi është më keq se të jesh dakord. Është të bëhesh bashkëpërgjegjës në rrënimin e shtetit të së drejtës. Pres që kolegët e mi të fushës, sidomos ata në Kuvend, të mos sillen si “të ftuar nderi në funeralin e drejtësisë”.
Nëse ky draft nuk rrëzohet nga shoqëria civile, juristët, media dhe vetë qytetarët – sot janë fjalët në burg, nesër janë mendjet.