Kur Ideologjia Nuk Përputhet me Biologjinë: Mbrojtja e Binaritetit Seksual

Edi Çika

11/16/20258 min read

Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, ideja se njerëzimi ndahet në dy sekse ka qenë universalisht e pranuar si një e vërtetë e vetëkuptueshme. Në kultura, gjuhë dhe epoka të ndryshme, shoqëritë e kanë bazuar kuptimin e jetës familjare, riprodhimit dhe organizimit shoqëror mbi pranimin se njerëzit vijnë në dy lloje: mashkull dhe femër. Kjo kurrë nuk është trajtuar si një ideologji apo deklaratë politike; ka qenë thjesht një fakt i mbështetur në vëzhgim, përvojë dhe biologji. Vetëm vitet e fundit kjo bazë është vënë në dyshim, jo për shkak të zbulimeve të reja shkencore, por kryesisht për shkak të ndryshimeve kulturore, presioneve politike dhe mënyrave të reja të të menduarit mbi identitetin. Megjithatë, pavarësisht këtyre transformimeve shoqërore, struktura biologjike e seksit njerëzor mbetet e pandryshuar. Qeniet njerëzore janë dimorfike/dyformëshe (dimorphic) seksualisht, dhe dallimi mes mashkullit dhe femrës vazhdon të jetë një nga tiparet më të qëndrueshme të natyrës sonë si specie.

Pretendimi bashkëkohor se seksi ekziston në një spektër dhe se modeli binar është i vjetëruar apo tepër i thjeshtëzuar është përhapur kryesisht përmes retorikës , jo përmes meritave shkencore. Një vështrim më i afërt i provave biologjike tregon se binariteti seksual jo vetëm që është real, por edhe themelor për ekzistencën njerëzore. Argumenti modern i “spektrit” ndërtohet mbi premisën se, përderisa disa individë shfaqin zhvillim atipik, kjo e rrëzon të gjithë strukturën binare. Por ky arsyetim ngatërron variacionet brenda një kategorie me krijimin e kategorive të reja. Klasifikimi biologjik, veçanërisht ai që lidhet me riprodhimin, nuk varet nga uniformiteti i përsosur, por nga rrugët e dallueshme të orientuara drejt roleve specifike riprodhuese. Tek njerëzit, këto role janë prodhimi i gameteve: meshkujt të organizuar për prodhimin e gameteve të vogla (spermatozoidëve) dhe femrat për prodhimin e gameteve të mëdha (vezëve). Kjo dikotomi është universale në të gjitha speciet me shumim seksual dhe formon bazën e seksit biologjik.

Çrregullimet e zhvillimit seksual, të cilat shpesh keqinterpretohen në debatet ideologjike, nuk përfaqësojnë sekse të ndërmjetme apo të treta. Ato janë probleme mjekësore që ndodhin përgjatë rrugës së zhvillimit mashkullor ose femëror, jo jashtë apo përtej tyre. Këto çrregullime e konfirmojnë, në vend që ta rrëzojnë, strukturën binare. Ato tregojnë se sa i rregulluar dhe i përcaktuar është procesi i zhvillimit: devijimet ndodhin pikërisht sepse rrugët mashkullore dhe femërore janë kaq të qarta. Nëse seksi do të ekzistonte vërtet në një spektër, atëherë do të pritej që këto gjendje të shfaqeshin si gradacione të vazhdueshme, jo si anomali të rralla dhe të identifikueshme nga ana mjekësore. Ekzistenca e një numri shumë të vogël rastesh atipike nuk e përmbys realitetin se mbi 99% e njerëzve mund të klasifikohen qartë si meshkuj ose femra në lindje bazuar në organizimin riprodhues.

Seksi biologjik është i gdhendur në çdo nivel të trupit të njeriut. Kromozomet, sistemet endokrine, organet riprodhuese, struktura skeletore, zhvillimi muskulor, madje edhe aspekte të organizimit nervor pasqyrojnë dimorfizëm seksual. Këto dallime nuk zhduken me ndërhyrje hormonale apo kirurgjikale. Ato ekzistojnë jo vetëm në anatominë e jashtme, por thellë në arkitekturën e trupit, duke ndikuar gjithçka nga funksionimi i sistemit imunitar deri te proceset metabolike. Kjo është arsyeja pse asnjë ndërhyrje mjekësore nuk mund ta shndërrojë një trup mashkullor në një trup femëror apo anasjelltas. Mjekësia mund të modifikojë pamjen, por nuk mund të ndryshojë orientimin riprodhues të trupit, as të rishkruajë modelin kromozomal në miliarda qeliza. Pretendimet se identiteti apo mjekësia mund të ndryshojë seksin mbështeten te ri-përkufizimi shoqëror, jo te transformimi biologjik.

Disa teoricienë bashkëkohorë i përgjigjen kësaj duke thënë se ndërsa seksi mund të jetë biologjik, “gjinia” është një konstrukt kulturor dhe për rrjedhojë i ndryshueshëm. Por ndarja e këtyre dy kategorive në këtë mënyrë shtrembëron si historinë, ashtu edhe antropologjinë. Ndërsa shprehjet e mashkullores dhe femërores ndryshojnë në kultura të ndryshme, këto shprehje gjithnjë zhvillohen mbi bazën biologjike të mashkullit dhe femrës. Çdo shoqëri njerëzore e njohur pranon dy sekse. Edhe kulturat me role sociale shtesë—që nganjëherë citohen si prova për fluiditet gjinor—nuk i trajtojnë këto role si sekse të veçanta. Ato janë variacione simbolike ose rituale që ende varen nga struktura mashkull-femër. Këto shoqëri nuk kanë supozuar se seksi biologjik është i lakueshëm; ato thjesht kanë krijuar kategori kulturore të ndërtuara mbi të.

Gjinia, e kuptuar si pritshmëri shoqërore, është gjithmonë e ankoruar te seksi. Dy konceptet nuk janë entitete të ndara, por dimensione të ndërlidhura të mishërimit njerëzor. Pa binaritetin si bazë, vetë koncepti i gjinisë bëhet i paqëndrueshëm dhe pa kuptim. Edhe pretendimet moderne për identiteti gjinor varen nga navigimi mes dy sekseve: individët e përshkruajnë veten në raport me mashkullorin ose femërorin, edhe kur i refuzojnë rolet tradicionale. Ideja e një “spektëri gjinie” kështu mbështetet në një keqkuptim pikërisht të kategorive që përpiqet të tejkalojë.

Një linjë tjetër argumenti kundër binaritetit seksual pohon se individët duhet të jenë të lirë të përcaktojnë identitetin e tyre pa u kufizuar nga biologjia. Por ky arsyetim ngatërron shprehjen personale me të vërtetën ontologjike. Njerëzit mund të ndihen jo mirë me trupin e tyre apo me pritshmëritë shoqërore të lidhura me seksin e tyre, por këto ndjenja nuk e ndryshojnë realitetin biologjik të të qenit mashkull apo femër. Trajtimi i përvojës subjektive si e aftë të tejkalojë strukturën objektive fizike çon në konfuzion të thellë. Kjo qasje e ngatërron dallimin midis asaj se si ndihet dikush dhe asaj që ai është. Ndërsa përvojat personale kanë rëndësi të madhe, ato nuk përbëjnë fakte biologjike.

Në vitet e fundit, pretendimet e bazuara te identiteti në lidhje me seksin janë adoptuar nga shumë institucione, shpesh pa verifikim të kujdesshëm. Politikat janë rishkruar me shpejtësi për të ripërkufizuar seksin mbi bazën e vetë-identifikimit, jo të biologjisë. Por pasojat e këtyre ndryshimeve zbulojnë kufijtë e ideologjisë kur konfrontohet me realitetin praktik. Për shembull, lejimi i individëve me trup mashkulli në sportet e grave minon ndershmërinë e garës, sepse trupat e meshkujve kanë avantazhe në masën muskulore, densitetin kockor, kapacitetin pulmonar dhe performancën e përgjithshme atletike. Ky fakt mbetet i vërtetë pavarësisht terapisë hormonale. Në mënyrë të ngjashme, vendosja e individëve me trup mashkulli në burgjet e grave ka çuar në raste të dokumentuara dëmi dhe abuzimi. Edhe kërkimi mjekësor përballet me probleme kur seksi trajtohet si kategori e ndryshueshme; injorimi i dallimeve mashkull-femër në fiziologji dëmton diagnostikimin dhe trajtimin. Në çdo rast, përpjekja për të mohuar apo mjegulluar seksin biologjik prodhon rreziqe reale që nuk zgjidhen dot me gjuhë politike.

Të dhënat mjekësore sugjerojnë gjithnjë e më shumë se inkurajimi i individëve të mohojnë realitetin e seksit të tyre nuk e lehtëson domosdoshmërisht shqetësimin psikologjik. Premtimi se ndryshimi fizik apo afirmimi social do të zgjidhë plotësisht konfliktin e identitetit nuk është përmbushur nga të dhënat afatgjata që kemi. Disa individë më vonë pendohen për ndërhyrjet të pakthyeshme mjekësore, dhe të tjerë zbulojnë se problemet psikologjike themelore mbeten pavarësisht procedurave të tranzicionit. Injorimi i këtyre rezultateve në emër të ideologjisë politike i bën dëm atyre që kërkojnë ndihmë. Çdo qasje humane ndaj vuajtjes psikologjike duhet të fillojë me një kuptim të ndershëm të realitetit biologjik. Kompasioni nuk mund të ndërtohet mbi premtime të rreme ose mbi pamundësitë mjekësore.

Nga këndvështrimi filozofik, mohimi i binaritetit seksual minon kuptueshmërinë e trupit njerëzor. Njerëzit nuk janë mendje të ç’trupëzuara që banojnë në mbështjellës arbitrarë; ne jemi qenie të mishëruara në trupa, forma fizike e të cilave formëson identitetin tonë. Trupat tanë nuk janë aksesorë, por pjesë integrale e asaj që jemi. Të pohosh se trupi është i parëndësishëm për identitetin personal do të thotë të adoptosh një pikëpamje dualiste ekstreme dhe të pazbatueshme, që e ndan mendjen nga trupi në mënyrë artificiale. Kjo shkëputje midis trupit dhe identitetit çon në kontradikta konceptuale. Nëse identiteti përcaktohet plotësisht nga vetja, atëherë nuk mund të ekzistojë asnjë kategori objektive—as seksi, as gjinia, as orientimi. Një kornizë e tillë shembet mbi veten, duke e bërë të pamundur çdo kuptim të qëndrueshëm të personit njerëzor.

Për më tepër, mohimi i dimorfizmit seksual gërryen strukturat përmes të cilave shoqëritë transmetojnë kuptim ndër breza. Familja, si një njësi shoqërore, ndërtohet mbi komplementaritetin e sekseve. Kjo nuk nënkupton role të ngurta apo norma të pandryshueshme, por njeh faktin se ekzistenca e nënave dhe baballarëve—e prindërve mashkull dhe femër—është e rrënjosur në realitetin biologjik. Heqja e kësaj baze e lë shoqërinë me një koncept të fragmentuar të marrëdhënieve njerëzore. Nëse seksi është i paqartë, atëherë edhe rolet e ndërtuara historikisht mbi të bëhen të paqarta. Kjo destabilizon jo vetëm pritshmëritë shoqërore, por edhe koherencën e vetë identitetit njerëzor.

Pohimi se seksi është binar nuk është thjeshtë një gjykim moral, por më shumë diçka deskriptive. Kjo gjë pasqyron organizimin themelor të biologjisë njerëzore. Ndërsa individët mund të ndryshojnë gjerësisht në personalitet, interesa dhe shprehje, këto variacione ndodhin brenda kuadrit të të qenit mashkull ose femër. Diversiteti njerëzor nuk e mohon strukturën biologjike; ai ekziston brenda saj. Pranimi i binaritetit nuk e zhvlerëson përvojën individuale. Përkundrazi, ai e lidh kuptimin e identitetit me realitetin fizik të trupit njerëzor.

Konfuzioni rreth seksit dhe gjinisë në debatet bashkëkohore nuk buron nga zbulime të reja shkencore, por nga përpjekja për t’i vendosur përvojat subjektive mbi faktet biologjike. Kjo përmbysje e marrëdhënies midis mendjes dhe trupit çon në kontradikta praktike në politika dhe në jetën personale. Sa më shumë shoqëria përpiqet të zëvendësojë kategoritë biologjike me identitete të vetë-shpallura, aq më shumë lindin konflikte—gjuhësore, ligjore, mjekësore dhe shoqërore. Këto konflikte nuk janë shenja përparimi, por tregues të paqëndrueshmërisë konceptuale.

Një kuptim i qartë i binaritetit seksual ofron një bazë mbi të cilën mund të zhvillohen qasje të drejta dhe realiste ndaj identitetit njerëzor. Pranimi i fakteve biologjike nuk kërkon mohim të përvojës subjektive apo të vuajtjes emocionale. Përkundrazi, ai lejon përgjigje të bazuara në të vërtetën dhe jo në ideologji. Individët meritojnë ndershmëri, sidomos kur përballen me vështirësi personale. T’u ofrosh shpjegime ose zgjidhje që mohojnë realitetin biologjik rrezikon të thellojë konfuzionin dhe dëmin

Në fund, struktura binare e seksit nuk është një shpikje shoqërore, por një realitet natyror. Ajo është e rrënjosur në organizmin riprodhues të species njerëzore dhe pasqyrohet në çdo nivel të fiziologjisë sonë. Përpjekjet për ta mohuar ose mjegulluar këtë fakt nuk krijojnë liri; ato krijojnë paqëndrueshmëri. Trupi i njeriut flet një gjuhë të qartë, dhe kuptimi i kësaj gjuhe është thelbësor për të ruajtur mirëqenien individuale dhe koherencën shoqërore. Një shoqëri që respekton realitetin është më e aftë të trajtojë kompleksitetet e përvojës njerëzore me qartësi dhe dhembshuri. Pranimi i binaritetit nuk është akt përjashtimi, por pohim i të vërtetave themelore të natyrës njerëzore.