Projektligji për Dhomën Ekonomike Kombëtare: Kush duhet ta përfaqësojë biznesin?
Lindita Komani
9/18/20266 min read


Debati mbi krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare nuk është i ri. Ai është rikthyer të paktën tri herë gjatë dhjetë viteve të fundit: në 2016, 2024 dhe 2026. Në secilin rast, organizatat e biznesit kanë kundërshtuar sidomos dy elemente: anëtarësimin e detyrueshëm dhe detyrimin financiar që buron prej tij.
Projektligji i fundit, i publikuar për konsultim më 14 gusht 2026, parashikon që çdo subjekt tregtar aktiv në Regjistrin Tregtar të bëhet ipso lege anëtar i Dhomës Ekonomike Kombëtare. Më 10 shtator, 17 organizata biznesi kërkuan rishikimin e modelit. Kundërshtimi i tyre nuk lidhet me nevojën për dialog institucional, shërbime më të mira apo delegimin e funksioneve publike, por me pyetjen nëse këto objektiva kërkojnë domosdoshmërisht anëtarësim dhe financim të detyrueshëm dhe nëse një institucion i krijuar me ligj mund të marrë automatikisht edhe mandatin për të përfaqësuar biznesin.
Ky është dallimi thelbësor: shteti mund të krijojë një institucion dhe t’i delegojë funksione publike atij, por funksioni publik dhe mandati përfaqësues nuk janë e njëjta gjë.
Një debat dhjetëvjeçar
Në vitin 2016, ligji për rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm në dhomat e tregtisë u miratua nga Kuvendi, por u kthye për rishqyrtim nga Presidenti Bujar Nishani, i cili ngriti ndër të tjera çështjen e lirisë së organizimit të garantuar nga neni 46 i Kushtetutës. Nisma kundërshtohej edhe nga organizatat e biznesit.
Në prill 2024, 19 organizata biznesi dhe dhoma tregtie kundërshtuan përsëri anëtarësimin e detyrueshëm. Ato kërkuan analizimin e sistemit ekzistues, përcaktimin e shërbimeve që do të justifikonin tarifën dhe ruajtjen e së drejtës së biznesit për të zgjedhur organizatën që e përfaqëson. Në konsultim, FIAA argumentoi se niveli i ulët i anëtarësimit në dhomat ekzistuese nuk provonte se zgjidhja duhej të ishte një dhomë publike me anëtarësi të detyruar.
Në vitin 2026, qeveria e rishikoi projektin dhe zgjeroi funksionet e shërbimet e parashikuara. Por modeli bazë mbetet: anëtarësim ipso lege, tarifë vjetore dhe rol i gjerë institucional i Dhomës. Prandaj 17 organizatat nënshkruese kërkojnë jo thjesht korrigjimin teknik, por rivlerësimin e vetë modelit.
Këmbëngulja e së njëjtës mazhorancë për t’iu rikthyer për një dekadë të njëjtës ide, pavarësisht kundërshtimeve të përsëritura, ka një rezonancë të veçantë në një vend me historinë e Shqipërisë. Sigurisht, një Dhomë Ekonomike Kombëtare nuk mund të barazohet me ekonominë e centralizuar komuniste. Por centralizimi i përfaqësimit të biznesit në një strukturë të krijuar me ligj, së bashku me anëtarësimin dhe financimin e detyrueshëm, sjell kujtesën e një shteti që dikur kontrollonte plotësisht ekonominë dhe iniciativën private. Pikërisht për këtë arsye, një ndryshim i tillë kërkon argumentim, transparencë dhe besim institucional veçanërisht të fortë.
Kjo merr më shumë peshë pas 110 ditësh proteste të vazhdueshme qytetare. Protesta nuk është argument juridik kundër projektligjit, por është një sinjal se mënyra e qeverisjes dhe dialogut kërkon reflektim. Një qeveri nuk duhet të pranojë çdo kërkesë të grupeve të interesit, por konsultimi nuk është real nëse kundërshtimet dëgjohen ndërsa modeli mbetet i paracaktuar. Siç e formulojnë 17 organizatat: “Konsultimi me komunitetin e biznesit duhet të shërbejë për të përcaktuar modelin e reformës dhe jo vetëm për të përmirësuar teknikisht një model të paracaktuar.”
A ekziston një “model europian”?
Krahasimi ndërkombëtar tregon se nuk ekziston një model i vetëm europian i dhomave të tregtisë.
Gjermania dhe Austria përfaqësojnë modelin klasik kontinental të anëtarësimit të detyrueshëm. Në Gjermani, IHK-të (dhomat e industrisë dhe tregtisë) janë korporata të së drejtës publike, kryejnë funksione publike dhe vetërregulluese dhe financohen përmes kontributeve të anëtarëve. Në vitin 2017, Gjykata Kushtetuese Federale konfirmoi kushtetutshmërinë e këtij sistemi, duke e lidhur legjitimitetin e tij pikërisht me funksionet publike dhe vetadministrimin ekonomik.
Italia dhe Franca kanë gjithashtu sisteme të fuqishme publike. Në Itali, dhomat lidhen ngushtë me administrimin e Registro delle Imprese (regjistrit të ndërmarrjeve). Në Francë, CCI-të (dhomat e industrisë dhe tregtisë) janë institucione publike dhe financohen pjesërisht përmes mekanizmave fiskalë. Prandaj nuk mjafton të thuhet se këto vende kanë dhoma publike, por duhet parë se çfarë funksionesh kryejnë ato që e justifikojnë statusin dhe financimin e tyre.
Spanja ofron një zgjidhje tjetër. Bizneset u bashkëngjiten dhomave ex officio, por ligji përcakton se kjo nuk krijon detyrim ekonomik apo barrë administrative. Pra, universaliteti institucional nuk kërkon domosdoshmërisht financim universal. Edhe Greqia ka ndarë përfshirjen institucionale të biznesit nga pagesa tradicionale e detyrueshme e anëtarësimit.
Kroacia është një krahasim veçanërisht interesant për Shqipërinë, si vend që ka kaluar nga sistemi komunist në ekonominë e tregut dhe më pas në BE. Anëtarësimi në Hrvatska gospodarska komora (Dhoma Kroate e Ekonomisë) mbetet ligjor, por reforma e vitit 2021 parashikoi përjashtimin nga tarifa e detyrueshme të më shumë se 95% të sipërmarrësve, kryesisht bizneseve të vogla. Paralelisht funksionojnë organizata vullnetare të punëdhënësve që merren me advocacy dhe dialog social. Pra, anëtarësimi universal, financimi universal dhe përfaqësimi politik nuk trajtohen si e njëjta gjë.
Në polin tjetër janë Portugalia dhe Britania e Madhe, vende në të cilat dhomat janë organizata private dhe anëtarësimi është vullnetar. Në Britani, dhomat janë në pronësi të anëtarëve dhe legjitimiteti ndërtohet nga poshtë-lart. Biznesi zgjedh dhomën dhe dhoma fiton peshë, sepse bizneset zgjedhin të përfaqësohen prej saj.
SHBA-ja e çon më tej këtë filozofi. U.S. Chamber of Commerce e përkufizon dhomën si një “voluntary partnership of businesses and professionals - partneritet vullnetar i bizneseve dhe profesionistëve”. Organizatat e biznesit mund të ushtrojnë advocacy të fuqishëm mbi taksat, rregullimin apo tregtinë, por mandati dhe financimi i tyre burojnë nga bizneset që zgjedhin t’u bashkohen. Kjo ndan qartë shërbimin publik nga përfaqësimi i interesave.
Pluralizmi nuk është fragmentim
Shqipëria ka tashmë dhoma bilaterale, organizata investitorësh, shoqata sektoriale dhe organizata profesionale. Në vitin 2024, 19 prej tyre arritën një qëndrim të përbashkët. Në vitin 2026, 17 organizata e bënë këtë përsëri. Vetë kjo aftësi për ta artikuluar bashkarisht interesin e biznesit duhet marrë parasysh si fakt domethënës në një kohë kur “fragmentimi” përdoret si argument për centralizimin.
Në një ekonomi tregu, një bankë, një kompani energjetike, një biznes familjar, një kompani teknologjie apo një investitor i huaj nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtat interesa. Megjithatë, pluralizmi mund të jetë mekanizmi përmes të cilit interesat e ndryshme artikulohen dhe konkurrojnë në mënyrë legjitime, të qartë dhe të besueshme.
Paradoksi shqiptar
Një nga elementet më interesante të debatit është se ndër organizatat që kanë kundërshtuar modelin shqiptar në 2024 dhe 2026 janë Dhoma Gjermane, Dhoma Italiane, Dhoma Franceze dhe Shoqata e Biznesit Grek në Shqipëri, krahas FIAA-s, AmCham-it dhe organizatave të tjera.
Kjo nuk do të thotë se ato kundërshtojnë në parim sistemet publike të dhomave. Por tregon diçka tjetër: fakti që një model funksionon në vendin e origjinës nuk mjafton për të justifikuar importimin e tij në Shqipëri.
Nëse nga Gjermania merret anëtarësimi i detyrueshëm, duhet parë edhe vetadministrimi ekonomik, funksionet publike, autonomia dhe llogaridhënia. Nëse merret modeli italian, duhet marrë parasysh roli i dhomave në administrimin e Regjistrit të Ndërmarrjeve. Nëse kërkohet universaliteti, duhet shpjeguar se përse nuk mjafton modeli spanjoll pa detyrim financiar. Nëse kërkohet solidaritet financiar, duke pasur parasysh stadin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, mbetet pyetja se përse nuk shqyrtohet zgjidhja kroate që përjashton shumicën dërrmuese të nga detyrimi i pagesës së kuotës. Ndërkohë nga ana tjetër, Britania, Portugalia dhe SHBA tregojnë se një zë i fuqishëm i biznesit mund të ndërtohet edhe mbi anëtarësimin vullnetar.
Institucionet nuk mund të importohen duke marrë vetëm elementin e tyre më kufizues, madje pikërisht sepse ekzistojnë alternativa, zgjedhja e modelit më kufizues kërkon argumentimin më të fortë. Në Shqipëri duhet të provohet se cili problem nuk zgjidhet nga sistemi ekzistues, përse funksionet publike kërkojnë anëtarësimin e çdo biznesi, përse shërbimet duhet të financohen edhe nga ata që nuk i përdorin, si garantohet autonomia e Dhomës dhe, mbi të gjitha, përse anëtarësimi i përcaktuar me ligj duhet të konsiderohet edhe mandat përfaqësimi.
Qëndrimi i përbashkët i organizatave të biznesit e përmbledh këtë kufi në një fjali: “Shteti mund të krijojë me ligj një institucion dhe t’i delegojë atij funksione publike; mandatin për të përfaqësuar biznesin mund t’ia japë vetëm vetë biznesi.”
