“Komunizmi vdiq në Lindje kur fitoi në Perëndim” Jean Baudrillard dhe ironia e fitores në epokën postkomuniste
Çeno është bashkethemelues i ACI, anëtar bordi, drejtues i International Law and Liberty Society Albania, sipërmarrës dhe Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Demokratike.
Enri Çeno
7/7/20254 min read


Nga pas Luftës së Dytë Botërore deri te Cancel Culture dhe Woke-izmi modern
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, bota hyri në një ndarje ideologjike që do të formësonte historinë e gjysmës së dytë të shekullit XX. Në njërën anë, kampi lindor me Bashkimin Sovjetik në qendër, përfaqësonte modelin komunist të ndërtimit shoqëror, të frymëzuar nga Marksizmi-Leninizmi dhe i shtrirë me dorë të hekurt në Europën Lindore dhe më gjerë. Në anën tjetër, Perëndimi liberal me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët euroatlantikë, i ngritur mbi kapitalizmin, demokracinë liberale dhe tregun e lirë.
Në këtë kontekst, filozofi francez Jean Baudrillard do të artikulonte një nga diagnozat më të mprehta dhe më paradoksale të pasojave të kësaj përplasjeje:
“Komunizmi vdiq në Lindje kur fitoi në Perëndim.”
Kjo shprehje nuk është thjesht një gjykim mbi ecurinë e një ideologjie, por një thirrje për të kuptuar sesi një ide e humbur në praktikë mund të ringjallet në diskursin publik e kulturor, madje të dominojë atë, në formën e një fantazme teorike — një ide që mbijeton jashtë çdo realiteti, duke krijuar iluzionin e vazhdimësisë, kur në të vërtetë ka humbur çdo lidhje me realitetin historik që e prodhoi.
Pas Berlinit: Nga dështimi praktik te ringjallja teorike
Rënia e Murit të Berlinit në vitin 1989 u perceptua si momenti historik i fitores përfundimtare të rendit liberal perëndimor. Kjo fushë e re e hapur nga shembja e komunizmit u interpretua nga shumë, si Francis Fukuyama, si “fundi i historisë” — një tezë që sugjeronte se nuk kishte më alternativë serioze përtej demokracisë liberale dhe kapitalizmit global.
Por për Baudrillard-in, kjo fitore ishte simbolike, jo substanciale. Komunizmi kishte dështuar në mënyrë të dukshme në Lindje: ekonomitë ishin kolapsuar, sistemet politike ishin represive, dhe shoqëritë ishin të deprivuara nga çdo liri individuale. Megjithatë, pikërisht në këtë moment, në universitetet perëndimore, në qarqet akademike, dhe në shtresat elitare kulturore, komunizmi rifilloi të zinte vend si projekt ideal — jo më si sistem ekonomik, por si kritikë strukturore ndaj pabarazisë, autoritetit, hierarkisë dhe privilegjit.
Në këtë sens, komunizmi “fitoi” në Perëndim jo duke u realizuar, por duke hyjnizuar dështimin e tij si virtyt. Ideologjia që kishte sjellë varfëri dhe censurë në Lindje, tani shihej si bazë për emancipim dhe drejtësi sociale. Ishte një fitore teorike, por që mbante brenda vetes një boshllëk — një përfaqësim pa substancë reale. Baudrillard e quante këtë proces “simulakër”: një kopje e një modeli që nuk ekziston më.
Nga proletariati te identitetet: Marksizmi që ndryshon fytyrë
Karl Marx i shekullit XIX e shihte historinë si histori e luftës së klasave. Çlirimi i njeriut, sipas tij, do të vinte nga revolucionet proletare që do të rrëzonin strukturat ekonomike shtypëse të kapitalizmit. Por në botën perëndimore të pas Luftës së Ftohtë, klasa punëtore nuk është më subjekti revolucionar. Në vend të saj kanë dalë në pah grupe identitare: racore, gjinore, seksuale, etnike — që kërkojnë njohje, përfaqësim dhe korrigjim historik për padrejtësitë e së kaluarës.
Ky zhvendim është thelbësor. Nuk është më konflikti i klasës që dominon diskursin politik, por politika e identitetit, që ushqehet më shumë nga moralizimi i diskursit se sa nga analiza e marrëdhënieve reale të pushtetit dhe prodhimit. Në këtë mënyrë, woke-izmi, si frymë kulturore dhe ideologjike, përfaqëson një mutacion postmodern të marksizmit — ku barazia nuk është më e lidhur me shanset materiale, por me ndjeshmërinë simbolike dhe përfaqësimin emocional.
Baudrillard do ta kishte quajtur këtë një hiper-realitet: një realitet i stisur, ku revolucioni ndodh më shumë në platformat sociale sesa në botën reale. Lufta për drejtësi bëhet një shfaqje publike me kode të vetat, ku akti moral nuk ka më lidhje me rezultatet, por me sinjalizimin e virtytit.
Liberalizmi dhe autokanibalizmi moral
Fitorja e Perëndimit ndaj komunizmit nuk solli stabilitetin e pritur. Në mungesë të një armiku të jashtëm, rendit liberal iu desh të shpikte tensione të brendshme. Në këtë klimë, u kthye vëmendja ndaj vetëkritikës permanente, shpesh në emër të historisë koloniale, seksizmit sistemik, racizmit institucional dhe privilegjit të bardhë. Ky vetëgjykim radikal ka çuar drejt një zhvendosjeje nga politika si debat i lirë në një sistem të koduar morali, ku mospajtimi barazohet me dhunë simbolike, dhe ku censura shitet si akt ndjeshmërie.
Fenomeni i Cancel Culture, që kërkon të dënojë apo të fshijë zëra “problematikë” nga hapësira publike, nuk është më një dukuri margjinale, por ka depërtuar në media, akademi, madje edhe në korporatat globale. Siç do të paralajmëronte Baudrillard, liria e fjalës nuk shfuqizohet më me ligj, por me konsensusin e një morali totalitar, që pretendon të jetë përfaqësues i drejtësisë absolute, por që në fakt shndërrohet në një formë të re të shtypjes — më të heshtur, më të sofistikuar, por po aq të frikshme.
Fantazmat që nuk vdesin
Jean Baudrillard nuk ishte nostalgjik për ndonjë sistem politik të caktuar. Ai nuk idealizonte kapitalizmin dhe as nuk kishte simpati për socializmin real. Por ai e kuptoi më mirë se shumica se ideologjitë nuk vdesin, thjesht transformohen. Ato kthehen në forma të reja, më shpesh si fantazma që sillen në trupin e shoqërisë moderne, duke përdorur gjuhën e drejtësisë për të ushtruar kontroll.
Në këtë kuptim, shprehja “komunizmi vdiq në Lindje kur fitoi në Perëndim” nuk është një lavd për Perëndimin dhe as një kritike naive për Lindjen, por një vëzhgim i ftohtë mbi mënyrën se si ideologjitë ringjallen në diskurs, edhe pasi kanë dështuar në praktikë.
Në fund të fundit, Baudrillard na lë me një pyetje të thellë:
Nëse Perëndimi adopton në emër të drejtësisë së re gjithë simptomat që dikur e ndanë nga Lindja, çfarë mbetet nga fitorja e tij?
Dhe më e rëndësishmja: A jemi ende në kontakt me realitetin, apo jetojmë të gjithë në një simulim të së kaluarës, që e kemi harruar se është e kaluar?