Rritja e Pagave, Fuqia Blerëse dhe Standardi i Jetës në Shqipëri (2005–2024): Një Analizë e Thjeshtë Krahasimore

Nikola Kedhi

8/21/20255 min read

silver and gold round coins
silver and gold round coins

Eurostat në shifrat e publikuara për vitin 2024 e jepte Shqipërinë të parën për nivelin e ulët të jetesës. Sipas të dhënave, në Shqipëri rreth 42,1 % e popullsisë jeton në varfëri, më e lartë, dhe në trend rritës, në krahasim me 34.1% në Mal të Zi, 32.6% në Maqedoninë e Veriut, 30% në Serbi, dhe 21.4% në vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht. Sipas World Social Report 2025 të Kombeve të Bashkuara, politikat fiskale të qeverisë kanë rritur pabarazinë sociale në vend. Raporti thekson se pasiguria në tregun e punës mbetet një fenomen i përhapur. Një pjesë e madhe e punësimit zhvillohet në sektorin informal, duke i ekspozuar punëtorët ndaj kushteve të pasigurta dhe të ardhurave të paqëndrueshme. Ky fenomen pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ul besimin tek institucionet.

Analiza ekonomike krahasimore është një ndër mënyrat më e mira për të kuptuar sa e suksesshme është një qeveri dhe nëse politikat e saj përkthehen në mirëqenie reale për qytetarët, për të kuptuar dhe çfarë modeli ekonomik na duhen dhe kush i bën këto propozime. Për t'i dhënë kuptim krahasimit, vlen të gjejmë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

A kanë sot shqiptarët fuqi blerëse më të madhe se disa vite më parë? A kanë ata në fund të muajit më tepër para në xhepin e tyre? A janë të ardhurat e tyre të disponueshme (pas tatimeve), të mjaftueshme për të përballuar koston e jetesës? Si ishin mundësitë e qytetarit shqiptar me politikat e djathta të qeverisë 2005 – 2013 me politikat e qeverisë aktuale socialiste? Një analizë shifrash që kemi bërë në Institutin Konservator na jep një pamje të qartë.

Qeveria Berisha kishte një qasje pro rritjes ekonomike dhe investimeve, sidomos të huaja, me përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe fermerët, me ulje të taksave (taksa e sheshtë 10%), reduktim të rregulloreve të tepërta e burokratike dhe të ndikimit të shtetit në jetën e qytetarëve, fokus në liberalizim ekonomik, përmirësim i infrastrukturës, reformë energjetike, subvencione të drejtpërdrejta për fermerët për çdo input – pra një fokus te liberalizmi i tregut, prodhimi dhe investimet publike.

Nga ana e saj, qeveria Rama premtoi një fokus më të madh në konsolidim fiskal dhe menaxhim të borxhit publik, prezantoi taksën progresive, dhe u fokusua në PPP, investime urbane, si dhe rritje të sektorit të ndërtimit (ku flitet për një influks vjetor të lartë të parave të pista) dhe turizmit, të cilat nuk ndikojnë në produktivitet, dhe e kanë lënë ekonominë informale në nivele 35% deri në 40%. Duhet theksuar se ekonomia shqiptare në pjesën më të madhe të dekadës së fundit është mbajtur me projektin e TAP dhe Kaskadën e Devollit. Në pesë vitet e fundit, ekonomia shqiptare është rritur nga sektori i ndërtimit, turizmi dhe rritja e shpenzimeve qeveritare.

Le të shohim pasojat e të dy qasjeve.

Në periudhën 2005–2013, Shqipëria sipas INSTAT dhe referencave të huaja, shënoi një rritje të konsiderueshme të pagave:

  • me një rritje totale nominale prej 95% (praktikisht dyfishim i pagave), duke kaluar nga 26,808 lekë në 52,150 lekë bruto në muaj, duke kaluar nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme të larta.

  • Rritja nominale mesatare vjetore (CAGR) – 8.67%

Në periudhën 2013–2024, rritja e pagave ka qenë më e ngadaltë, me

  • një rritje totale nominale prej 51%, duke arritur në 78,789 lekë bruto në muaj.

  • Rritja nominale mesatare vjetore (CAGR) – 3.82%

Rritja Reale e Pagave dhe Fuqia Blerëse

Rritja reale e pagave, e cila merr parasysh inflacionin (rritjen e çmimeve), ka qenë edhe më e ngadaltë në periudhën 2013–2024.

Në vitin 2024, fuqia blerëse ishte më e ulët se në vitin 2013, për shkak të inflacionit të lartë dhe rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve esenciale. Për shembull, ushqimet janë shtrenjtuar me 33.1% në pesë vitet e fundit, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e familjeve shqiptare.

Inflacioni kumulativ ishte 24.1% në 2005-2013 (mesatarja vjetore 2.74%) dhe 31.1% në 2013-2024 (mesatarja vjetore 2.50%), por rritjet e papritura në të dytin (p.sh., 6.73% në 2022) tejkaluan rritjet e pagave.

Në periudhën 2005–2013,

  • rritja totale reale, duke hequr efektin e rritjes së çmimeve, ishte 57%, me një rritje vjetore CAGR 5.8%.

Në periudhën 2013–2024, rritja e pagave ka qenë më e ngadaltë, me

  • një rritje totale reale prej 15%, duke arritur në 78,789 lekë bruto në muaj, me një rritje reale vjetore 1.3%.

Të Ardhurat e Disponueshme dhe Taksat

Të ardhurat neto të familjeve shqiptare janë gjithashtu ndikuar nga ndryshimet në sistemin tatimor. Në periudhën 2005–2013, rritja e pagave ka qenë më e shpejtë se rritja e çmimeve dhe se rritja e taksave, duke lejuar një rritje të fuqisë blerëse.

Në periudhën 2013–2024, ndryshimet progresive të taksave (përveç se çmimet) kanë absorbuar një pjesë të rritjes nominale të pagave, duke ulur rritjen reale të të ardhurave neto.

Në këtë periudhë 11 vjeçare, kostoja mesatare e jetesës është rritur me 40%.

  • Në 2013, një sasi fikse lekësh (p.sh., 10,000 ALL) blinte një shportë mallrash që kushtonte 10,000 ALL atëherë.

  • Sot (2025), ajo shportë e njëjtë kushton 10,000 × 1.4 = 14,000 ALL.

  • Pra, me 10,000 ALL sot, mund të blini vetëm 10,000 / 1.4 ≈ 7,143 ALL në çmime të 2013-s, ose 71.4% të asaj që blinit në 2013.

Vetëm në pesë vitet e fundit, ushqimet janë rritur 33,1%, ndërkohë që një familje mesatare shpenzon 45%-50% për ushqim dhe pije joalkoolike, çka i merr asaj një pjesë të konsiderueshme të të të ardhurave të disponueshme. Në familjet me të ardhura më të ulëta, ushqimi zë një vend edhe më të madh, mbi 60% të buxhetit. Energjia dhe banesat, sipas Altax, janë rritur në këtë periudhë me 11%. Në total, vetëm në pesë vitet e fundit, kostoja e jetesës është rritur me 25%. Për të jetuar me të njëjtin standard jetese si në vitin 2020, një familje sot duhet të shpenzojë rreth ¼ më shumë.

Përfundim

Në përgjithësi, periudha 2005–2013 ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të standardit të jetesës për qytetarët shqiptarë, duke rritur fuqinë e tyre blerëse dhe duke u dhënë më shumë mundësi të kursejnë apo investojnë, ndërsa periudha 2013–2024 ka sjellë sfida ekonomike që kanë ndikuar negativisht në fuqinë blerëse dhe standardin e jetesës. Në fakt, sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, afro 35% e familjeve shqiptare nuk mund t’i përballojnë shpenzimet mujore pa marrë borxh. Vetëm 41% e qytetarëve të anketuar nga Banka e Shqipërisë kanë deklaruar se mund të paguajnë një shpenzim të konsiderueshëm pa marrë hua apo pa kërkuar para tek të afërmit. Ndërsa mesatarja në vendet e OECD përllogaritet në 62%. Ndërkohë, vetëm 18% e qytetarëve arrijnë të kursejnë diçka.

Për të përmirësuar këtë situatë, është e nevojshme një politikë ekonomike që fokusohet në rritjen e pagave reale, kontrollin e inflacionit, konkurrencën e drejtë, uljen e taksave, rritjen e prodhimit, fokusin në bujqësi, luftën ndaj trafikut të drogës, liberalizimin e tregut dhe mbështetje për familjet me të ardhura të ulëta.

Burime:

  • INSTAT

  • FMN

  • Banka Botërore

  • ALTAX

  • Banka e Shqipërisë

  • OKB