Shqipëria në raportin e fundit të OECD: rënie drastike e klimës së biznesit, rënie e produktivitetit dhe risk afatgjatë për stanjacion dhe krizë ekonomike
Raporti i OECD-së Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025 konfirmon atë që prej kohësh duket në Shqipëri: ekonomia ka hyrë në një fazë stanjacioni dhe vendi është më larg Bashkimit Europian dhe nivelit të shumë prej vendeve të rajonit.
Nikola Kedhi
8/28/20253 min read


Raporti i OECD-së Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025 konfirmon atë që prej kohësh duket në Shqipëri: ekonomia ka hyrë në një fazë stanjacioni dhe vendi është më larg Bashkimit Europian dhe nivelit të shumë prej vendeve të rajonit.
Konvergjenca e ngecur dhe varësia nga sektorë të brishtë
Konvergjenca e përgjithshme me BE ka pësuar rënie të theksuar, në 47 pikë në vitet 2020–23, nga 51 në 2014–16, krahasuar me 100 pikë bazë, me një rënie prej 11 pikësh. Të ardhurat për frymë u rritën nga rreth 25% e mesatares së BE-së në 2003 në ~35% në mes të dekadës së kaluar, duke mos pasur asnjë ndryshim në vitet e fundit. Ky regres ndodh pas një dekade (2005–2014) ku Shqipëria bëri përparime të dukshme, në rritjen e pagave dhe fuqisë blerëse të qytetarit shqiptar, duke u klasifikuar si vend me të ardhura të mesme të larta. Sot, ekonomia varet kryesisht nga turizmi (i cili ka filluar të ketë shenjat e para të rënies), remitancat, dhe një sektor ndërtimi i fryrë, e i ndikuar sipas raporteve ndërkombëtare nga paratë e pista, ndërsa bujqësia dhe produktiviteti bien, dhe eksportet e mallrave mbeten në nivelin e ulët 13.2% të PBB-së.
Dështimi i klimës së biznesit
OECD e rendit Shqipërinë të fundit në rajon për klimën e biznesit. Kreditimi është vetëm 35.1% e PBB-së (kundrejt 86% në BE), investimet private kanë humbur terren (102.6% e BE-së nga 131.1% në 2014–16), ndërsa informaliteti është i lartë (~25% e punësimit kundrejt 3% në BE). Këto tregues nënkuptojnë një klimë jo konkurruese, ku tregjet dominohen nga struktura monopolistike dhe klienteliste.
Investimet e huaja direkte (rreth 7% e PBB-së) janë të larta në letër, por OECD paralajmëron se pjesa dërrmuese shkon tek ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, ndërsa prodhimi merr më pak se 10%. Pra, kapitali nuk po krijon vende pune me produktivitet të lartë e paga të larta, por po forcon një model joprodhues dhe të paqëndrueshëm.
Infrastruktura dhe produktiviteti si pengesë strukturore
Edhe në treguesit e infrastrukturës, Shqipëria mbetet e fundit në rajon shumë larg BE-së, duke dëmtuar integrimin në zinxhirët europianë të vlerës. Produktiviteti i punës është vetëm 25.7% i BE-së, ndërsa SME-të, megjithëse mbajnë peshën e ekonomisë (82% të punësimit, 64.3% të eksporteve), janë vetëm 18.3% produktive krahasuar me homologët e BE-së. Pa ulje të taksave e të burokracisë, e pa investime në infrastrukturë, arsim profesional dhe teknologji, ky hendek vetëm sa do të thellohet.
“Avantazhi” i gjelbër që nuk prek jetën e qytetarëve
Shqipëria shmang vendin e fundit në renditjen e përgjithshme vetëm falë klasterit të “Gjelbërimit”, i cili reflekton varësinë nga hidrocentralet dhe emetimet e ulëta të CO₂. Por ky është një avantazh statistikor, jo ekonomik: nuk sjell paga më të larta, shërbime më të mira apo një ekonomi më konkurruese. Përtej rënies drastike dhe vendit të fundit në klimën e biznesit, dhe në infrastrukturë, Shqipëria sipas OECD zë vendin e parafundit në transformim digjital dhe në aftësi e produktivitet.
Pasoja politike dhe urgjenca e reformave
Përtej OECD, Eurostat llogarit mbi 1.1 milion shqiptarë të larguar në dekadën e fundit, ndërsa raportet ndërkombëtare flasin për 20–30% të sektorit të ndërtimit të financuar nga para të pista. Ky kombinim, emigracion masiv dhe ekonomi e bazuar në para informale, përforcon modelin e konsumit të brendshëm dhe klientelizmit politik, duke e lënë Shqipërinë jashtë kursit të afrimit europian.
Në këtë kontekst, OECD nuk flet vetëm për tregues ekonomikë, por për një sfidë politike: pa sundim të ligjit, pa thyerje të strukturave monopolistike dhe pa një zhvendosje të kapitalit drejt prodhimit, Shqipëria rrezikon të mbetet në “kurthin e të ardhurave të mesme të ulëta”, e në stanjacion ekonomik qe rrezikon shume te shkojë në një krizë të thellë.
Përfundim
Raporti i OECD është një alarm i qartë: Shqipëria po rrëshqet drejt një ekonomie të stanjacionit të përhershëm, ku “avantazhi i gjelbër” maskon dështimin strukturor. Vendi duhet të zgjedhë: ose reforma të thella të anës së ofertës, ulje të burokracisë, nxitje të prodhimit dhe eksportit, ose një model ekonomik i kapur bazuar te sektorë joproduktivë, ndërhyrje favorizuese në treg, te remitancat dhe paratë e pista.