Në emër të progresit: zhbërja e familjes dhe kriza e qytetërimit europian

Albert Bikaj

9/22/20259 min read

Që nga vitet e revolucionit kulturor bota perëndimore, dhe jo vetëm, është përballur me sfida dhe ndryshime të shpejta që i kanë transformuar dhe mjegulluar konceptet, vlerat, individin dhe shoqërinë. Makthi i ideologjive shtypëse që legjitimizoi shtetin totalitar në forma të ndryshme kulminoi me dehumanizim, gjenocid dhe luftë botërore, nxiti reflektim dhe kritikë radikale duke vënë në pikpyetje çdo gjë, përfshirë iluminizmin edhe themelet e qytetërimit perëndimor (edhe pse akoma nuk dihet sa të përgjegjshme janë këto gjëra për krijimin e kushteve nën të cilat ranë). Pikërisht, fryt i kësaj qasje apo gjëndjeje të re kritike është postmodernizmi të cilin filozofi francez Jean-François Lyotard e definon si reagim ndaj metanarrativave të modernizmit që sfidon të gjitha autoritetet tradicionale, duke relativizuar të vërtetën dhe mohuar objektivitetin, me synim çlirimin e interpretimeve individuale dhe të veçanta.

Kështu, idetë themelore të postmodernizmit si rrymë e fuqishme teorike të mendimtarëve si Lyotard, Derrida apo Foucault, janë shndërruar (në formë të karikature) në aktivizëm politik, kulturor dhe shoqëror. Kuptohet, nuk është fjala për vetë autorët, por për një përvetësim selektiv të tezave të tyre, i cili ka ushqyer diskurse të reja. Prandaj grupe individësh të caktuar të ndikuar zakonisht pohojnë se vlerat morale dhe institucionet tradicionale si familja, feja e organizuar, nuk janë asgjë më shumë se relative, produkte të kohës, por nga ana tjetër etninë, identitetin, klasën e trajtojnë sikur të ishte kategori primordiale edhe ontologjike. Pra, përqafojnë dy qasje ideologjike të kundërta, që mohojnë njëra-tjetrën, pasi postmodernizmi mohon ekzistencën ontologjike e të gjithave në fjalë: duke filluar nga objektiviteti i moralit, biologjisë, familjes, kombësisë... tekefundit, kjo ideologji rrezikon të mohojë identitetin e njeriut duke e reduktuar thjesht në një gjallesë materiale, konsumeriste, e krijuar si rezultat i rastësishëm dhe asgjë më tepër.

Kjo qasje ideologjike e re filloi të depërtojë, megjithëse në mënyrë më të kufizuar, edhe në Evropën Lindore dhe Juglindore të sapo çliruar nga komunizmi. Madje, sot kjo rrymë shpesh perceptohet gabimisht si “ide përparimtare europiane”. Konfuzioni që pasoi vite më vonë pasqyrohet në forma të ndryshme, sidomos në fushën kulturore dhe shoqërore. Kështu, shumë individë, përfshirë edhe intelektualë, që përqafojnë me ose pa vetëdije bindje postmoderne, por kur çështja lidhet me kombësinë, po këta persona mbajnë një qëndrim të prerë esencialist.

Të jep përshtypjen se është logjika e njëjtë që qëndron edhe në sfondin e projektligjit transgjinor të politikës shqiptare në të dy anët e kufirit, i cili shpesh ndërthur një diskurs të dyfishtë: nga njëra anë nacionalist dhe nga ana tjetër postmodernist. Kjo manifestohet në promovimin herë të kategorive gjinore “jo-binare” ose të një “gjinie të tretë”, herë të formave “alternative” të familjes, ku “babai” dhe “nëna” zëvendësohen me “prindi 1 & 2”, etj.

Problemi kryesor është se këto projektligje nuk paraqiten thjesht si alternativa për një pakicë, por si mohim i ekzistencës së normës së martesës dhe gjinisë burrë-grua në përgjithësi, e cila etiketohet pezhorativisht si “heteronormativitet”. Përkrahësit politik të këtyre ligjeve në Ballkan e legjitimojnë përfshirjen e ideologjive gjinore jo vetëm si shenjë të “përparimit perëndimor”, por edhe si një hap “të domosdoshëm” në rrugën e integrimit evropian. Me fjalë të tjera, qëllimi i tyre, edhe nëse është i nisur me mendim të mirë, nuk ka synim “bashkëjetesën” e tjetrit, edhe pse pikërisht këtë gjë e kanë kritikuar nga zanafilla

Thënë shkurt, shpjegimi i tyre i bie që të zhbëjmë familjen, njësinë themelore të kombit, për të mirë të kombit!? Po pse vallë këtë ligj nuk e paskan aplikuar shumë shtete të BE-së si p.sh. Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Italia, Spanja, Sllovakia, Polonia, etj? Është e qartë se për anëtarësim në BE aplikimi i ligjeve të tilla nuk është i domosdoshëm, thjesht mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe pakicave. Për më tepër, vlen të rikujtohet se projekti europian ka rrënjë të thella demokristiane, ndonëse një pjesë e elitave të sotme kanë përqafuar qasje të majtë liberale.

Natyrisht, duke pasur parasysh këtë mishmash bindjesh konfuze, parashtrohen pyetjet: Si mund të ketë moral pa norma dhe vlera objektive? Si mund të ketë komb pa familje si njësi themelore? Si mund të ketë familje pa prindër (baba dhe nënë)? Si mund të ketë prindër pa gjini? Si mund të ketë gjini fluide, sot mashkull, nesër femër, mbasnesër diçka tjetër? Me këtë logjikë, njeriu i nesërm do ketë të drejtë të vetëidentifikohet jo vetëm në terma gjinorë, por edhe në racë, specie apo forma të tjera ekzistence. Kjo nuk është aspak tepri, por veçse ka filluar të jetë realitet në shtete të ndryshme Perëndimore. Këtë qasje ideologjike logjikisht e pason transhumanizmi, fazë të cilën C. S. Lewis në në veprën e tij “The Abolition of Man” quante “zhbërje të njeriut”. Më tej, nëse një set i identifikimeve tona qenka rrënjësisht gabim, çfarë e bën një set të ri identifikimesh të përligjur sa të na imponohet si ligj?

Sidoqoftë, një nga arsyetimet e mundshme sipas ithtarëve të bindjes postmoderne do ishte “liria e pambaruar”. Koncept që nuk mund të kritikohet lehtë, pasi është esencial për jetën e njeriut dhe meritë të madhe për këtë ka padyshim tradita liberale në trajtat e saj qofshin konservatore apo sociale. Por, problemi qëndron me definicionin e tyre: ç’është liria? Ç’është liria pa virtyt, pa rend, pa të vërtetën? Liria pa kufi, në terma të filozofisë politike quhet anarki kaotike, ndërsa në terma psikologjik quhet krizë ekzistenciale. Në traditën klasike perëndimore liria konceptohet “për të bërë të mirën” (libertas maior) ndryshe nga ideja moderne liberale e cila lirinë e percepton negativisht thjesht si “mungesë kufizimesh” (libertas minor). Në lidhje me këtë teologu polak Karol Józef Wojtyła (Shën Gjon Pali II), ndër të tjerat, shkruante se liria nuk nënkupton të bësh ç’të dojë qejfi, por të kesh të drejtën të bësh atë që duhet. Duke theksuar se si pjesë të pandashme të lirisë janë e vërteta, dashuria dhe solidariteti. Këtë nuk e them pa shkas, pasi liria moderne në trajtat ideologjike është e cunguar; liberalët zakonisht e relativizojnë të vërtetën, ndërsa konservatorët zakonisht e ndajnë lirinë nga empatia dhe solidariteti.

Koncepti tjetër që shpesh i referohen me të drejtë, ndonëse në forma të gabuara, është “dinjiteti njerëzor”! Por çfarë është dinjiteti njerëzorë? Sipas Shën Toma Akuinit ligji natyror është rendi moral universal i gdhendur në natyrën e çdo njeriu, përmes të cilit mund të dallojmë të mirën nga e keqja. Prandaj, sipas ligjit natyral njeriu është krijuar në Imazh të Hyjit (Imago Dei), me dinjitet të shenjtë dhe të pacenueshëm që është edhe themeli i të drejtave dhe përgjegjësive themelore njerëzore. Ky koncept që ndërthur traditën morale greko-romake dhe judeo-kristiane ka shërbyer që nga mesjeta si themel i qytetërimit europian dhe është artikuluar fuqishëm përgjatë periudhës moderne iluministe si bazë e drejtave njerëzore. Nietzsche vërente se imperativi kategorik i Kantit nuk ishte gjë tjetër veçse racionalizim i rendit moral të traditës kristiane.

Natyrisht, ideja e sekularizmit që karakterizon iluminizmin nuk është e rastësishme; në formën e saj të shëndoshë, që nuk përjashton Zotin apo fenë, nuk mund të konsiderohet e gabuar. Shpesh feja dhe Kisha si institucion janë abuzuar, herë nga hierarkia e korruptuar, herë nga sunduesit, ndaj kërkesa për kufizim të ndarjes së pushtetit nuk është pa baza. Megjithatë, siç argumenton Augusto Del Noce, iluministët besonin se morali si përfundim logjik humanist do të ishte i qasshëm për çdo njeri racional, por duket se ky ishte optimizëm i tepruar. Morali nuk mund të ekzistojë në vakum të tillë, thjesht brenda kufijve logjik.

Eksperimentet ideologjike moderne përfunduan duke shkaktuar tragjedi të llahtarshme, madje shumë herë më të mëdha se ato gjatë mesjetës e cila shpesh gabimisht merret si shembull i periudhës “së errët apo fanatike”. Vlen të kujtoj se vetëm përndjekjet, gjenocidet dhe luftërat e përgjakshme përgjatë shekujve XVIII-XX e vërtetojnë këtë. Përgjatë kësaj periudhe miliona njerëzve u është mohuar dinjiteti herë në emër të shtetit, nacionalizmit, shkencës (eugjenikës, darvinizmit, etj.), klasës shoqërore, progresit, etj. Tekefundit, kjo nuk është për t’u habitur pasi ideja e moralit relativ është presupozim logjik i bindjes materialiste dhe totalitare si marksizmi, nazizmi, fashizmi, etj. - të cilat i njohin dinjitetin njerëzor vetëm atyre që konsiderohen “miq” politik. E njëjta gjë vlen edhe për teokracinë, e cila në praktikë aplikon relativizmin moral pasi klasa sunduese kthehet në interpretuese arbitrare të “vullnetit Hyjnorë” dhe moralit sipas interesave apo qëllimeve. Pavarësisht kësaj, një pjesë e konsiderueshme mendon ndryshe, duke e parë absolutizmin moral si kërcënim potencial. Si zgjidhje për evitim të kërcënimit totalitar, disa intelektualë të shquar rrymave liberale si p.sh. Karl Popper dhe Richard Rorty kanë ofruar qasjen “pluraliste të vlerave” e cila faktikisht bazohet në presupozime relativiste, duke kërkuar nga secili individ apo grup të heq dorë nga pretendimi i së vërtetës absolute.

Në veprën “Njeriu dhe shteti” filozofi Jacques Maritain thekson se dinjiteti njerëzorë presupozohet të jetë e drejtë natyrale e çdo njeriu edhe nga ata që mendojnë se morali është relativ. Këtë kontradiktë e parashtro disa pyetje të parafrazuara. Si mund të besojmë në të drejta natyrale absolute si dinjiteti njerëzorë nëse mendojmë se rendi moral natyral është relativ? Si mund të besojmë në të drejta natyrore kur mohojmë të vërtetën si kategori absolute objektive? Pastaj, me ç’të drejtë ndokush mund të moralizojë apo gjykojë nëse beson se morali është arbitrarë, pra subjektiv? Rrjedhimisht, nëse mohojmë esencën e natyrës njerëzore dhe rendin moral, si mund të besojmë në dinjitet dhe humanizëm? Çfarë dua të them është se të flasësh relativizmin e të gjithave, dikur edhe dinjiteti njerëzor nuk do të jetë asgjë më shumë sesa një fantazmë imagjinare që vlen po aq shumë sa vlen mungesa e tij.

Përndryshe, të jemi të qartë, trajtimi me dinjitet për çdo njeri, pa dallim, nuk diskutohet! Madje besoj se nevojiten reforma dhe mbështetje në këtë drejtim, por jo duke deformuar arsyen, etikën, biologjinë dhe institucionet e shenjta si martesa dhe familja në emër të dinjitetit dhe “humanizmit” të padefinuar. Rrezikun dhe pasojat e kësaj qasje do e përmbledh shkurtimisht. Viktima e parë e relativizmit moral sipas C. S. Lewis është e vërteta të cilën elita intelektuale dhe sunduese shumë lehtë mund ta manipulojë duke imponuar rregulla arbitrare me prirje totalitare-çnjerëzore. Viktima e dytë është kultura dhe liria; këtë proces e ilustron Roger Scruton duke sqaruar se fal relativizmit moral, tranzicioni në regjim totalitar bëhet me anë të propagandës që zëvendëson gradualisht kulturën dhe gërryen themelet e lirisë. Së fundi, teologu i madh Joseph Ratzinger (papa Benedikti XVI) paralajmëronte se diktatura nuk shfaqet vetëm në format klasike, pasi në kohët tona po paraqitet edhe një formë tjetër: “diktatura e relativizmit”, ku në emër të tolerancës ndalohet e vërteta.

Siç paralajmëronin filozofë dhe teologët e mëdhenjë në fjalë, nëse mohojmë të vërtetën e rendit moralit dhe natyrës njerëzore paradoksalisht do përfundojmë duke krijuar diktaturën e relativizmit që mohon lirinë dhe vetë njeriun, e gjitha kjo në emër të lirisë dhe tolerancës, bazuar në qellim të mirë të një ideologjie logjikisht të gabuar.

Përvoja e gjatë njerëzore, qoftë në kronikat e lashta të historisë, qoftë në letërsinë klasike, na mëson se qëllimi i mirë nuk mjafton në vendimmarrje të mëdha, pasi mbi të gjitha nevojitet virtyti i maturisë, i cili duket se i mungon epokës sonë konfuze. Jo më kot, filozofi dhe shkrimtari i shquar anglo-amerikan T. S. Eliot shkruante se prova më e madhe e dekadencës së një shoqërie është keqpërdorimi i virtyteve. Kjo thënie e përshkruan më së miri natyrën e ideologjisë radikale që ka kapluar një pjesë të madhe të botës Perëndimore dhe po shpërndahet me shpejtësi edhe në shoqërinë tonë. Madje më kujton tregimin e Hans Christian Andersen-it, “Rrobat e mbretit”, e cila flet për një mashtrim kolektiv, ku nga frika dhe konformizmi të gjithë lavdërojnë “rrobat e padukshme” të mbretit, derisa një fëmijë i thotë të vërtetën e thjeshtë se mbreti në të vërtetë është lakuriq. Disa të vërteta janë shumë të thjeshta, mjafton pak guxim të përdoret arsyeja e shëndoshë qoftë edhe e nivelit fëmijëror për të rrëzuar trendet e tekave demagogjike qofshin politike, pseudoartistike apo pseudointelektuale. Pavarësisht bindjeve apo preferencave politike personale, qëllimi përfundimtar duhet të mbetet e mira e përbashkët, e themeluar mbi rendin moral dhe respektin për jetën njerëzore. Dinjiteti njerëzor është i paprekshëm, por ideologjitë nuk janë të shenjta; ndaj, përballë sofizmave të kohës sonë që bëjnë thirrje për utopi, nuk duhet të heshtim.

https://udhekryqi.com/posts/68d01c63268437f71d25d797

Z. Bikaj është themelues i Revistës Udhykryqi dhe bashkëpuntor i Institutit Konservator