Paketa Fiskale 2027: Kundërshtimet e biznesit dhe pikëpyetjet mbi vendimmarrjen
Lindita Komani
11/11/202612 min read


Paketa Fiskale 2027: Kundërshtimet e biznesit dhe pikëpyetjet mbi vendimmarrjen
Paketa Fiskale 2027 erdhi si rrufeja në qiell proteste. Ndërkohë që rrugët e kryeqytetit janë kthyer në skena dhe dëshmitare të revoltës qytetare dhe kur pritej një reflektim, qeveria vendosi të ndërmarrë një nismë fiskale që dëshmon ngutin e saj dhe një vendimmarrje që duket se kalon nga një gabim te tjetri.
Propozimet e reja kanë shkaktuar reagime të shumta nga organizatat e biznesit në Shqipëri. Investitorët e huaj, prodhuesit, eksportuesit, operatorët turistikë dhe profesionistët kanë ngritur shqetësime për rritjen e barrës tatimore, mungesën e konsultimit dhe ndikimin mbi konkurrueshmërinë dhe investimet. Megjithëse qëndrimet ndryshojnë sipas sektorëve, ato bashkohen rreth disa kërkesave: parashikueshmëri fiskale, respektim të angazhimeve qeveritare, konsultim real, analiza të ndikimit ekonomik dhe trajtim të informalitetit.
Qëndrimet e organizatave të biznesit
Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) kërkon parashikueshmëri fiskale, konsultim të mirëfilltë, analiza ndikimi dhe periudha të përshtatshme tranzitore, duke theksuar rëndësinë e besimit të investitorëve. Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) kundërshton rritjen e barrës mbi bizneset formale, kërkon përparësi për luftën kundër informalitetit dhe vë në pikëpyetje nevojën për taksa shtesë në kushtet e suficitit buxhetor dhe nënrealizimit të shpenzimeve. Confindustria Albania kërkon tërheqjen e rritjeve tatimore dhe respektimin e angazhimeve për stabilitet fiskal, duke ngritur gjithashtu shqetësime për administrimin e financave publike. Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri (HBAA) paralajmëron për pasojat mbi investimet dhe konkurrueshmërinë.
Dhoma Gjermano-Shqiptare e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) kritikon konsultimin e pamjaftueshëm dhe paralajmëron se rritja e taksave dhe ulja e pragut të TVSH-së mund të dobësojnë konkurrueshmërinë rajonale, të kufizojnë investimet, modernizimin e punësimin dhe të vështirësojnë integrimin e furnizuesve shqiptarë në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Krahas kritikave, ajo propozon lehtësime fiskale për automjetet elektrike dhe energjinë elektrike. Dhoma Britanike e Tregtisë (BCCA) thekson rreziqet për sigurinë juridike, kontratat dhe investimet ekzistuese, duke kërkuar rishikimin e rritjes së TVSH-së dhe tatimit mbi dividendin, analiza ndikimi dhe shqyrtimin e një periudhe tranzitore 3–5-vjeçare për ndryshimet strukturore. Dhoma Zvicerane–Shqiptare e Tregtisë (SWISSA) kërkon një politikë fiskale që siguron të ardhura publike pa cenuar fuqinë blerëse, investimet dhe besimin në treg. Ajo ngren gjithashtu shqetësime për trajtimin e dividendëve, kostot e formalizimit të bizneseve të vogla dhe ndikimin e tatimit mbi pagat e larta në tërheqjen e specialistëve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kërkon rishikimin e rritjeve tatimore dhe masa lehtësuese për prodhimin, eksportet dhe investimet. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë dhe ProEksport Albania paralajmërojnë për ndikimin e kostove shtesë mbi konkurrueshmërinë, eksportet dhe punësimin. Shoqata Manifaktura Shqiptare kërkon shqyrtimin e propozimeve të saj për lehtësimin e kostove të punës, amortizimin, trajtimin e fitimit të riinvestuar dhe mbështetjen e investimeve teknologjike. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë kundërshton gjithashtu rritjen e barrës fiskale, duke propozuar kalimin në taksën e sheshtë, ngritjen e pragut të TVSH-së në 15 milionë lekë, uljen e kostove të energjisë dhe karburanteve, si dhe masa kundër informalitetit.
Në sektorin e turizmit, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) dhe Unioni Turistik Shqiptar kundërshtojnë rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10%, duke paralajmëruar për ndikimin mbi çmimet dhe konkurrueshmërinë e destinacionit shqiptar. Unioni Turistik kërkon gjithashtu mbrojtjen e kontratave ekzistuese dhe propozon një normë të unifikuar TVSH-je për shërbimet turistike.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë ngren shqetësime për barrën tatimore dhe administrative. Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) mbështet objektivat e formalizimit dhe drejtësisë fiskale, por kërkon analiza të plota të ndikimit të ndryshimeve të TVSH-së dhe tatimit mbi dividendin, trajtim proporcional të profesioneve të lira dhe masa të qarta tranzitore. Instituti propozon shtyrjen deri më 1 korrik 2027 të zbatimit të pragut të ri të TVSH-së, mbrojtjen e dividendëve që burojnë nga fitimet e realizuara deri në fund të vitit 2026 dhe konsultim profesional gjatë finalizimit të paketës.
Komisioni Europian: Probleme të dokumentuara në mjedisin e biznesit
Në Raportin e Progresit për Shqipërinë, publikuar më 4 nëntor 2026, Komisioni Europian konstaton se konsultimet joefektive gjatë miratimit të legjislacionit, analizat e pamjaftueshme të ndikimit dhe burokracia e tepruar dëmtojnë mjedisin e biznesit. Pasiguria juridike, korrupsioni dhe informaliteti identifikohen gjithashtu si pengesa për investimet.
Raporti evidenton rënien për të tretin vit radhazi të eksporteve të industrisë përpunuese dhe informalitetin në turizëm. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përfaqësonin 82% të punësimit dhe 78.1% të vlerës së shtuar në ekonominë jobujqësore në vitin 2024, çka nënvizon rëndësinë e vlerësimit të ndikimit të politikave fiskale mbi këta sektorë.
Edhe ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, në deklaratën e 5 nëntorit 2026, theksoi se shpejtësia e reformave nuk duhet të cënojë cilësinë dhe gjithëpërfshirjen, duke kërkuar konsultim të mirëfilltë dhe debat të hapur në Kuvend.
Ndonëse këto vlerësime nuk i referohen drejtpërdrejt Paketës Fiskale 2027, ato përkojnë me shqetësimet e organizatave të biznesit për parashikueshmërinë dhe cilësinë e vendimmarrjes.
Biznesi i vogël dhe protestat: një përkim që kërkon shpjegim
Protestat qytetare, të nisura në maj dhe të përshkallëzuara gjatë tetorit 2026, të cilat Komisioni Europian, në Raportin për Shqipërinë, i cilëson si mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik, krijojnë një kontekst të rëndësishëm për të shqyrtuar kohën dhe mënyrën e miratimit të ndryshimeve fiskale. Lidhja ndërmjet protestave dhe këtyre ndryshimeve është veçanërisht e rëndësishme për biznesin e vogël.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm bëri thirrje publike që sipërmarrësit t'i bashkoheshin protestës së 24 tetorit dhe të ulnin qepenat e bizneseve gjatë protestës, në shenjë solidariteti me qytetarët. Katër ditë më vonë, më 28 tetor, qeveria miratoi uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë xhiro vjetore, me efekt nga 1 janari 2027. Sipas relacionit shoqërues të Ministrisë së Financave, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë pritet të përfshijë rreth 17,516 tatimpagues shtesë. Kështu, kjo kategori biznesesh që kishte mbështetur publikisht protestat u përball, brenda pak ditësh, me një ndryshim që zgjeron detyrimet fiskale.
Më 30 tetor, Edvin Prençe, përfaqësues i ProEksport Albania, deklaroi se sipërmarrjes i ishte konfirmuar më parë mungesa e ndryshimeve fiskale. Ndërkohë, sipas raportimit të Monitor mbi Këshillin Tatimor, një përfaqësues qeveritar e lidhi përshpejtimin e disa masave, të parashikuara më parë për vitin 2028, me rrethanat politike.
Qeveria e argumenton uljen e pragut me zgjerimin e bazës tatimore dhe luftën kundër informalitetit, ndërsa rishikimi i tij ishte rekomanduar më parë edhe nga FMN-ja. Megjithatë, mbetet pyetja: pse u përshpejtua vendosja e kësaj mase pikërisht gjatë protestave?
Një paketë e ndryshuar gjatë diskutimeve
Sipas përllogaritjeve fillestare të Monitor, paketa parashikonte rreth 14 miliardë lekë (150 milionë euro) të ardhura shtesë. Ndërsa propozimi për rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% u tërhoq, rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% mbetet në shqyrtim parlamentar. Debati është zgjeruar edhe te mënyra e zbatimit të normës së re për fitimet e viteve të mëparshme, për të cilën Ministria e Financave ka dhënë interpretime të ndryshme, duke shtuar pasigurinë juridike për bizneset. Në shqyrtim mbeten rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% dhe e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10%, krahas uljes së propozuar në 6% për 54 produkte të shportës bazë. Sipas përllogaritjeve të mëparshme të Monitor, paketa e rishikuar parashikonte një efekt neto prej rreth 4 miliardë lekësh (42.3 milionë euro).
Ndryshimet e njëpasnjëshme të propozimeve dëshmojnë ngutin e qeverisë që mund të çojë vetëm në vendime të gabuara. Ato përforcojnë kërkesën për transparencë, konsultim dhe analiza të ndikimit të secilës masë, në vend të vendimmarrjes së përshpejtuar, nga lart-poshtë dhe pa njoftim të mjaftueshëm paraprak.
Taksat e reja përballë administrimit të fondeve publike
Ndërkohë që, sipas përllogaritjeve të Monitor, Paketa Fiskale 2027, pas rishikimeve, pritet të sjellë rreth 42.3 milionë euro të ardhura neto shtesë, lind pyetja: a e justifikon kjo shumë pasigurinë që krijojnë ndryshimet e papritura fiskale për mijëra biznese, planet e tyre të investimit dhe stabilitetin e aktivitetit ekonomik? Kjo pyetje merr peshë të veçantë përballë problematikave të dokumentuara në administrimin e fondeve publike.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 190 auditime në 271 subjekte gjatë vitit 2025 evidentuan 26.2 miliardë lekë dëme ekonomike dhe efekte negative financiare, një shumë mbi gjashtë herë më të lartë se efekti neto i përllogaritur për paketën e rishikuar. Edhe Komisioni Europian evidenton probleme në prokurimet publike: 23.5% e tenderëve në vitin 2025 u zhvilluan me vetëm një ofertues, ndërsa për procedurat me vlerë të lartë kjo përqindje arriti në 29%. Raporti identifikon gjithashtu mangësi në planifikimin dhe zbatimin e investimeve publike.
Këto problematika të administrimit të fondeve publike marrin një kuptim të veçantë përballë shqetësimeve për korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, të shprehura edhe nga Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm në thirrjen e saj për protestën e 24 tetorit. Në reagimin e saj të mëvonshëm ndaj Paketës Fiskale 2027, shoqata kundërshtoi rritjen e barrës tatimore, kërkoi tërheqjen e ndryshimeve dhe paralajmëroi bashkërendimin me organizata të tjera për përshkallëzimin e protestave. Kështu, kundërshtimi i politikës fiskale i shtohet një angazhimi të saj në protestat qytetare ku është ngritur edhe çështja e përgjegjshmërisë së qeverisë.
Qëndrimet e 16 organizatave të biznesit dhe profesioneve, edhe pse të pavarura nga njëra-tjetra, përforcojnë shqetësimet për mënyrën e hartimit të politikës fiskale. Por, përpara se t'u kërkojë qytetarëve dhe bizneseve të paguajnë më shumë taksa, qeveria duhet të japë llogari për administrimin e parave që tashmë mbledh prej tyre. Barra e keqadministrimit dhe e mungesës së masave për përmirësimin e tij nuk mund t'u kalohet taksapaguesve. Aq më pak në një kohë revolte qytetare.
Shtojcë 1: Matricë tematike e qëndrimeve të 16 organizatave të biznesit dhe profesioneve mbi Paketën Fiskale 2027
Tema
Organizatat
Qëndrimet kryesore
1. Konsultimi publik dhe transparenca
FIAA, AmCham, Confindustria, DIHA, BCCA, SWISSA, ATA, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Kritikojnë konsultimin e pamjaftueshëm dhe kërkojnë transparencë, dialog të mirëfilltë dhe kohë për shqyrtimin e ndryshimeve. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm kërkon konsultim me përfaqësuesit realë të sipërmarrjes.
2. Parashikueshmëria fiskale dhe siguria juridike
FIAA, AmCham, Confindustria, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA
Kërkojnë stabilitet fiskal, respektim të angazhimeve dhe mbrojtje të investimeve e kontratave ekzistuese. BCCA thekson pritshmëritë e ligjshme dhe proporcionalitetin.
3. Tatimi mbi dividendin
Confindustria, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Kundërshtime ose shqetësime për rritjen nga 8% në 15%. BCCA trajton fitimet e akumuluara, SWISSA marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë, ndërsa IEKA kërkon mbrojtje tranzitore për fitimet e realizuara deri në fund të vitit 2026.
4. TVSH-ja standarde dhe çmimet
AmCham, Confindustria, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA
Shqetësime për ndikimin e rritjes nga 20% në 21% mbi çmimet, konsumin, fuqinë blerëse dhe kostot. IEKA kërkon analizë të efektit neto dhe kohë për përshtatjen e sistemeve të faturimit.
5. TVSH-ja e akomodimit dhe turizmi
ATA, Unioni Turistik Shqiptar, DIHA, BCCA, SWISSA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Kundërshtime ose shqetësime për rritjen nga 6% në 10%, për shkak të ndikimit mbi çmimet, konkurrueshmërinë dhe kontratat turistike.
6. Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH
DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Shqetësime për kostot administrative dhe likuiditetin e bizneseve të vogla. IEKA propozon shtyrjen e zbatimit deri më 1 korrik 2027, ndërsa Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm kërkon rritjen e pragut në 15 milionë lekë.
7. Investimet dhe konkurrueshmëria rajonale
FIAA, AmCham, Confindustria, HBAA, DIHA, BCCA, SWISSA
Paralajmërojnë për ndikimin mbi investimet dhe konkurrueshmërinë. DIHA veçon integrimin e furnizuesve shqiptarë në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
8. Prodhimi, eksportet dhe punësimi
DIHA, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, ProEksport Albania, Manifaktura Shqiptare
Shqetësime për kostot shtesë, modernizimin, eksportet dhe punësimin; kërkesa për masa mbështetëse për sektorët prodhues.
9. Fuqia blerëse dhe ndikimi social
AmCham, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Kërkojnë vlerësimin e ndikimit mbi konsumatorët. IEKA mbështet uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, por kërkon monitorim të çmimeve; Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm kërkon uljen e TVSH-së për produktet ushqimore.
10. Kapitali njerëzor dhe kostot e punës
DIHA, SWISSA, Manifaktura Shqiptare
Shqetësime për punësimin, kostot e punës dhe mbajtjen e specialistëve. SWISSA trajton veçanërisht tatimin mbi pagat e larta.
11. Informaliteti dhe administrimi tatimor
FIAA, AmCham, BCCA, SWISSA, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Kërkojnë formalizim, konkurrencë të ndershme dhe administrim më efikas. IEKA propozon thjeshtimin e procedurave dhe asistencë për tatimpaguesit e rinj.
12. Analizat e ndikimit ekonomik e social
FIAA, AmCham, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA
Kërkojnë analiza të efekteve mbi investimet, çmimet, punësimin, konsumin dhe sektorët ekonomikë. IEKA propozon edhe vlerësimin e rezultateve pas vitit të parë të zbatimit.
13. Periudhat tranzitore dhe kontratat ekzistuese
FIAA, DIHA, BCCA, SWISSA, IEKA, Unioni Turistik Shqiptar
Kërkojnë kohë për përshtatje dhe mbrojtje të marrëdhënieve ekzistuese. BCCA propozon shqyrtimin e një periudhe 3–5-vjeçare; IEKA shtyrjen e pragut të ri të TVSH-së deri më 1 korrik 2027; Unioni Turistik mbrojtjen e kontratave turistike.
14. Propozime alternative dhe masa sektoriale
DIHA, Manifaktura Shqiptare, Unioni Turistik Shqiptar, IEKA, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
DIHA propozon lehtësime për automjetet elektrike dhe energjinë; Manifaktura masa për punën, amortizimin, riinvestimin dhe teknologjinë; Unioni Turistik TVSH të unifikuar për turizmin; IEKA trajtim proporcional të profesioneve të lira; Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm taksë të sheshtë dhe ulje të çmimeve të energjisë e karburanteve.
15. Justifikimi i rritjes së taksave dhe financat publike
AmCham, Confindustria, BCCA
Kërkojnë argumentimin e nevojës për të ardhura shtesë dhe shqyrtimin e alternativave. AmCham dhe Confindustria ngrenë çështjen e suficitit buxhetor dhe nënrealizimit të shpenzimeve.
16. Modeli i tatimit dhe kostot e energjisë
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Propozon kalimin nga tatimi progresiv në taksën e sheshtë dhe uljen e çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike, si masa për lehtësimin e kostove të biznesit.
17. Mobilizimi dhe protestat e biznesit
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm
Pas thirrjes për pjesëmarrje në protestën e 24 tetorit, shoqata kundërshton Paketën Fiskale 2027 dhe paralajmëron bashkërendim me organizata të tjera dhe përshkallëzim të protestave, përfshirë bllokime rrugësh dhe greva urie.
Shënim metodologjik: Matrica përmbledh qëndrime të pavarura, të cilat nuk përbëjnë domosdoshmërisht konsensus ndërmjet organizatave. Përfshirja e një organizate në një temë nuk nënkupton se ajo mbështet të gjitha propozimet e organizatave të tjera të renditura në të njëjtën kategori.
Shtojcë 2: Deklaratat origjinale të organizatave
1. FIAA – Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri: https://fiaalbania.al/fiaa-statement-on-the-proposed-fiscal-package-2027/
2. AmCham – Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri: https://amcham.com.al/sq/statement-by-the-american-chamber-of-commerce-on-the-2027-fiscal-package/
3. Confindustria Albania: https://confindustriaalbania.it/bozza-del-pacchetto-fiscale-2027-il-governo-mantenga-la-parola-data/
4. HBAA – Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri: https://hbaa.al/deklarate-publike-qendrimi-i-shoqates-se-biznesit-grek-ne-shqiperi-hbaa-mbi-paketen-fiskale-te-propozuar-per-vitin-2027/
5. DIHA – Dhoma Gjermano-Shqiptare e Industrisë dhe Tregtisë: https://diha.al/single-view?cHash=a07a6006832bdd62981138673e91231a&tx_news_pi1%5Baction%5D=detail&tx_news_pi1%5Bcontroller%5D=News&tx_news_pi1%5Bnews%5D=379
6. BCCA – Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri: https://bcca.al/statement-by-the-british-chamber-of-commerce-in-albania-regarding-the-2027-fiscal-package/
7. SWISSA – Dhoma e Tregtisë Zvicerane–Shqiptare: https://swissa.al/deklarate-publike-paketa-fiskale-2027/
8. IEKA – Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar: https://ieka.al/api/media/file/Deklarat%C3%AB%20Publike%20e%20IEKA-s%20mbi%20Paket%C3%ABn%20Fiskale%202027.pdf
9. ATA – Shoqata Shqiptare e Turizmit, qëndrimi i kryetarit Zak Topuzi, publikuar në Facebook: https://www.facebook.com/share/p/18p1y74bre/
10. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë: A2 CNN, 27 tetor 2026 – Deklarata për pezullimin e ndryshimeve fiskale: https://a2news.com/shqiperia/ekonomi/dhoma-e-tregtise-dhe-industrise-tirane-kerkon-pezullimin-e-ndr-i1187925; Ekofin, 9 tetor 2026 – Teksti i plotë i propozimeve të Dhomës: https://ekofin.al/paketa-fiskale-2027-biznesi-kerkon-ulje-te-tvsh-se-dhe-lehtesi-per-prodhimin-e-investimet/
11. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë: Shqiptarja.com, 27 tetor 2026 – Qëndrimi i shoqatës, i përfshirë në raportimin mbi reagimet e biznesit: https://shqiptarja.com/lajm/paketa-fiskale-2027-bizneset-kunder-rritjes-se-taksave-rendohen-sipermarrjet-rrezikohen-vendet-e-punes-dhe-rriten-cmimet-kerkojne-konsultim-me-qeverine?r=kh15
12: Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm: https://www.facebook.com/shoqataebiznesit/posts/1568167688683793/
13. ProEksport Albania: Shqiptarja.com, 27 tetor 2026 – Komunikata e shoqatës dhe kërkesat për industrinë: https://shqiptarja.com/lajm/ku-janw-politikat-mbwshtetwse-shoqata-proeksport-kunder-paketes-fiskale-2027-po-humbasim-vende-pune-qeveria-te-reflektoje
14. Shoqata Manifaktura Shqiptare: Revista Monitor, 28 tetor 2026 – Deklarata kundër Paketës Fiskale: https://monitor.al/shoqata-manifaktura-shqiptare-kunder-paketes-fiskale-shperfill-nevojat-e-prodhimit/; Revista Monitor, 5 shtator 2026 – Gjashtë propozimet konkrete të shoqatës: https://monitor.al/manifaktura-shqiptare-kerkon-6-masa-ne-paketen-fiskale-2027-per-te-ulur-kostot-e-prodhimit/
15. Unioni Turistik Shqiptar: Monitor, 30 tetor 2026 – Unioni Turistik kundër Paketës Fiskale 2027: Taksa më të larta, goditje konkurrueshmërisë: https://monitor.al/unioni-turistik-kunder-paketes-fiskale-2027-taksa-me-te-larta-goditje-konkurrueshmerise/
16. APL – Aleanca e Profesionistëve të Lirë: Ora News, 28 tetor 2026 – Qëndrimi për rritjen e taksave, investimet dhe konkurrueshmërinë: https://oranews.tv/vendi/paketa-fiskale-2027-aleanca-e-profesionisteve-te-lire-kundershton-rritjen-e-taksave-rrezikohen-investimet-dhe-konkurrueshmeria-e-biznesit-i1362745; Ora News, 3 nëntor 2026 – Analiza e zgjeruar për çmimet dhe profesionet e lira: https://oranews.tv/politike/vendi/rritje-cmimesh-dhe-kosto-shtese-per-profesionet-e-lira-apl-analizon-efektet-e-paketes-se-re-i1364391; ACP, 3 nëntor 2026 – Analiza e ndikimit mbi profesionet e lira: https://acp.al/news/31488/rritje-cmimesh-dhe-kosto-shtese-per-profesionet-e-lira-apl-analizon-efektet-e-paketes-se-re/
