Strategjia e Kulturës 2026–2030

Boshllëqet mes vizionit, kulturëbërjes dhe financimit

Lindita Komani

8/13/20269 min read

Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 përcakton drejtimin që do të kenë politikat kulturore të Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme. Për këtë arsye, ajo duhet të tregojë jo vetëm çfarë projektesh do të realizohen, por si e lexon shteti gjendjen e kulturës sot, cilat konsideron problemet kryesore dhe çfarë sistemi kulturor synon të ndërtojë deri në vitin 2030.

Tri shtyllat e strategjisë prej rreth 180 faqesh, të cilat janë: kultura si nxitëse e cilësisë së jetës, kultura si mjet dialogu ndërkombëtar dhe mundësimi i ekosistemit kulturor, krijojnë në parim një kornizë bashkëkohore. Objektivat dhe aktivitetet konkrete paraqiten vetëm nga faqja 85 e vijim, pas një hyrjeje të gjatë, të ngarkuar me koncepte që përsëriten. Kur mbërrijmë te aktivitetet, bëhet i dukshëm edhe çekuilibri kryesor i strategjisë: trashëgimia, infrastruktura, muzetë, digjitalizimi dhe lidhja me turizmin janë shumë më të pranishme sesa krijimtaria e re dhe institucionet që e prodhojnë atë.

Ky shkrim paraqet disa nga vërejtjet e rëndësishme që mund të bëhen për këtë dokument, të cilat, shpresoj se do të arrijnë tek publiku i interesuar për zhvillimin e kulturës në vendin tonë, tashmë të përfshirë në lëvizjen më të rëndësishme shoqërore të dekadave të fundit, një lëvizje që ka drejtpërdrejt të bëjë me ndalimin e keqbërjes që ka lulëzuar mes të tjerash edhe në sektorin e kulturës.

Një diagnozë e mangët e kulturëbërjes

Strategjia 2026-2030 ofron një diagnozë të mangët të kulturëbërjes në Shqipëri. Ajo analizon në mënyrë shumë më të detajuar trashëgiminë, muzetë, Digit.al Heritage (Platforma Kombëtare Digjitale e Trashëgimisë Kulturore), GLAM-in (galeri, biblioteka, arkiva dhe muze), VISIT.AL (mjete ndërveprimi për kulturën), CulturAlb dhe turizmin kulturor sesa teatrin, muzikën, letërsinë, filmin, artet pamore, zhvilluar përmes institucioneve ose në skenën e pavarur.

Nuk kuptohet qartë në çfarë gjendjeje konsiderohen se janë sot dhe ku synohet të jenë në vitin 2030 Teatri Kombëtar, Teatri për Fëmijë, Cirku, teatrot në rrethe, Opera, Baleti, Ansambli Popullor, Biblioteka Kombëtare, QKLL, QKK, ose institucionet e arteve pamore. Po aq e mangët është analiza e kushteve në të cilat punojnë aktorët, regjisorët, dramaturgët, shkrimtarët, përkthyesit, kompozitorët, muzikantët, kineastët dhe profesionistët e pavarur.

Strategjia parashikon instrumente të dobishme: reformën e granteve, Statusin e Artistit, mobilitetin, rezidencat, fondin për festivale ose Këshillin e Artit, por këto janë kryesisht instrumente horizontale. Ato nuk zëvendësojnë dot politika të qarta sektoriale.

Edhe “Përmirësimi i Infrastrukturës së Prodhimit Kulturor” nuk e mbush këtë boshllëk. Një teatër i ri nuk është politikë teatrore, një bibliotekë e rikonstruktuar nuk është politikë e librit dhe një kinema nuk është politikë kinematografike. Pa një diagnozë reale të kulturëbërjes, koncepti i përsëritur i “ekosistemit kulturor” mbetet i paplotë.

Decentralizimi mbetet më shumë koncept sesa politikë

Strategjia flet për decentralizim dhe akses, por nuk ndërton një hartë të qartë të jetës kulturore në territor dhe të hendekut mes Tiranës dhe qyteteve të tjera.

Një qytet mund të ketë teatër, bibliotekë, ose qendër kulturore, por kjo nuk do të thotë se ka jetë kulturore të qëndrueshme. Duhet parë se sa kulturë prodhon, si financohet ky prodhim, çfarë mundësish kanë artistët vendas dhe sa rregullisht publiku, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, ka akses në teatër, film, muzikë, libër dhe art.

Decentralizimi duhet matur jo me numrin e objekteve në hartë, por me kulturën që prodhohet, qarkullon dhe arrin realisht te publiku në të gjithë vendin. Ai kërkon politika konkrete: bashkëfinancim qeveri qendrore-qeveri lokale, fonde për produksione të reja, mbështetje për bibliotekat dhe qendrat kulturore, programe turnesh kombëtare dhe mbështetje për artistët e pavarur jashtë Tiranës.

Një boshllëk i dukshëm janë edhe kinematë. Në qytetet ku tregu privat nuk e justifikon investimin, qeveria qendrore dhe bashkitë mund të mbështesin për shembull salla të vogla multifunksionale.

Mungon dimensioni i bashkëpunimit kulturor me Kosovën

Një boshllëk i mëtejshëm i Strategjisë është mungesa e një politike të posaçme për bashkëpunimin kulturor me Kosovën. Në një dokument që i kushton një shtyllë të tërë dialogut dhe pozicionimit ndërkombëtar të kulturës shqiptare, kjo mungesë është veçanërisht e habitshme.

Shqipëria dhe Kosova ndajnë gjuhën, një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë dhe të hapësirës kulturore, por ato vazhdojnë të funksionojnë në shumë drejtime si dy tregje të vogla dhe të fragmentuara. Strategjia duhej ta shihte bashkëpunimin jo vetëm në nivel simbolik, ose përmes aktiviteteve të përbashkëta sporadike, por si politikë strukturore për krijimin e një hapësire më të integruar kulturore shqiptare.

Kjo mund të përfshinte bashkëprodhime teatrore dhe kinematografike, qarkullimin e trupave dhe produksioneve, programe të përbashkëta për librin dhe autorët, shkëmbimin e koleksioneve bibliotekare dhe muzeale, projekte muzikore, festivale, rezidenca artistike, programe për të rinjtë dhe aplikime të përbashkëta në fondet europiane. Po aq i rëndësishëm do të ishte krijimi i mekanizmave që lehtësojnë qarkullimin e librit, filmit, veprave dhe artistëve në të dy tregjet.

Një treg kulturor prej vetëm 2.4 milionë banorësh ka kufizime të natyrshme. Një hapësirë e përbashkët Shqipëri-Kosovë krijon më shumë publik, më shumë mundësi prodhimi dhe shpërndarjeje dhe kushte më të mira për qëndrueshmërinë ekonomike të kulturëbërjes.

Prandaj është e vështirë të kuptohet se si një strategji që flet gjerësisht për ndërkombëtarizim, mobilitet, diplomaci kulturore dhe zgjerim të tregjeve, nuk e identifikon bashkëpunimin me Kosovën si një drejtim strategjik më vete. Para se kultura shqiptare të kërkojë tregje më të mëdha ndërkombëtare, duhet të shfrytëzojë shumë më mirë potencialin e hapësirës kulturore dhe gjuhësore që ekziston mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo temë ndërkohë adresohej me shumë vizion në programin e PD-së për kulturën dhe si bashkautore e atij programi dhe propozuese e këtij vizioni konkret, është e nevojshme që ta bëj këtë theksim.

Kultura duhet të shihet në funksion të turizmit

Trashëgimia, muzetë dhe digjitalizimi duhen financuar dhe këtë nuk e vë njeri në diskutim. Problemi qëndron tek mungesa e ekuilibrit mes kulturës si vlerë në vetvete dhe kulturës si instrument ekonomik e turistik.

Strategjia është shumë konkrete për turizmin kulturor, VISIT.AL, infrastrukturën e integruar kulturore, Digit.al.Heritage, GLAM dhe valorizimin e trashëgimisë, por nuk ka të njëjtin nivel programimi për teatrin, letërsinë, muzikën, filmin, artet pamore, ose teatrot rajonale.

Kultura mund dhe duhet të kontribuojë në ekonomi dhe turizëm, por ajo nuk ekziston për turizmin. Një vepër letrare, një dramë, apo një kompozim mund të mos sjellë turistë ose të ardhura të menjëhershme, por ato kanë vlerë artistike, intelektuale, identitare dhe shoqërore.

Edhe turizmi kulturor afatgjatë ka nevojë për kulturë të gjallë. Shqipëria nuk mund t'u ofrojë vizitorëve vetëm monumentet dhe muzetë e së kaluarës. Teatri, muzika, filmi, letërsia dhe artet bashkëkohore janë po aq pjesë e identitetit kulturor. Përndryshe, Strategjia rrezikon të jetë më shumë strategji e administrimit dhe promovimit të aseteve kulturore sesa e kulturëbërjes.

Buxheti duhet të tregojë se çfarë kulture financon shteti

Kjo mungesë ekuilibri reflektohet edhe në mënyrën e paraqitjes së buxhetit. Një strategji pesëvjeçare duhet të tregojë qartë jo vetëm se sa kushton zbatimi i saj, por se ku shkojnë paratë konkretisht.

Buxheti 2026-2030 duhej të ishte i lexueshëm sipas sektorëve: trashëgimi, muze, teatër dhe arte skenike, opera, balet, ansambël, muzikë, libër dhe letërsi, biblioteka, film dhe kinema, arte pamore, skenë e pavarur, edukim kulturor, diplomaci kulturore dhe digjitalizim. Brenda çdo sektori duhej të dallohej se sa shkon për funksionim dhe paga, sa për krijimtari dhe prodhim, sa për infrastrukturë dhe sa për grante. Vetëm kështu mund të shihet nëse rritja e buxhetit për kulturën është realisht rritje e mbështetjes për kulturëbërjen, apo kryesisht për ndërtime, rikonstruksione dhe sisteme digjitale.

Financimi duhej të lidhej gjithashtu edhe me rezultate: sa shfaqje, filma, libra, përkthime, vepra muzikore dhe ekspozita do të mbështeten; sa artistë do të përfitojnë; sa turne do të realizohen dhe sa financim do të bëhet jashtë Tiranës.

Buxheti është prova më e qartë e hierarkisë reale të prioriteteve. Prandaj, do duhej të ishte e mundur të lexohej për çdo sektor: sa financohet, për çfarë financohet dhe çfarë rezultati pritet për çdo financim.

Infrastruktura nuk mund të jetë më e rëndësishme se njerëzit

Investimi në infrastrukturë është i nevojshëm, por infrastruktura nuk prodhon vetë kulturë.

Në qendër të sistemit janë dhe duhet të mbeten njerëzit që bëjnë kulturën. Prandaj financimi publik duhet të mbështesë edhe procesin e krijimit: bursa, porosi për vepra të reja, zhvillim skenarësh dhe dramaturgjie, rezidenca, programe për artistët e rinj, financim produksioni dhe mbështetje shumëvjeçare për skenën e pavarur. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një treg të vogël si Shqipëria, në të cilin shumë profesione artistike nuk mund të mbështeten vetëm te tregu. Një godinë mund të restaurohet më vonë, por një brez krijuesish që largohet nga profesioni ose nga vendi nuk rikrijohet lehtë.

Ndërkohë që kjo strategji ka qenë në zhvillim e sipër, një keqbërje sikurse ishte financimi prej qindra milionë lekësh (nga fondi rezervë i shtetit) për artistë që s’kanë fare lidhje me realitetin shqiptar, ishte një shembull revoltues, që e nxorri në pah shumë qartë se çfarë konsiderate ka në të vërtetë kjo qeveri për artistët shqiptarë, të cilët nga ana tjetër nuk marrin asgjë ose jo më shumë se thërrime si mbështetje nga qeveria.

Statusi i Artistit: pse të pritet deri në vitin 2029?

Një nga masat më të rëndësishme të Strategjisë është Statusi i Artistit, i konceptuar si kornizë ligjore, fiskale dhe sociale për kushte më të drejta pune dhe mbrojtje sociale. Pikërisht për këtë arsye afati kërkon shpjegim. Nëse statusi do të bëhet plotësisht efektiv vetëm në vitin 2029, pse artistët duhet të presin edhe tre vjet për një reformë që Strategjia vetë e konsideron si themelore?

Dokumenti krijon edhe paqartësi: në pjesën narrative thuhet se zbatimi do të intensifikohet në 2026-2027, ndërsa afati 2029 shfaqet në planifikim. Atëherë çfarë ndodh në 2029: miratimi, hyrja e plotë në fuqi, apo përfundimi i zbatimit?

Statusi i Artistit nuk është një koncept i ri. Strategjia vetë i referohet Rekomandimit të UNESCO-s të vitit 1980. Për më tepër, Programi i PD-së i vitit 2025 e kishte përfshirë Statusin e Artistit/Shkrimtarit ndër reformat kryesore, të lidhur me sigurimet, formalizimin dhe mbrojtjen profesionale. Nëse artistët janë vërtet në qendër të “ekosistemit kulturor”, kjo reformë duhej të ishte ndër të parat, jo ndër masat që shtyhen drejt fundit të periudhës strategjike.

Programi i PD-së dhe një mbivendosje që kërkon shpjegim

Krahasimi me Programin për Artin dhe Kulturën të PD-së është veçanërisht interesant.

Një program elektoral nuk mund të krahasohet teknikisht me një strategji ministrore 180-faqëshe. Por dokumentet mund të krahasohen për diagnozën, prioritetet dhe zgjidhjet politike.

Programi i PD-së, i hartuar në fillim të vitit 2025, niset nga probleme konkrete: politizimi, mungesa e meritokracisë, kushtet sociale të artistëve, financimi, centralizimi dhe cilësia e prodhimit. Ai propozon Statusin e Artistit/Shkrimtarit, autonominë institucionale, transparencën, decentralizimin dhe reforma financimi, por mbi të gjitha zbret në sektorë konkretë: teatër, teatër për fëmijë, cirk, opera, balet, ansambël, muzikë, film, letërsi, biblioteka, arte pamore dhe kulturë në rrethe.

PS nuk paraqiti në zgjedhjet e 11 majit 2025 një program sektorial për kulturën të krahasueshëm në gjerësi dhe konkretësi. Programi i saj përmbante vetëm një seksion relativisht të shkurtër për këtë fushë.

Pikërisht për këtë arsye është domethënëse ajo që ka ndodhur më pas. Strategjia 2026–2030 përfshin një pjesë të konsiderueshme të paketës reformuese të artikuluar më herët nga PD: decentralizim, autonomi institucionale, meritokraci, transparencë, Status të Artistit, reformë të granteve, stimuj për investime private, industri krijuese, digjitalizim, diplomaci kulturore, mobilitet, lidhje kulturë-arsim-teknologji-turizëm, statistika kulturore dhe mbështetje të sektorit të pavarur.

Kjo nuk provon automatikisht përvetësim, sepse disa prej ideve janë edhe pjesë e politikave europiane. Por kronologjia, numri dhe kombinimi i përputhjeve, si dhe fakti që ato nuk ishin zhvilluar në të njëjtën shkallë në programin elektoral të PS-së, e bëjnë të ligjshme pyetjen për ndikimin e mundshëm të Programit të PD-së në Strategjinë e mëvonshme të qeverisë socialiste.

Çfarë kulture do të kemi në vitin 2030?

Strategjia përmban ide të vlefshme: Statusin e Artistit, reformën e granteve, decentralizimin, diplomacinë kulturore, digjitalizimin dhe industritë krijuese. Problemi është se këto ide nuk mbështeten mbi një diagnozë po aq të plotë të kulturës së gjallë dhe nuk shndërrohen në politika të qarta për të gjitha fushat që e prodhojnë atë.

Një “ekosistem kulturor” nuk ndërtohet vetëm me infrastrukturë, muze, trashëgimi dhe platforma digjitale. Në qendër të tij duhet të jenë krijuesit, institucionet prodhuese, veprat e reja dhe publiku.

Prova e vërtetë e suksesit të kësaj Strategjie do të jetë nëse në vitin 2030 Shqipëria do të ketë ose jo rritje në cilësi dhe sasi në teatër, kinematografi, letërsi, muzikë, film dhe arte pamore; institucione më të forta; jetë kulturore më të pasur në të gjithë territorin; skenë të pavarur në lulzim; dhe artistë që mund të krijojnë e të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre.

Trashëgimia që ruajmë sot është krijimtaria e njerëzve të djeshëm. Nëse nuk investojmë te krijuesit e sotëm, çfarë trashëgimie do të kemi për të ruajtur nesër?

Insights

Promoting conservative values in economic policy, national security and governance.

Contact

info@albanianconservativeinstitute.org

© 2025. All rights reserved.