Politika si stafetë, jo si sprint
Iljaz Mehmeti
1/27/20263 min read


Në sektorin e prodhimit, fjala efikasitet nuk është slogan, por vijë ndarëse: ose mbijeton, ose falimenton. Pa disiplinë, rregulla të qarta, kontrata që zbatohen, kohë që respektohet dhe rrezik që matet, nuk ka treg, por rentë, ndërmjetësim dhe mbrojtje politike.
Pikërisht sepse në prodhim çdo gabim pasimi ka kosto reale, politikën prirem ta shoh si një garë stafetë, jo si sprint individual.
Në stafetë, vrapimi i shpejtë është i domosdoshëm, por nuk është strategji. Strategjia është të mos e rrëzosh stafetën kur e merr dhe, sidomos, t’ia dorëzosh vrapuesit të duhur, në çastin e duhur, me dorë të sigurt. Nëse vrapon i shfrenuar dhe gabon pasimin, humb. Nëse e mban stafetën, humb. Nëse merresh vetëm me kundërshtarin dhe harron kronometrin, humb.
Sot, opozita në Shqipëri po vrapon. Opozita dhe protesta ndaj regjimit janë pjesë e garës. Por është një garë me rrezik të lartë nëse mungon strategjia e pasimit.
Sepse koha ka ndryshuar.
Nuk jemi më në epokën kur mjaftonte të thuhej “Europë, demokraci, reforma” dhe të pritej që dikush tjetër të vendoste rregull. Sot, në qasjen amerikane ndaj Ballkanit, çështja nuk është perfeksioni institucional. Është funksionaliteti: shtete të parashikueshme, rregulla që zbatohen, siguri dhe ekonomi që prodhon vlerë reale. Jo më vetëm fjalë, por instrumente dhe detyrime.
Këtu hyn logjika MAGA, e cila në Shqipëri po lexohet gabim.
MAGA nuk është intervencioniste në punët e brendshme apo konfliktet politike. Nuk vjen të ndajë të drejtën mes palëve, nuk vjen të shpërndajë revanshe, nuk vjen të rehabilitojë elita vetëm sepse janë “mike”. Mendon ftohtë: rend, rregull, efikasitet, siguri; treg real, jo treg i mbrojtur; shtet i fortë në zbatim, jo shtet që negocion përjashtime.
Prandaj pyetja nuk është: kush është kundër Ramës? Pyetja është: kush di ta mbajë stafetën pa e rrëzuar?
Këtu, në këndvështrimin tim, shfaqet mosveprimi i opozitës. Në variantin “më të mirë”, ajo shpreson te revanshi: na izoluan, na trajtuan keq, prandaj dikush tjetër do të na rikthejë nderin. Ky është lexim emocional, jo strategjik.
Në variantin “më të keq”, lidershipi merret me punët e brendshme, duke i ngatërruar ato me fatin e vendit. Si sipërmarrës, këtu kam vijën e kuqe: nuk mjafton të jesh opozitë. Duhet të jesh i investueshëm.
Problemi i vendit është i thellë: prodhimi nuk lind, sepse ekonomia është ndërtuar në dobi të joprodhimit, ndërtim, rentë, ndërmjetësim, akses politik. Në këtë mjedis, meritokracia nuk është vetëm e padrejtë; është antiekonomike. Suksesi nuk matet me efikasitet, por me mbulim. Rreziku nuk menaxhohet me ligj, por me lidhje.
Kjo përplaset drejtpërdrejt me qasjen amerikane, e sidomos me logjikën MAGA: pa një drejtësi të besueshme, kapitali prodhues nuk hyn. Pa kapital prodhues, ekonomia mbetet e varur, me produktivitet të ulët, e “menaxhuar”, por kurrë e transformuar.
Nëse opozita dëshiron të jetë vrapuesi i segmentit tjetër, duhet të ndalë së foluri vetëm për kundërshtarin dhe të nisë të flasë për pasimin e stafetës drejt ciklit që vjen. Jo ta marrë nga dora e administruesve të status quo-së, qoftë edhe në Europë, por nga vrapuesi dominues i sotëm dhe i viteve që vijnë: një Perëndim më i ftohtë, më selektiv, i orientuar nga efiçenca dhe siguria.
Këtu hyn ideja më e zgjuar dhe më patriotike në mendimin tim: ridimensionimi i rolit të liderit historik të së djathtës, Sali Berisha, duke mbetur figurë garancie politike dhe institucionale e tranzicionit, jo thjesht kandidati i tij.
Kjo ruan kapitalin e tij dhe i shërben vendit, sepse thyen duelin e përhershëm dhe e bën të besueshëm një tranzicion pa trauma.
Atëherë opozita mund të vetëofrohet si mbartëse e stafetës, jo me slogane, por me një platformë të qartë:
– ekonomi tregu reale, prodhuese, jo rentiere;
– rend dhe siguri, përfshirë edhe sigurinë kibernetike;
– drejtësi si infrastrukturë e tregut, jo armë revanshi;
– kulturë e mbështetur te familja dhe konservatorizmi si rend shoqëror, jo histeri identitare.
Si prodhues, politikës i besoj vetëm kur flet gjuhën e realitetit: rregulla, rrezik, kohë, pasoja. Stafeta fitohet kështu: jo duke vrapuar kundër dikujt, por duke vrapuar drejt një caku të matshëm dhe duke e dorëzuar stafetën pa e rrëzuar.
Sot, si dje, caku është i qartë: të bëhemi më në fund një vend ku prodhimi mund të lindë, sepse ligji qëndron dhe tregu shpërblen efikasitetin.
