Shëndetësia mes krizës onkologjike dhe koncesioneve të trashëguara
Dr. Erion Dasho
10/11/20253 min read


Java që kaloi u dominua nga një ngjarje e rëndë si vrasja e gjyqtarit dhe një ngjarje tjetër e rëndësishme si vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e Tiranës.
Ndërkohë personat direkt të interesuar për zhvillimet në sektorin e shëndetësisë, ndoqën ministren e re në turin e saj prezantues me spitalet e tjerë universitarë.
Nuk munguan këtë javë edhe komentet përgjithësisht jo pozitive për dy "krahët" më të rëndësishëm të ministres së re, drejtoren e QSUT-së dhe drejtorin e FSDKSH-së (Fondit të Sigurimeve Shëndetësore).
Ndërsa drejtori i Fondit ishte aq i panjohur për publikun, sa që u ngatërrua me një person tjetër i cili rastësisht ndante emër dhe mbiemër të ngjashëm me të, e dyta u "importua" nga Kanadaja pa asnjë përvojë të mëparshme me sistemet shëndetësore këtej dhe andej Atlantikut.
Pikërisht para drejtores së QSUT-së u shfaq edhe sfida e parë e administratës së rë të shëndetësisë, as më shumë dhe as më pak por në fushën e specialitetit të vetë ministres, trajtimin e personave me sëmundje tumorale.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konfirmoi disa nga akuzat më të tmerrshme që i janë bërë QSUT-së, ministrisë dhe qeverisë shqiptare në trajtimin e kësaj kategorie të sëmurësh.
Mungesë medikamentesh, protokolle të vjetruar, medikamente të skaduar për të cilët duhet sqaruar nëse janë përdorur ose jo tek pacientët, etj., nuk janë thjesht kritika. Disa prej tyre mund të përkthehen në përgjegjësi penale për shkallë të ndryshme të sistemit shëndetësor.
Dy ministret paraardhëse dhe shefi i vet i kanë rënë deri tani shkurt duke akuzuar mjekët "kriminelë" për gjithçka që nuk shkon në QSUT dhe sidomos në Onkologjik. Por, kjo nuk mund të vazhdojë gjatë.
Mjekët janë po aq viktima sa edhe pacientët në këtë histori.
Nuk e kanë fajin mjekët se përse nuk ka financim të mjaftueshëm për blerje medikamentesh dhe investim në pajisje diagnostikuese dhe kuruese. A mund të fajësohen mjekët se qeveria është e "aftë" të gjejë 500 milionë euro për koncesionet hajdute, por jo për të sëmurët e prekur nga sëmundjet tumorale?!
Mungesa e medikamenteve të reja, shpjegon edhe se përse mjekët vazhdojnë të përdorin ende protokolle të vjetruara. Protokollet e rinj kërkojnë sigurisht medikamente të rinj dhe teknologji të re për diagnostikë e mjekim.
Zgjidhja "magjike" e problemeve nëpërmjet marrëdhënies ende të pasqaruar me spitalin izraelit të Shebës, nuk funksionon dhe ministrja e re duhet ta dijë këtë më mirë se kushdo tjetër.
Atëherë cila është zgjidhja?
Adresimi për herë të parë në mënyrë profesionale i problemit kompleks që parashtron spitali onkologjik, vendosja e tij në një rrugëzgjidhje strategjike që të harmonizojë komponentët parandalues, diagnostikën e hershme, mjekimin bazuar në protokolle bashkëkohore dhe duke e mbyllur me një rishikim të plotë të sektorit të kujdesit paliativ.
Financimi?!
Kur shkruanim programin e shëndetësisë së opozitës për zgjedhjet e 11 majit, së bashku me grupin e punës propozuam ngritjen e një Instituti Onkologjik të financuar pjesërisht nga ato që quhen taksat e "mëkatit", akcizat e duhanit dhe alkoolit, si dhe një pjesë e të ardhurave të taksimit të kazinove. Nga përllogaritjet paraprake, dilte se vetëm këto taksa kanë potencialin të kontribuojnë disa dhjetëra milionë euro në vit për ngritjen e institutit në fjalë.
***
Sfida me spitalin onkologjik është sfida më akute dhe që u bë prezente nga KLSH-ja. Në fakt, ministrja e re ka përpara një sfidë edhe më të madhe, qëndrimin që do të mbajë ndaj koncesioneve grabitqare dhe mashtruese të shëndetësisë.
Mbi kokën e ministres qëndron si shpatë e Demokleut fati i Beqes së koncesioneve, ende në burg në pritje të gjykimit.
A do ta ketë ministrja Sala vizionin, vullnetin dhe, mbi të gjitha, tagrin nga Borati për t'i dhënë fund fenomenit sa të turpshëm, aq edhe kriminal??!!