Reflektim mbi Gender Dysphoria dhe ligjin për barazinë gjinore

Lindita Komani

12/7/20253 min read

Debati mbi gender dysphoria tek të miturit po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Nga njëra anë, raportet më serioze mjekësore po tregojnë se evidenca shkencore për trajtimet mjekësore është e dobët. Nga ana tjetër, politika, e nxitur nga ideologjia gjinore, po merr vendime që prekin më të pambrojturit: fëmijët.

Gender dysphoria përshkruan një shqetësim të thellë psiqik që lind nga papërputhshmëria mes gjinisë biologjike dhe asaj të përjetuar. Jo të gjithë që e përjetojnë këtë ndjesi kërkojnë trajtime mjekësore; shqetësimi bëhet klinik tek ata që duan ndërhyrje hormonale ose kirurgjikale dhe nuk kanë mundësi t’i marrin. Kjo diagnozë njihet nga Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore (DSM-5). Sipas tij, tek meshkujt biologjikë prevalenca është 0.005–0.014%, ndërsa tek femrat biologjike 0.002–0.003% (fq. 454).

Në SHBA, modeli mbizotërues i trajtimit është “gender-affirming”, që nxit përdorimin e bllokuesve të pubertetit, hormoneve të gjinisë së kundërt dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, ndërsa psikoterapia shpesh mbetet në plan të dytë. Por në nivel ndërkombëtar nuk ka konsensus shkencor, përkundrazi. Raportet më të fundit të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë (HHS), përfshirë analizën e plotë “Treatment for Pediatric Gender Dysphoria: Review of Evidence and Best Practices” (2025), tregojnë se cilësia e evidencës për përfitimet e trajtimeve mjekësore tek të miturit është shumë e ulët. Ky dokument i rëndësishëm, i publikuar nga HHS dhe i aksesueshëm në: https://opa.hhs.gov/sites/default/files/2025-11/gender-dysphoria-report.pdf, ofron një rishikim rigoroz të studimeve existente, duke vënë theksin tek mungesa e provave të forta për efikasitet dhe siguri.

Edhe vendet europiane me përvojë në këtë fushë po mbërrijnë në të njëjtat përfundime. Autoritetet shëndetësore të Finlandës, Suedisë dhe Anglisë kanë rishikuar qasjen e tyre, duke e braktisur modelin e ndërhyrjeve të shpejta mjekësore dhe duke u kthyer tek një qasje e matur: terapi, mbështetje psikosociale dhe vlerësim i kujdesshëm i gjendjes mendore dhe familjare. Studimi i vitit 2023 i Levine & Abbruzzese, “Current Concerns About Gender-Affirming Therapy in Adolescents”, e dokumenton qartë këtë kthesë (https://link.springer.com/article/10.1007/s11930-023-00358-x). Në këto vende, bllokuesit e pubertetit, hormonet dhe ndërhyrjet kirurgjikale për të miturit konsiderohen të pasigurta dhe të pambështetura në prova të forta shkencore. Pasojat mund të jenë të pakthyeshme.

Ndërkohë që mjekësia po ngadalëson ecjen drejt trajtimeve të rrezikshme dhe kërkon më shumë analizë, politika, përfshirë edhe atë shqiptare, po ecën në mënyrë arbitrare, në kah të kundërt. Ligji i ri për barazinë gjinore, i miratuar së fundi në parlament, u paraqit si një përditësim teknik dhe emancipues. Por brenda tij ishte fshehur ndryshimi i mënyrës se si konceptohet gjinia në ligj. Ky ndryshim u bë pa transparencë, pa debat publik dhe pa konsultim të vërtetë, duke anashkaluar faktin që Kushtetuta e Shqipërisë njeh qartë dy gjini biologjike: burrë dhe grua. Reagimi i qytetarëve ishte i menjëhershëm dhe i justifikuar. Specialistë të fushave të ndryshme dëshmuan se ishin të përgatitur të kundërshtonin një ligj të ardhur nga lart-poshtë, i ndikuar nga agjenda të importuara, e jo nga nevoja reale e shoqërisë shqiptare, që është mënyra e vetme demokratike për lindjen e një ligji.

Ky shqetësim u bë edhe më i qartë pas rastit në shkollën 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, ku prindërve iu shpërndanë materiale me mesazhin: “Gjinia nuk ka të bëjë me dallimet biologjike midis gjinive, përkundrazi, është një konstrukt social” (Top Channel, 26 nëntor 2025). Ky ishte pikërisht interpretimi i futur në ligj për gjininë. Hartuesit e broshurës, të nxitur nga agjenda ndërkombëtare, nuk pritën as hyrjen në fuqi të ligjit për të filluar zbatimin e tij.

Përpjekja për ta ndalur këtë ligj nga hyrja në fuqi dhe zbatimi është e domosdoshme dhe do të vazhdojë. Kjo situatë kërkon maturi, kthjellim dhe respekt për realitetin e fëmijëve. Ata që vuajnë nga gender dysphoria kanë nevojë për terapi dhe mbështetje, jo për retorikë politike apo eksperimentim me trupat e tyre. Shoqëria ka nevojë për debat të hapur, gjithpërfshirës dhe të sinqertë, jo për ligje të hartuara në fshehtësi. Politika ka detyrimin të dëgjojë mjekësinë dhe qytetarët, jo ideologjitë e importuara që rrezikojnë të shkëpusin ligjet nga realiteti shqiptar.