Pse sipërmarrësit i duhet një alternativë qeverisëse e qartë?

Iljaz Mehmeti

7/23/20265 min read

Sipërmarrësi nuk i sheh problemet e shtetit nga ekrani. I sheh te tatimet, dogana, energjia, lejet, kontrollet, gjykatat, bankat, kostot dhe koha e humbur. E këto kohë ai e ndesh edhe një problem tjetër: njerëzit e kualifikuar nuk i gjen më.

Shqipëria nuk ka humbur vetëm popullsi. Ka humbur një pjesë të krahut të saj më të kualifikuar të punës. Dhe sipërmarrësi e kupton këtë humbje jo nga statistikat, por nga puna e përditshme. Ai mund të blejë makineri, të sigurojë kapital, të ndërtojë një fabrikë apo të hapë një aktivitet të ri. Por nuk mund të prodhojë me urdhër një profesionist e nuk mund t’a zëvendësojë përvojën me njoftimin për një vend vakant. Nuk mund ta ndërtojë brenda pak muajsh atë aftësi që kërkon vite për t’u formuar dhe s’mund te zëvëndësojë shtetin, që t’u garantojë atyre një jetesë më të sigurt.

Për këto arsye ai nuk mund të mjaftohet me një opozitë që denoncon. Nuk i mjafton as një opozitë që premton. Nëse opozita nuk është në gjendje ta organizojë dijen e vendit kur është pa pushtet, nuk ka arsye të besohet se do ta organizojë shtetin pasi të marrë pushtetin.

Ai kërkon të dijë kush do të qeverisë, me çfarë njerëzish, me çfarë programi dhe me çfarë përgjegjësie. Kjo është arsyeja pse një “alternative qeverisëse e qartë” nuk është luks politik. Është nevojë ekonomike dhe shoqërore.

Një sipërmarrës jeton me riskun kur e sheh atë, ndaj e refuzon mjegullën që krijon paraqitja e ndryshimit politik si një akt besimi.

Voto sot e mëso nesër kush do të jetë minister, pastaj prit pasnesër të kuptosh çfarë mendon ai për taksat, energjinë, doganat, koncesionet, administratën, pronën, arsimin apo shëndetësinë.

Në çdo marrëdhënie tjetër ekonomike, një kontratë e tillë do të refuzohej, ndërsa në politikë quhet normalitet.

Një parti që kërkon të qeverisë duhet të jetë në gjendje të tregojë përpara zgjedhjeve jo vetëm kryetarin, por edhe ekipin. Jo vetëm parimet, por edhe njerëzit që do t’i zbatojnë. Jo vetëm zemërimin ndaj qeverisë, por edhe aftësinë për ta zëvendësuar atë.

Sepse sipërmarrja nuk investon te emrat e njohur, por te parashikueshmëria.

Edhe qytetari që proteston nuk jeton me nevojën e një adrese ku të derdhë zemërimin. Ai ka nevojë të kuptojë nëse kërkesat e tij do të marrin ndonjëherë formë institucionale.

Në protestë nuk ka vetëm revoltë, por ka edhe ide të arsyeshme. Mbi të gjitha ajo nuk është paradhoma e opozitës, por një burim i pavarur mendimi politik, të cilin opozita duhet ta meritojë, jo ta përvetësojë.

Ka kërkesa për drejtësi, për meritë, për kufizimin e arbitraritetit, për ndarjen e pushteteve, për fundin e klientelizmit, për mbrojtjen e pronës, për konkurrencë të ndershme dhe për një shtet që nuk sillet si pronar i qytetarit.

Këto janë kërkesa që një sipërmarrës i kupton mirë.

Ai përpiqet t’i lexojë jo vetëm si qytetar, por edhe si pjesë e shtresës së cilës i përket. Përpiqet të kuptojë se si mund të bëhen të vlefshme për prodhimin, punësimin, investimin dhe mbijetesën e ekonomisë reale, sepse kërkon të operojë në një sistem e jo të mbijetojë në xhungël.

Këtu bëhet e domosdoshme një alternativë qeverisëse e qartë.

Ajo duhet të jetë edhe ura mes energjisë së protestës dhe aftësisë për të qeverisur. Mes kërkesës së qytetarit dhe përgjigjes së shtetit.

Sipërmarrësi kërkon të dijë kush do të drejtojë financat, ekonominë, energjinë, bujqësinë dhe arsimin profesional; nëse këta njerëz njohin tregun apo vetëm zyrën, dhe nëse kuptojnë çfarë do të thotë kosto prodhimi.

Mbi të gjitha, çfarë do të bëjnë këta njerëz që punonjësi i kualifikuar të mos e shohë largimin si zgjedhjen më racionale?

Sot, këto pyetje nuk kanë përgjigje.

Sipërmarrësi njeh kryetarin e opozitës. Njeh disa deputetë. Njeh zëdhënësit. Por nuk njeh qeverinë që opozita pretendon se është gati të ndërtojë.

Sakaq edhe protestuesi nuk e di se kush do t’i marrë kërkesat e tij dhe do t’i shndërrojë në vendimmarrje e as profesionisti që është larguar nuk e di se kush do t’i japë një arsye serioze për t’u kthyer.

Këtu fillon dilema. Sepse të kritikosh është një gjë e të qeverisësh është gjë tjetër.

Një ministër në hije do të duhej të dilte përpara publikut shumë kohë para se të hynte në zyrë. Të fliste me biznesin e të përballej me ekspertët. Të dëgjonte protestën, por edhe të mbronte politikat e veta, duke pranuar kundërshtimin. Të provonte se njeh sektorin dhe se ka një mendim që nuk ndryshon me konferencën, apo me presionin e radhës. Të kuptonte pse në këto tre dekada administrata publike është shkelësja më e madhe e ligjit, duke deligjitimuar krejtësisht aksionin e shtetit, dhe si mendon se duhet bërë që kjo të mos ndodhë më.

Kjo do të ishte prova e parë e seriozitetit. Edhe për vetë opozitën.

Sepse një alternativë qeverisëse nuk do të zbulonte vetëm njerëzit e aftë. Do të zbulonte edhe të paaftët. Do të ndante ata që dinë nga ata që recitojnë. Ata që mbajnë përgjegjësi nga ata që mbajnë vetëm anën e kryetarit.

Dhe pikërisht këtë provë partitë shqiptare e kanë shmangur gjithmonë.

Ato duan votën para se të tregojnë ekipin. Duan besimin para se të japin provën. Duan pushtetin para se të pranojnë përgjegjësinë dhe kjo është një nga arsyet pse biznesi shqiptar është bërë skeptik ndaj çdo rotacioni dhe profesionisti është larguar.

Një alternativë qeverisëse do t’a ndryshonte këtë raport.

Do t’i jepte sipërmarrjes mundësinë t’a njohë pushtetin e ardhshëm përpara se ai të bëhet pushtet, t’a pyesë, t’a kundërshtojë, t’ia testojë mendimin në debatin publik dhe, nëse duhet, t’a rrëzojë politikisht para se t’a provojë administrativisht.

Do t’i jepte protestës mundësinë të kuptonte se cilat nga kërkesat e saj kanë gjetur përfaqësim real dhe cilat po përdoren vetëm si dekor politik dhe do t’i jepte punonjësit të kualifikuar një mundësi për të parë nëse po ndërtohet vërtet një Shqipëri ku aftësia ka më shumë peshë se njohjet dhe ku puna vlen më shumë se besnikëria partiake.

Një alternativë qeverisëse e bërë publike në kohë nuk garanton se opozita do të qeverisë mirë. Por, për herë të parë, do ta detyronte të dëshmonte se është e aftë të qeverisë, përpara se t’u kërkonte shqiptarëve të merrnin përsipër përsëri të gjithë riskun.

Vota nuk duhet të jetë më çeku i bardhë me të cilin partitë blejnë të drejtën për të improvizuar shtetin.

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdoshmërisht shprehin qëndrimin e Institutit.

Insights

Promoting conservative values in economic policy, national security and governance.

Contact

info@albanianconservativeinstitute.org

© 2025. All rights reserved.