Nga globalizmi i përjetuar te lokalizmi i nevojshëm
Iljaz Mehmeti
3/10/20262 min read


Një lexim personal dhe strukturor i tranzicionit ekonomik aktual, i nxitur nga artikulli i z. Çeno këtu me titull: Një analizë gjeopolitike mbi fundin e globalizimit dhe lindjen e perandorisë ekonomike amerikane.
Kam jetuar në Itali për rreth njëzet vjet, nga fillimi i viteve ’90 deri rreth vitit 2010. Ishte pikërisht periudha kur globalizmi hyri në fazën e tij të plotë dhe Italia e asaj periudhe është një shembull i mirë për të kuptuar çfarë ndodhi në shkallë më të gjerë. Një ekonomi me traditë prodhuese, e fortë në industri të mesme dhe të vogla, që filloi gradualisht të humbiste pjesë të bazës së saj prodhuese. Prodhimi u zhvendos, zinxhirët u fragmentuan ndërsa konsumi vazhdoi të rritej, i mbështetur gjithnjë e më shumë në importe dhe financë. Në fillim, efekti ishte pozitiv: çmime më të ulëta, akses më i gjerë në mallra, një ndjesi mirëqenieje që nuk kërkonte më lidhje direkte me prodhimin vendas.
Ky model funksionoi për një kohë të gjatë jo sepse ishte i qëndrueshëm në vetvete, por sepse u mbështet nga një faktor kyç: borxhi i lirë. Shtetet, përfshirë Italinë, arritën të financojnë diferencën midis konsumit dhe prodhimit përmes huamarrjes me kosto të ulët. Për qytetarin e zakonshëm, kjo nuk ishte e dukshme; sistemi dukej stabël dhe funksional.
E njëjta logjikë, në një shkallë shumë më të madhe, u aplikua edhe në Shtetet e Bashkuara. Globalizmi nuk ishte një fenomen lokal apo evropian; ai u kthye në sistem botëror. SHBA, si qendër financiare dhe monetare globale, arritën t’a shtyjnë këtë model ma gjatë se të tjerët. Por mekanizmi themelor mbeti i njëjtë: konsum i lartë, prodhim i zhvendosur dhe një shtet që mbulonte diferencën përmes borxhit të shitur me çmim të favorshëm për blerësit. Ama në momentin që kostoja e borxhit filloi të rritet, kufiri politik i modelit u bë i dukshëm, sepse rritja e interesave nuk është thjesht çështje financiare; ajo përkthehet në presion mbi buxhetin publik, taksat dhe stabilitetin shoqëror.
Banka qendrore mund të ndërhyjë për të blerë kohë, por nuk mund të rikrijojë balancën reale midis prodhimit, konsumit dhe bazës tatimore. Kjo u pa në Itali ma herët dhe po shihet sot në mënyrë më të qartë në SHBA. Edhe sektorë shumë fitimprurës, si IT dhe financa, megjithëse krijuan pasuri të mëdha private, nuk arritën të zgjeronin bazën tatimore në mënyrë proporcionale me barrën që shteti mori përsipër.
Në këtë kontekst, politikat e fundit amerikane, si rikthimi i prodhimit, politikat industriale, selektiviteti në tregti, nuk duhen lexuar si kthim ideologjik apo mbyllje ndaj botës. Ato janë reagim ndaj një kufiri real: pamundësisë për të mbajtur pafundësisht një standard jetese të shkëputur nga baza prodhuese dhe fiskale.
Lokalizmi hibrid i koordinuar, në këtë kuptim, nuk është mohim i globalizmit, por korrigjim i tij. Ai ruan tregtinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, por rikthen rëndësinë e prodhimit real dhe të një baze tatimore të gjerë si themel i stabilitetit demokratik. Ajo që u përjetua fillimisht në Itali dhe më pas në shumë ekonomi të tjera, sot po shfaqet si nevojë strukturore edhe për SHBA-në.
Ky tranzicion nuk është fund i ekonomisë së tregut, por përpjekje për t’a bërë atë sërish të qëndrueshme. Një ekuilibër që, për vende si Shqipëria, është më tepër domosdoshmëri sesa zgjedhje.
