PRESIDENTI RUGOVA NË SHTYPIN E HUAJ: Për statusin e Kosovës dhe qëndresën popullore, bashkimin me Shqipërinë dhe marrëdhëniet me fqinjët
Punimi i mëposhtëm i zonjës Lindita Komani është pjesë e botimit të fondacionit Rugova me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Presidentit Ibrahim Rugova, me titull Rugova, Prijësi Intelektual, realizuar nën kujdesin e shkrimtarit e veprimtarit Ndue Ukaj.
Lindita Komani
1/27/202522 min read


Hyrje
Njëzetepesë vjet pas luftës së Kosovës, pra njëzetepesë vjet më të mençur, askush nuk do të guxonte të shprehej sot që çlirimi i Kosovës dhe pavarësimi i saj do të kishin ndodhur pa bashkëveprimin, ndonëse jo harmonik, mes krahut që zgjodhi përballjen me serbët në rrugën paqësore dhe krahut që zgjodhi përballjen e armatosur. Përfaqësuesi kryesor i rrugës së parë ishte Presidenti Rugova, një intelektual të cilit shqiptarët në Kosovë i dhanë votëbesim absolut përgjatë gjithë rrugëtimit të tij në politikë. Një pjesë me të drejtë e quajnë baba të shtetit të Kosovës.
Si shqiptare që origjina e çon në të dy anët e kufirit, me traditë familjare për luftë me pushkë e penë për lirinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar, e kam ndjekur gjithmonë me vëmendje çdo lajm që vinte nga Kosova qysh kur isha fëmijë. Jam mbesa e kolonel Qazim Komanit, Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në periudhën Nëntor 1943 - Tetor 1944, i dënuar nga gjyqet jugosllave në vitin 1946 dhe vdekur në burgun e Sremska Mitrovicës në 1950 si dhe vajza e inxhinier Sokol Komanit, ish-këshilltar i kryeministrit Aleksandër Meksi në qeverinë e parë demokratike në Shqipëri në vitet 1992-1997 dhe bashkëkryetar i Komisionit të Koordinimit Ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës (nga ana e Kosovës bashkëkryetar ishte Isa Mustafa) në periudhën 1995-1996, i krijuar me vendim të përbashkët të presidentëve Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova.
Shpesh lajmet nga Kosova na vinin në shtëpi nga im atë, nga kushërinj e të njohur që na vizitonin në shtëpi, e sigurisht përmes lajmeve në media shqiptare apo të huaja. Me largimin tim nga Shqipëria për studime, burimi kryesor dhe i përditshëm i lajmeve nga Kosova befas ishte vetëm një, mediat e shkruara ndërkombëtare. Interneti kishte pak kohë që ishte kthyer në mjetin përmes së cilit bota mund të ndërlidhej më shpejt dhe mediat ndërkombëtare ishin të gjitha të pranishme aty. Ishte pikërisht viti 1998 kur përballja në Kosovë po rritej dhe po shkaktonte humbjet e para të rëndësishme në njerëz. Vëmendja po kthehej nga njerëzit e luftës dhe kjo reflektohej edhe në raportimet në media. E dëshmojnë këtë sot edhe revista që i kam ruajtur nga ajo kohë. Për njerëzit e paqes të cilët për gati dhjetë vite i kishin dhënë një fytyrë publike në arenën ndërkombëtare përpjekjeve të Kosovës për liri, dukej sikur koha kishte shkuar. Megjithatë, sikurse ndodh pas çdo lufte, koha e njerëzve të paqes do të vinte sërish, ndonëse në rrethanat e reja, kur edhe njerëzit e luftës do të angazhoheshin për ngritjen e Kosovës së lirë në paqe. Kjo do të ndryshonte konstelacionin politik, i cili deri atëherë kishte qenë absolut për LDK dhe për Presidentin Rugova. Pavarësisht se ç’ndodhte në Kosovë ndërkohë, në nivel ndërkombëtar imazhi i Kosovës, për sa kohë që Presidenti Rugova ishte ende në jetë, ishte i përcaktuar nga prania e tij, nga siguria e qetësia e tij, nga paqja që përcillte ai si me pamjen ashtu edhe me fjalën e veprën. Presidenti Rugova ishte zëri dhe imazhi i Kosovës. Ai komentohej, mbështetej e çmohej nga ata që nuk dinin shqip e as nuk i njihnin shqiptarët e Kosovës, por të cilët ndesheshin me intervistat e Presidentit Rugova që ndihmonin që dhimbja e popullit shqiptar të përcillej në mençurinë, ngrohtësinë dhe përulësinë që nevojitej e të cilën mund ta kishte vetëm një intelektual dhe diplomat i kalibrit të lartë. Shqiptarët e Kosovës përmes figurës së Presidentit Rugova si drejtues dhe zëdhënës i lëvizjes së tyre paqësore, jo vetëm që kishin fituar simpati në nivel ndërkombëtar por po pasuronin skenën politike me një model të panjohur deri atëherë në Europë. Një pjesë e këtyre intervistave me Presidentin Rugova në organe të ndryshme mediatike europiane, u bënë bazë për këtë shkrim, i cili ka për qëllim të sjellë në vëmendje evoluimin e përfaqësimit politik që ai ka zhvilluar për Kosovën, veçanërisht qëndrimit të tij lidhur me statusin e Kosovës, bashkimin e saj të mundshëm me Shqipërinë dhe vizionin për marrëdhëniet me fqinjët. E gjej me vend këtë vëmendje sepse hera-herës trajtohet në mënyrë kritike qëndrimi që ka pasur Presidenti Rugova për secilën nga këto tema. E gjej me vend gjithashtu sepse kanë kaluar ndërkohë 16 vjet nga pavarësia e Kosovës dhe ka ardhur pikërisht ajo e ardhme në të cilën Presidenti Rugova parashikonte që shqiptarët do të diskutonin për bashkimin e bashkimi do të mund të ndodhte. Ndonëse do të ishte i nevojshëm një hulumtim më i thelluar në arkivën e mediave ndërkombëtare, në vijim do të parashtrohen rezultatet e kërkimit në arkivën e disa organeve të rëndësishme mediatike, mes të cilave shquhet revista Der Spiegel, e cila i ka dhënë një hapësirë të madhe Presidentit Rugova me revista të realizuara që prej vitit 1989 deri në vitin 2005.
Statusi i Kosovës
Në karrierën e tij politike, Presidenti Rugova vazhdimisht ka pasur një qëndrim të qartë për pavarësinë e Kosovës dhe për qëndresën që duhej bërë për arritjen e saj.
Në vitin 1993, tashmë prej më shumë se tre vitesh në politikë dhe president i zgjedhur me pothuajse të gjitha votat e mundshme, Rugova shprehej se për t’u kthyer tek një autonomi e gjerë e Kosovës sikurse e garantonte kushtetuta jugosllave e vitit 1974 “është shumë vonë. Përmes një referendum mbi pavarësinë ne kemi dalë nga Federata Jugosllave. Në kuadër të Jugosllavisë së Madhe autonomia do të mund të kishte pasur kuptim. Tani faktikisht mbetemi vetëm me serbët dhe për fat të keq neve na është dashur të kemi përvoja shumë të dhimbshme me të gjitha qeveritë serbe (Intervistë me Die Tageszeitung, “Ich bin ein Halbgefangener - Unë jam një gjysëm i burgosur”, 7 Prill 1993).
Në vitin 1999, në valën e përballjes së armatosur të NATO- s dhe UÇK-së me forcat serbe, Presidenti Rugova shfaqej i sigurtë për atë që do të vinte pas luftës: “Do të ketë një konferencë ndërkombëtare, e cila duhet të pranojë vullnetin e popullit tone për pavarësi. Në këtë kohë ne do të arrijmë legjitimitet ndërkombëtar dhe do të kontrollojmë territorin e Kosovës. Më pas Serbisë do t’i duhet të vrasë mendjen mirë nëse do të rrezikojë një tjetër aventurë lufte, sepse ne do të jemi më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht (Intervistë me Der Spiegel, “Alles auf einer Karte - Gjithçka në një kartë”, 4 Prill 1999). Një fije shprese madje ekzistonte që pavarësia t'i njihej Kosovës që gjatë luftës, nëse Millosheviçi nuk do të dorëzohej. Sikurse shprehej Rugova po në këtë intervistë, “e drejta ndërkombëtare e lejon një zgjidhje të tillë. Ne shqiptarët në Kosovë jemi në pikën zero, pa mbrojtje për shtëpitë e banesat tona. Neve na mbetet vetëm principi shpresë.”
Menjëherë në mbyllje të luftës, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për çfarë duhet të ndodhte pas zgjedhjeve të para të pasluftës: “Më pas përgjegjësitë do të kalojnë tek qeveria e zgjedhur e Kosovës - krejtësisht e pavarur nga Beogradi. Kufijtë me Maqedoninë dhe Shqipërinë, edhe në të ardhmen do të kontrollohen nga KFOR-i, pra jo nga ushtria jugosllave” (Intervistë me Der Spiegel, “Die Vorstufe zur Unabhängigkeit - Hapi paraprak drejt pavarësisë”, 8 gusht 1999). Gjithashtu ai vlerësonte se “asnjëherë në histori shqiptarët e Kosovës nuk kanë qenë kaq afër lirisë së tyre. Pa NATO-n dhe aleatët që na kanë ndihmuar, kjo nuk do të kishte qenë kurrë e mundur. Prania ndërkombëtare është shumë e rëndësishme për të qetësuar situatën. Por pas një periudhe tranzitore prej dy-tre vitesh, populli do të mund të vendosë përmes një referendumi për të ardhmen dhe pavarësinë” (Intervistë me Liberation, “L’UCK ne peut pas gérer seule - UÇK-ja nuk mund të drejtojë vetëm, 13 gusht 1999).
Në vijim, Presidenti Rugova arrinte të shihte lehtësisht përtej Rezolutës 1244 të OKB-së, duke u shprehur se “ky ishte një kompromis i madh që t’i jepnim fund luftës. Por në të nuk përjashtohet një pavarësim i Kosovës në të ardhmen. Për këtë dyert janë të hapura. Çdo gjë tjetër përveç pavarësisë është e pamendueshme për ne.” (Intervistë me Der Spiegel, “Wir sind ein geteiltes Volk - Ne jemi një popull i ndarë”, 16 prill 2000).
Disa vite më vonë, kur manovra të llojeve të ndryshme po zhvilloheshin në arenën ndërkombëtare për ta shtyrë zgjidhjen e statusit të Kosovës, ose për ta vështirësuar rrugën drejt pavarësisë, qëndrimi i Presidentit Rugova vijonte të ishte i palëkundur. Në kohën kur një plan me katër hapa ishte hedhur për shqyrtim nga think tank-u Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin, presidenti Rugova shprehej se nuk do ta modifikonte qëndrimin e tij dhe se ai insistonte në njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës nga BE dhe SHBA. “Kjo do t’i sillte stabilitet kësaj pjese të Europës dhe shoqërisë kosovare. Pavarësia e Kosovës do të stabilizojë Maqedoninë ku ka një bashkësi të madhe shqiptare, sikurse edhe Shqipërinë, Malin e Zi, madje edhe Serbinë” (Intervistë me Die Presse, “Im Kosovo ist die Zeit des Hasses vorüber - Në Kosovë ka kaluar koha e urrejtjes”, 30 prill 2005). Po aty, ai vijonte: “Bashkësia ndërkombëtare do të vlerësojë fillimisht nëse i përmbushim standardet e nevojshme dhe atëherë do të trajtohet çështja sesi do të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës. Nuk do t’i pengojmë partnerët ndërkombëtarë në këtë gjë. Por unë insistoj në njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës, sepse është alternativa më e mirë.” Planin me katër hapa ai po aty e trajtonte si diçka që “vetëm se e komplikon çështjen. Ne jemi prej gjashtë vitesh në fazën e një statusi të përkohshëm. Nëse në kuadër të negociatave statusi i Kosovës fillimisht mbetet i hapur, kjo do t’u jepte vetëm fqinjëve tanë mundësinë për manipulime.”
Me interes është të theksohet se pavarësisht divergjencave ndër vite, që ende vijojnë në mes partive politike në Kosovë, por kjo vetëm për arsye të pushtetit dhe përpjekjeve që realizohen për marrjen e tij përmes zgjedhjeve, në vitin 2005, partitë politike në Kosovë kishin një qëndrim tërësisht të unifikuar sa i përket pavarësisë së Kosovës. Lidhur me këtë, presidenti Rugova shprehej: “Platforma e përbashkët e të gjitha partive është pavarësia. Për këtë jemi të gjithë në një mendje. Nëse do të ketë bisedime për statusin, opozita do të jetë pjesë e tyre. Sigurisht bisedimet do të drejtohen nga institucionet ligjore të Kosovës” (Intervistë me Die Presse, “Im Kosovo ist die Zeit des Hasses vorüber - Në Kosovë ka kaluar koha e urrejtjes”, 30 prill 2005).
Qëndresa popullore
Qëndresa që intelektuali, studiuesi, shkrimtari e më pas presidenti i zgjedhur Ibrahim Rugova kishte zgjedhur të përfaqë- sonte në vitet ’90 ishte ajo paqësore. Kjo lloj qëndrese për të dhe shkrimtarë, studiues e intelektualë të tjerë kishte nisur që në momentin kur tensionet etnike kishin nisur me sulmet ndaj Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, organizuar nga shkrimtarë serbë si Bulatovic, Draskovic dhe Cosic, sulme të cilat më vonë ata i kishin drejtuar edhe ndaj kroatëve e popujve të tjerë në Jugosllaci (Intervistë marrë në fillim të viteve ’90, botuar në Le Monde, “Les racines de la terreur et de la guerre - Rrënjët e terrorit dhe luftës, 31 mars 1999). Sipas Rugovës po në këtë intervistë, “ka pasur një dukuri të identifikimit me intelektualët shqiptarë. Nuk ishte ‘e organizuar’, ishte e pamundur kjo, për shkak se në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, ne e kishim të pamundur që të ishim pjesë grupesh. Aparati komunist ishte shumë i fuqishëm. Por populli shqiptar ishte shumë i fortë përbrenda, në heshtje, jo publikisht.” Ky lloj qëndrimi në masë i shqiptarëve ishte ai që përcaktoi sjelljen e tyre në vitet ’90, vendosmërinë për të pasur qeverinë në ekzil e për të zhvilluar mësimin në gjuhën shqipe në shkollat private, një zhvillim që në distancë kohore është vërtet mbresëlënës, prekës e që vetëm se ta shton vlerësimin dhe adhurimin për popullin tonë.
Paralelisht me qëndrimin paqësor që përfaqësohej nga Rugova, po zhvillohej qëndrimi që parashikonte edhe shkëmbime të përgjakshme dhe po përgatiste gradualisht qëndresën ushtarake të popullit të Kosovës. Në kohën kur ende fliste si shkrimtar e kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, pa mandat politik, Rugova bënte një vlerësim për atë që vlonte brenda popullit shqiptar që dëshmonte edhe qëndrimin e tij. Nga njëra anë ai shprehej se “njerëzit nuk shohin tjetër rrugë. Në protesta është gjithmonë kështu: Kur ato nuk arrijnë të bëjnë jehonë, atëherë njerëzit duhet të bërtasin më fort.” (Intervistë me Der Spiegel, “Die Serben kommen als Rächer wieder - Serbët kthehen si hakmarrës”, 25 qershor 1989). Dhe vijonte duke shtuar se “nëse Serbia vazhdon të përpiqet që të shtypë identitetin tonë kombëtar, atëherë do të ketë kryengritje. Mundem vetëm t’i paralajmëroj serbët: Edhe ata janë një popull i vogël. Sa herë që në të shkuarën një popull i vogël është përpjekur që të kthehet në fuqi kryesore në Ballkan, kjo përpjekje ka përfunduar në tragjedi për atë vetë.” Nga ana tjetër ai i druhej të shtënave që mund të lëshoheshin nga shqiptarët. Ai shprehej po aty se kishte përshtypjen “që ka forca në Jugosllavi që dëshirojnë që të ketë aksione terroriste në Kosovë. Kur tek ne ka të shtëna, kjo shërben si justifikim për të përforcuar represionin. Dhe nëse rezistenca e shqiptarëve kundër hegjemonisë serbe denoncohet jashtë si terrorizëm atëherë mund të pritet që simpatia ndërkombëtare për çështjen tonë të zhbëhet shpejt. Ju mundet ta logjikoni vetë se kush spekulon kështu.”
Në vitin 1993, Ibrahim Rugova, tashmë president i zgjedhur me pothuajse të gjitha votat e mundshme nga populli, shprehej në intervistën me Die Tageszeitung (“Ich bin ein Halbgefangener - Unë jam një gjysëm i burgosur”, 7 prill 1993) se e shihte të pamundur një rezistencë të armatosur, vinte në pah që situata ishte radikalizuar dhe që kishte nga ata që kritikonin lëvizjen paqësore të drejtuar prej tij dhe kërkonin ribashkim me Shqipërinë. Në vëzhgimin e tij, këta njerëz, të cilët ai në intervistë i cilësonte si ekstremistë, po merrnin mbështetje në Kosovë, por ai nuk shihte që ata të kishin ndonjë shans. Për vitin 1993 ky gjykim për pamundësinë e rezistencës së armatosur nuk ishte i tepruar, sepse u deshën edhe gjashtë vjet përgatitje, me ndihmën e madhe të Shqipërisë dhe përfshirjen madhore të forcave të NATO-s, që Kosova të mund të mbrohej me të vërtetë. Rolin e Shqipërisë për një mbështetje të mundshme ushtarake për Kosovën, presidenti Rugova e bënte me dije që në intervistën e fillimviteve ’90, botuar në Le Monde (“Les racines de la terreur et de la guerre - Rrënjët e terrorit dhe luftës”, 31 mars 1999), kur shprehej se në rast se serbët do të provokonin konflikt, Shqipëria do të përfshihej për të mbrojtur Kosovën.
Realiteti i përballjeve të armatosura duke nisur nga viti 1997, në rritje në vitin 1998 e sidomos në vitin 1999, ndryshoi edhe përqasjen e Presidentit Rugova ndaj kësaj teme në intervistat me shtypin e huaj. I vënë përballë pohimit të Der Spiegel se përmes përballjes radikale kundër Serbisë, UÇK kishte shkundur komunitetin ndërkombëtar, ndërkohë që rezistenca paqësore dhjetëvjeçare e tij nuk kishte pasur ndonjë rezultat, ai shprehej se ishte e vërtetë që UÇK-ja kishte pasur arritje shumë më të shpejta, “por kjo ka ndodhur në mënyrë tragjike. Ndërsa unë kërkoja zgjidhje në mënyrë paqësore, Perëndimi e harroi problemin e Kosovës. Na ishin lutur në fillim për vetëpërmbajtje dhe na kishin premtuar që më vonë do ta zgjidhnin problemin. Më pas na harruan” (Intervistë me Der Spiegel, “Alles auf einer Karte - Gjithçka në një kartë”, 4 prill 1999). Po aty kuptohej se mes tij dhe UÇK ekzistonte nje lloj hendeku që nuk ishte lehtësisht i kalueshëm. Ndërkohë që shprehej se shumica e ushtarëve të UÇK-së i pranonin vendimet e tij, Presidenti Rugova theksonte se “në krye [të UÇK-së] ndodhen struktura të përziera me ideologji të ndryshme dhe probleme të mëdha koordinimi. Është e vështirë që të binden për bashkëpunim.” Në kushtet e mbizotërimit të luftës, ai shtonte se e shihte si luks të panevojshëm krijimin e një qeverie.
Situata shfaqej ndryshe pas përfundimit të luftës. Tensioni mes krahut të njerëzve që kërkonin rrugën paqësore dhe krahut që u angazhua në përballje ushtarake ishte shtuar dhe çështja se kush do ta drejtonte Kosovën pas luftës ishte shumë e prekshme. Në një intervistë në gusht 1999, Presidenti Rugova shprehej: “Në Ballkan, lufta politike shpesh përfundon në luftë fizike. Populli ynë ka natyrë paqësore dhe preferon një drejtues të qetë dhe konstant në pozicionet e tij. Kjo është arsyeja se pse unë asnjëherë nuk dua të hyj në polemika” (Intervistë me Liberation, “L’UCK ne peut pas gérer seule - UÇK-ja nuk mund të drejtojë vetëm”, 13 gusht 1999).
Në vetëm një nga intervistat e mëvonshme të siguruara për këtë shkrim, Presidenti Rugova mban qëndrim lidhur me qëndresën e armatosur që ende mund të nevojitet nëse bashkësia ndër- kombëtare do të insistonte në integrimin e Kosovës në Jugosllavi. Presidenti Rugova shprehej rreptë që kjo gjë nuk është e mundur: “Atëherë do të niste lufta tjetër. Ne gjithë, populli i Kosovës do të shkonte në barrikada. Dhe gjithashtu ka edhe rrethe politike në Kosovë që kërkojnë: Të gjithë shqiptarët në një shtet. Në Maqedoni... në Mal të Zi. Ne jemi një popull i ndarë” (Intervistë me Der Spiegel me titull “Wir sind ein geteiltes Volk - Ne jemi një popull i ndarë”, 16 prill 2000). Ky qëndrim tregon jo vetëm një evoluim logjik të kalimit nga ideja e qëndresës paqësore tek ideja e një qëndrese të kombinuar paqësore dhe të armatosur, por mendoj se tregon të vërtetën e qëndrimit të Presidentit Rugova që në fillesën e rrugëtimit të tij si politikan. Në kushtet kur Kosova nuk kishte as edhe një mundësi reale ushtarake për të pasur qëndresë të armatosur përballë serbëve, e vetmja gjë që mund të ngrinte vëmendje ndërkombëtare, pa çuar në vrasjen e shqiptarëve në përballje të pabarabarta ushtarake, ishte qëndresa paqësore, ndërkohë që në prapaskenë edhe Kosova përgatitej për luftë. Mendoj që studimet në të ardhmen do të hedhin më shumë dritë në këtë temë.
Bashkimi me Shqipërinë
Tema e bashkimit me Shqipërinë ka qenë e pranishme në intervistat e Presidentit Rugova me media të ndryshme ndërkombëtare. Në një pjesë të tyre, tema e bashkimit përdoret si masë kërcënuese ndaj atyre shteteve që mund të ishin kundër pavarësisë e në disa prej tyre lihet një mundësi e hapur që bashkimi mund të ndodhë në një të ardhme.
Pikënisja ishte ndryshe. Sa ende pa u formuar LDK dhe pa e nisur karrierën politike, Rugova shprehej se akuza serbe sipas së cilës Kosova po përpiqej për më shumë autonomi që t’i bashkohej Republikës Popullore të Shqipërisë ishte “një përrallë e vjetër propagandistike. Shumica e shqiptarëve e ka pranuar plotësisht përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në Federatën Jugosllave. Por nëse shtypja do të vazhdojë, populli do të kërkojë një rrugëdalje.” Kjo rrugëdalje sipas tij ishte “Ose për nga Shqipëria, ose në drejtim tjetër. Në kohën e Rankoviçit me qindra mijëra shqiptarë u arratisën për në Turqi. Që prej vitit 1981, 250.000 shqiptarë kanë lënë atdheun e tyre dhe jetojnë si emigrantë në Perëndim ose në republika të tjera të Jugosllavisë” (Der Spiegel, “Die Serben kommen als Rächer wieder - Serbët kthehen si hakmarrës, 25 qershor 1989).
Në vitin 1993, i pyetur nëse qëllimi më vonë ishte bashkimi me Shqipërinë, Presidenti Rugova përgjigjej: “Ne propozojmë pavarësinë dhe neutralitetin e garantuar të Kosovës. Kjo nënkupton heqje dorë nga bashkimi me Shqipërinë” (Intervistë me Die Tageszeitung, “Ich bin ein Halbgefangener - Unë jam një gjysëm i burgosur”, 7 prill 1993).
Narrativa ndryshoi pas çlirimit të Kosovës. Iu hap rruga qoftë edhe në parim idesë që bashkimi mund të ndodhë në të ardhmen. Konkretisht, në gusht 1999, pra menjëherë pas përfundimit të luftës, duke iu referuar zhvillimeve që mund të vinin me marrjen në dorë të territorit të Kosovës nga KFOR-i, Der Spiegel shprehej se kështu dukej se bashkimin me Shqipërinë nuk e pengonte asgjë. Presidenti Rugova përgjigjej: “Për këtë duhet të vendosë populli në të ardhmen përmes një referendum. Por bashkime ekonomike dhe doganore me shtete të tjera do të nisin shumë shpejt, pas konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare” (Intervistë me Der Spiegel, “Die Vorstufe zur Unabhängigkeit - Hapi paraprak drejt pavarësisë”, 8 gusht 1999). Në vitin 2000, pas kërcënimeve të Presidentit Rugova se në rast moslejimi të pavarësimit shqiptarët mund të ndiqnin atë që shprehej në rrethe politike se të gjithë shqiptarët duhet të jenë në një shtet, sepse jemi një popull i ndarë, Der Spiegel pyeste nëse ky do të ishte një hap drejt Shqipërisë së Madhe. Presidenti Rugova përgjigjej: “Një konfederatë me Shqipërinë është një çështje e së ardhmes. Tani për tani populli në Kosovë interesohet vetëm për një shtet të pavarur.” (Intervistë me Der Spiegel, “Wir sind ein geteiltes Volk - Ne jemi një popull i ndarë”, 16 prill 2000).
Marrëdhëniet me fqinjët
Edhe tema e marrëdhënieve me fqinjët ceket në intervistat, ndonëse nuk ka atë peshë si temat e tjera të lartpërmendura. Presidenti Rugova përcillte për publikun ndërkombëtar mesazhin që në Ballkan jemi të gjithë popuj të vegjël, me numër të krahasueshëm popullsie e kjo duhet pasur parasysh në mënyrën sesi ndërtohen marrëdhëniet rajonale.
Në fillim të viteve ’90 ai shprehej: “... atje, ne jemi të gjithë të vegjël. Edhe serbët gjithashtu. Ka gjashtë ose shtatë milionë shqiptarë, gjashtë ose shtatë milionë serbë, nëntë milionë bullgarë, dhjetë milionë grekë. Duhet të kuptojmë që ne të gjithë jemi të vegjël, duhet bashkëpunuar, të jemi miq nesër, të integrohemi, secili aty ku ndodhet. Nuk është një tragjedi. Nesër do të arrijmë ta bëjmë të funksionojë marrëdhënien me serbët. Dhe nëse kjo ndodh, Kosova do të ecë shumë” (Intervistë marrë në fillim të viteve ’90, botuar në Le Monde, “Les racines de la terreur et de la guerre, 31 mars 1999). Po në këtë linjë shprehej ai edhe pas luftës, duke iu përgjigjur Der Spiegel që sillte në vëmendje faktin që pas disa dekadash shqiptarët mund të jenë populli më i madh në Ballkan dhe kjo gjë shkaktonte frikë tek faktorë të ndryshëm: “Ky zhvillim është i mundshëm. Por nuk duhet të jetë kërcënim për popuj të tjerë në Ballkan. Sapo të jemi të pavarur, do të jetojmë secili në shtëpinë e tij - si miq, bashkë me fqinjët serbë. Përveç kësaj, zhvillimi ekonomik do ta zbusë edhe normën tonë të lartë të lindjeve” (Intervistë me Der Spiegel, “Wir sind ein geteiltes Volk - Ne jemi një popull i ndarë”, 16 prill 2000).
Në vitin 1999, Presidenti Rugova bënte të ditur se Kosova dhe ai personalisht e kishin forcën që të ndikonin zhvillimet e brendshme në Maqedoni dhe sesi gjatë luftës ashtu edhe në vijim të saj, do të ndodhte ky ndikim. Ai shprehej: “Kemi rënë dakord me miqtë tanë shqiptarë në Maqedoni që të mos bëjnë provokime, për aq kohë sa Kosova ka shans për pavarësim. Sepse atëherë jemi ne që do ta kontrollojmë kufirin me Maqedoninë dhe do të angazhohemi për të drejtat politike të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët përbëjnë përafërsisht 40 përqind të popullit. Do të kujdesemi që shqiptarët në Maqedoni të mos trajtohen më si minoritet. Por Shkupi nuk duhet të ketë frikë nga refugjatët tanë. Të gjithë ata do të kthehen në Kosovë” Intervistë me Der Spiegel, “Alles auf einer Karte - Gjithçka në një kartë”, 4 Prill 1999). Mbetet për t’u mësuar në të ardhmen nëse dhe sesi ka ndikuar vërtet Presidenti Rugova, Kosova dhe gjithashtu edhe Shqipëria në zhvillimet në Maqedoni që çuan drejt Marrëveshjes së Ohrit dhe përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve aty.
Një temë tjetër që është sot aktuale dhe është cekur edhe në një nga këto intervista është edhe ajo e shqiptarëve në Serbinë jugore. Në rrethanat e kohës është e kuptueshme përgjigja e Presidentit Rugova, i pyetur në vitin 2003 nga Corriere della sesi do të sillej Kosova e pavarur me kufijtë dhe nëse asaj do t’i bashkoheshin shqiptarët në Serbinë jugore. Presidenti Rugova përgjigjej: “Kufijtë? Jo, janë të paprekshëm. Nëse do t’i preknim, do të rinisnin kontestime në gjithë Ballkanin.”
Trashëgimia Rugova dhe si mund të ndihmojë ajo në ditët e sotme
Prej 21 janarit 2006 kur Presidenti Rugova ndërroi jetë ka pasur disa zhvillime që vlejnë të përmenden, sepse ato përcaktojnë të tashmen e Kosovës dhe përbëjnë një bazë të rëndësishme mbi të cilën duhet të vendoset për të ardhmen.
Kosova shpalli pavarësinë e cila sot njihet nga 117 shtete të botës. Në tre vitet e fundit nuk ka pasur njohje të tjera, pas asaj të fundit që ishte nga Izraeli në vitin 2021, por në vitin 2024 ka pasur dy zhvillime me rëndësi. Së pari, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës rekomandoi anëtarësimin e Kosovës si anëtare e këtij këshilli. Finalizimi ende nuk ka ndodhur, por kjo ishte një arritje e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës për njohje ndërkombëtare. Së dyti, që prej 1 janarit 2024, Kosovës iu mundësua liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian që ishte një zhvillim i shumëpritur. I lejoj vetes të përmend në këtë pikë një kontribut të vogël timin si aktiviste në këtë drejtim, në bashkëpunim me think tank-un Think Young me qendër në Bruksel, kur në vëmendje në vitet 2010 - 2012 kishim avokimin për liberalizimin e vizave për të rinjtë nga Kosova. Ishte e para herë që një organizatë europiane merrte përsipër në mënyrë aktive një nismë të tillë.
Kosova ende nuk njihet nga pesë shtete të Bashkimit Europian dhe nuk është pranuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si OKB dhe NATO. Në vitet e fundit Serbia ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të krijuar tensione me Kosovën, me synim përfundimtar shkëputjen e veriut të Kosovës. Për fat të keq, ndër zhvillimet negative duhet të përmendet edhe propozimi okult për një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili përfshiu edhe dy figura të rëndësishme të politikës shqipare, presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Kosova është sot shumë më afër Shqipërisë sesa në vitet ’90, por ky afrim shtyhet më shumë nga përpjekjet individuale në fushën e turizmit, investimeve, mediave, universiteteve dhe sidomos shkëmbimeve kulturore, veçanërisht në fushën e muzikës, sesa nga përpjekjet e qeverive. Fatmirësisht sot është funksionale autostrada Durrës - Prishtinë, e njohur me gjithë zemër nga të gjithë si “Rruga e Kombit”. Kufiri Kosovë - Shqipëri kalohet thjesht me kartë identiteti. Sa ende pa u mundësuar liberalizimi i vizave, Shqipëria shërbeu si destinacioni kryesor turistik për shtetasit e Kosovës, por vera e vitit 2024 tregoi që situata ka ndryshuar, kjo edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve në sektorin e turizmit në Shqipëri. Bashkimi doganor i përfolur që në vitin 1999, ende nuk është një realitet funksional.
Sistemi politik në Kosovë, ndryshe nga Shqipëri, prodhon rezultate zgjedhjesh që janë të pakontestueshme, çka është një shenjë që demokracia është më funksionale sesa në Shqipëri. Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për rolin e mediave që kanë një fuqi më të madhe rregullatore si pushtet i katërt në Kosovë sesa në Shqipëri. Por Kosova nuk ka më një Rugovë dhe kjo mungesë ndihet në shumë drejtime, veçanërisht sa i përket përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Më shumë sesa të krijojë nostalgji, trashëgimia politike që ka lënë Presidenti Rugova është e nevojshme që të integrohet në vendimet për të tashmen e për të ardhmen e Kosovës. Ajo vlen të dokumentohet, të analizohet me qëllim që të kuptohet sesi mund të projektohet ajo në vendimet e rëndësishme që politika dhe vetë intelektualët në Kosovë duhet të marrin sot. Si mund të shtohet numri i intelektualëve që kthehen në politikanë si Presidenti Rugova? Si të zbulohen e të mbështeten talentet që kanë aftësi të ngjashme me të tijat? Si duhet të punohet për shtimin e njohjeve të Kosovës dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, por pa dëmtuar qytetarët dhe demokracinë? Si duhet të punohet për të ndalur provokimet serbe në vazhdimësi? Dhe mbi të gjitha si duhet të punohet nga politikanët në të dy anët e kufirit që bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, që për presidentin Rugova ishte një çështje e së ardhmes, të ndodhë vërtet? Cila do të jetë koha e përshtatshme, që ideja për një konfederatë shqiptare të hidhet në referendum?
Mbetet për t’u shpresuar që politikanët të cilët do t’i mundësojnë hapat e nevojshëm që Shqipëria e Kosova e bashkë me to gjithë shqiptarët në Ballkan, të lulëzojnë, të jenë të përgatitur për ato sfida që i presin dhe të dinë të vlerësojnë modelet pozitive që kemi nga e shkuara jonë. Njëri prej tyre është padyshim Presidenti Ibrahim Rugova, një njeri që me angazhimin e tij la gjurmë të pashlyeshme në epokën që jetojmë.
Referenca
Allain, M.-F., & Galmiche, X. (1999, Mars 31). Les racines de la terreur et de la guerre. Le Monde, nr.16851.
Battistini, F. (2003, Nentor 27). Rugova, il Kosovo e la conversion “Simpatia per il cristianesimo”. Corriere della Sera.
Der Spiegel (1989, Qershor 25). »Die Serben kommen als Rächer wieder«:
SPIEGEL-Interview mit dem albanischen Schriftsteller Ibrahim Rugova über den Nationalitätenstreit in Jugoslawien. https://www.spiegel.de/pol.../die-serben-kommen-als-raecher- wieder-a-d7c34ed0-0002-0001-0000-000013495630
Flottau, R., & Ihlau, O. (2000, Prill 16). »Wir sind ein geteiltes Volk«: Albaner-Führer Ibrahim Rugova über den Weg zur Unabhängigkeit des Kosovo und das Verhältnis zu den Serben. Der Spiegel. https://www.spiegel.de/politik/wir-sind-ein-geteiltes-volk- a-e0447d3e-0002-0001-0000-000016215423
Flottau, R. (1999, Gusht . »Die Vorstufe zur Unabhängigkeit«: Albaner-Führer Ibrahim Rugova über die Zukunft des Kosovo. Der Spiegel. https://www.spiegel.de/politik/die-vorstufe-zur- unabhaengigkeit-a-8892c3f3-0002-0001-0000-000014143628
Flottau, R. (1999, Prill 4). »Alles auf eine Karte«: Albaner-Führer Ibrahim Rugova über Massaker der Serben, die Erwartungen an die Nato und die politische Zukunft des Kosovo. Der Spiegel. https://www.spiegel.de/.../alles-auf-eine-karte-a-82256c57- 0002-0001-0000-000010932969
François, D. (1999, Gusht 13). Ibrahim Rugova, leader indépendantiste modéré «L'UCK ne peut pas gérer seule». Libération. https://www.liberation.fr/even.../1999/08/13/ibrahim-rugova- leader-independantiste-moderel-uck-ne-peut-pas-gerer- seule_282204/
Illmeier, G. (2005, Prill 30). "Im Kosovo ist die Zeit des Hasses vorüber": Präsident Rugova beharrt auf rascher Anerkennung der Unabhängigkeit Kosovos durch EU und USA. Die Presse. https://web.archive.org/.../200601111.../https://www.diepres se.com/Artikel.aspx?channel=p&ressort=a&id=479526
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (2024). Lista e njohjeve. https://mfa-ks.net/lista-e-njohjeve/
Schmid, T. (1993, Prill 7). Ibrahim Rugova, Präsident der „Republik Kosovo“:„Ich bin ein Halbgefangener“. Die Tageszeitung. https://taz.de/Ich-bin-ein-Halbgefangener/!1621658/