Shqipëria në vijën e kuqe të investimeve të huaja: Koha për ndryshim radikal
“Ekonomia shqiptare në udhëkryq: Rruga nga flluskat e ndërtimit te rritja e qëndrueshme bazuar ne prodhimtari dhe inovacion
Nikola Kedhi
8/1/20254 min read


Raporti i fundit i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AMCHAM) është sinjali më i fundit që dëshmon situatën alarmante të ekonomisë shqiptare. https://a2news.com/shqiperia/ekonomi/vleresim-negativ-i-amcham-shqiperia-spo-rregullon-dot-imazhin--i1154497
Shqipëria vazhdon të mbetet në një vlerësim jo të mirë për klimën e biznesit, me vetëm 46.47 pikë nga 100 të mundshme në Indeksin e Besimit të Bizneseve – një rënie me 1.1 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Ky indeks ka qenë gjithmonë nën 50% gjatë 12 viteve të fundit, duke sinjalizuar dështimin kronik në përmirësimin e imazhit tonë tek investitorët e huaj. Problemi më akut? Gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar, e vlerësuar me vetëm 27.23 pikë, ku 73.3% e kompanive raportojnë vështirësi serioze. Fenomen që nuk është i vështirë për t'u besuar me 1,1 milionë shqiptarë të larguar në dekadën e fundit. Kjo shoqërohet me monopole tregu, konkurrencë të pandershme, informalitet të lartë, burokraci asfiksuese, ndërhyrje qeveritare dhe ndryshime të shpeshta fiskale, të cilat pengojnë rritjen ekonomike.
Në kontekstin e situatës sonë ekonomike, me një rritje GDP rreth 3.9% në 2024 sipas INSTAT-it, dhe një rritje të parashikuar në 3.5% për 2025, inflacion rreth 2.4% dhe investime të huaja direkte (FDI) që arritën rreth 1.58 miliardë euro, por ende të pamjaftueshme për potencialin tonë, dhe të drejtuara në sektorë joproduktivë, është e qartë se problemi nuk është mungesa e burimeve, por mungesa e politikave të duhura. Motori kryesor i kësaj rritjeje vjen nga shërbimet dhe sektori i ndërtimit, i cili kontribuon ndjeshëm në GDP, por me një përqindje shumë të madhe informale dhe me një sasi të konsiderueshme parash nga narkotrafiku, të cilat lahen përmes projekteve të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, siç e paraqesin raporte dhe media ndërkombëtare. Sipas këtyre raportimeve, rrjetet kriminale shqiptare përdorin këtë sektor për të pastruar të ardhurat nga trafiku i kanabisit dhe kokainës, duke financuar rreth 20-30% të projekteve ndërtimore nga burime informale, në një përafrim konservator të impaktit.
Kjo mund të çojë në një rritje të PBB-së në pamje të parë, por nuk përkthehet në fuqizim të individit, as në rritje të mirëqenies së tij, pasi krijon një ekonomi të brishtë, të varur nga aktivitetet e paligjshme, që largon talentet dhe nuk shpërndan pasurinë në mënyrë të drejtë. Sot nuk ka treg të lirë, dhe ne jemi të varur nga sektorë joproduktivë, veçanërisht nga paraja informale dhe e pistë që kanalizohet në ndërtim, ndërkohë që forca punëtore largohet, çdo element i ekonomisë centralizohet, dhe prodhimi industrial bie me -7.73% në 2024, ndërsa bujqësia me -2.7%. Në momentin që rubineti i parave të pista (të përllogaritur në një përafrim konservator në minimumi 5% të GDP) të mbyllet, Shqipëria do të përballet me një krize të rëndë, pasi është tërësisht e varur nga këto flukse parash, teksa prodhimi vjen në rënie.
Në ekonomi të centralizuara, me kanalizim të mjeteve të prodhimit dhe kapitalit në pak duar, me taksa të larta e presion qeveritar të fortë nuk ka inovacion e as konkurrencë, eksportet bien ndjeshëm, fuqia negociuese e punonjësve ulet, çmimet rriten. Kjo mungesë kapitalizmi e lirie bën që varfëria të rritet në nivele të larta (20% nivel varfërie dhe gati 44% përjashtim social) dhe ekonomia të mbetet në mëshirën e një modeli të destinuar për t'u shkatërruar. Modeli aktual, me varësinë e rëndë nga sektorët jo-prodhues si ndërtimi, turizmi dhe flukset e dyshimta apo kriminale, përveç presionit të madh qeveritar në çdo segment të ekonomisë, është një strukturë e pasigurt e ndërtuar mbi rërë, duke fshehur sëmundje më të thella.
Qeveria socialiste ka thelluar rrënjët e problemit, duke u mbështetur në ndërhyrje shtetërore që shtypin iniciativën private dhe largojnë forcën punëtore e talentet, për të favorizuar klientët e vetë, gjë që ka çuar në centralizim të kapitalit e mjeteve të prodhimit, përveç se vendimmarrjes politike.
Për të dalë nga ky qorrsokak, duhet të rivendosim theksin tek produktiviteti dhe inovacioni – shtyllat e vërteta të zhvillimit. Receta është e thjeshtë: ulje e taksave në një normë fikse të ulët (p.sh. 10% për të ardhurat personale dhe korporative, 0% për të riinvestuara në tech, IA dhe prodhim) për të nxitur investimet, prodhimin dhe konsumin; deregulim drastik duke zbatuar rregullin "një-hyrje, tre-dalje" për të reduktuar burokracinë, duke thjeshtësuar procedurat e hapjes së bizneseve në një portal dixhital brenda 48 orëve dhe duke krijuar zona inovacioni; ulje e ndikimit të shtetit në ekonomi duke ulur shpenzimet qeveritare me 20-30% (nga 28.8% e PBB-së në 2024, duke kursyer €1.5-2.3 miliardë) përmes privatizimit dhe prerjes së subvencioneve shpërdoruese, duke ridrejtuar burimet drejt investimeve prodhuese si parqe tech dhe laboratorë IA; reformë arsimore që përqendrohet në aftësi praktike, teknologji dhe IA për të ndalur ikjen e trurit dhe për të krijuar fuqi punëtore të gatshme për industritë e reja, duke synuar €500-1 miliardë investime në vit (2-4% e PBB-së) nga kursimet dhe fondet e BE-së; forcim i sundimit të ligjit dhe rikthim i balancës së pushtetit, për të luftuar korrupsionin, ndërhyrjet qeveritare, korrupsionin me tenderat shtetërore, dhe monopolët; garanci juridike për çdo qytetar dhe sipërmarrës, vendas e të huaj, dhe decentralizim i pushtetit ekonomik e jo vetëm tek bashkitë, duke u dhënë autonomi fiskale për zhvillim lokal.
Këto masa, të provuara në Estoni ku reformat fiskale nxitën FDI me 25% në vit dhe krijuan qendra IA si Bolt, apo në Argjentinë ku Milei uli shpenzimet me 30%, duke ulur inflacionin nga 211% në 40% dhe duke çuar në një rritje të parashikuar me +5.5% në 2025, sipas FMN, do të rrisin produktivitetin duke inkurajuar inovacionin, veçanërisht në IA, ku investimet mund të dyfishojnë efikasitetin në bujqësi dhe turizëm. Përqendrimi në eksporte me vlerë të lartë, kredi tatimore për IA dhe zona tregtie të lira do të dyfishojnë eksportet e mallrave (përjashtuar turizmin) në €8 miliardë deri në 2028, duke rritur PBB-në për frymë në €15,000 deri në 2030 dhe duke ulur papunësinë në 5%.
Vetëm kështu do të tërheqim investitorë seriozë, do të rrisim produktivitetin dhe do të kthejmë Shqipërinë në një vend ku inovacioni lulëzon, jo ku burokracia e vret atë.
Kedhi është drejtues i Institutit Konservator Shqiptar