Po sikur sipas festes edhe kokën

Iljaz Mehmeti

8/5/20262 min read

Shqiptarët kanë një shprehje të vjetër: “Sipas kokës edhe festen.” që domethënë se në përfundim të një proçesi forma i përshtatet përmbajtjes. Kjo ngjan të ketë ndodhur edhe me ndërtimin e shtetit tonë, ku duket se kemi zgjedhur jo t'a ndërtojmë shtetin që t'i ngrejë standardet e shoqërisë, por t’a ndërtojmë sipas dobësive të saj.

Pak kohë më parë Marta Kos zbuloi “ujin e ngrohtë” dhe deklaroi se Shqipëria mund të ketë ligje të mira, por nëse korrupsioni pranohet nga shoqëria, problemi mbetet. Fjalia, në vetvete, është e vërtetë, por paradoksi lind pikërisht prej saj. Sepse nëse një shoqëri ka vërtet një kulturë të dobët institucionale, një tolerancë më të madhe ndaj korrupsionit dhe një raport problematik me shtetin, atëherë detyra e institucioneve nuk është t'u përshtaten këtyre dobësive. Është t'i kufizojnë ato.

Një shoqëri me prirje klienteliste nuk ka nevojë për një shtet klientelist. Një shoqëri me institucione të brishta nuk ka nevojë për përqendrim edhe më të madh të pushtetit. Një shoqëri që nuk ka krijuar ende kulturën e kontrollit institucional nuk ka nevojë për elemente të theksuara të autokracisë monopartiake. Pikërisht sepse është e dobët dhe jo pavarësisht kësaj. Ky është funksioni historik i shtetit modern. Jo të pasqyrojë shoqërinë, por ta edukojë atë.

Gjatë viteve të fundit filozofia e qeverisjes është shprehur përmes metaforave: Timoni. Bashkëqeverisja. Diella. Besa. Më duket se emrat ndryshojnë, ndërsa mesazhi mbetet. Çdo fazë e re nuk shoqërohet me një reflektim institucional mbi mënyrën si duhet të funksionojë shteti, por me një metaforë të re që ripërkufizon marrëdhënien midis pushtetit dhe qytetarit. Nuk është rastësi që filozofia e qeverisjes është artikuluar përmes metaforave dhe jo përmes një doktrine institucionale. Metafora i flet emocionit; institucioni i flet rregullit. Metafora ndryshon me kohën dhe autorin; institucioni duhet të mbijetojë mbi të dy.

Në demokracitë e konsoliduara, kur një model prodhon probleme, zakonisht rishikohen institucionet. Tek ne shpesh rishkruhet metafora. Paradoksi bëhet kështu edhe më i madh. Nëse pranojmë se problemi qëndron edhe te kultura e shoqërisë, atëherë modeli institucional duhet të jetë antidoti dhe jo vazhdimi i saj me mjete më të sofistikuara.

Do duhej që shteti të mos ishte pasqyrë, por korrigjues. Nuk ndërtohet për t'u përshtatur me dobësitë e shoqërisë, por pikërisht për t'u vendosur kufij atyre. Përndryshe nuk kemi ndërtuar një shtet që e transformon shoqërinë. Ndoshta ka ardhur koha për jo më “sipas kokës edhe festen.”, por ngadalë dhe pa trauma, “sipas festes edhe kokën.”

Insights

Promoting conservative values in economic policy, national security and governance.

Contact

info@albanianconservativeinstitute.org

© 2025. All rights reserved.