Tarifat e reja të SHBA: Një shans historik për Shqipërinë dhe Kosovën në rikonfigurimin e Ballkanit

Në një kohë kur Serbia u godit me një tarifë prej 37% — më e larta në të gjithë Evropën — dhe Bosnja me 35%, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi përfituan trajtimin më të favorshëm, me një tarifë vetëm 10%. Këto shifra, që në pamje të parë duken si statistikë, në fakt përfaqësojnë një shans historik për shqiptarët në rajon që nuk duhet të shpërdorohet.

Enri Çeno

8/3/20255 min read

Më 1 gusht 2025, administrata Trump shpalli një nga vendimet më të forta të politikës tregtare në Ballkanin Perëndimor që nga përfundimi i luftërave në vitet ‘90: vendosjen e tarifave të diferencuara për eksportet drejt Shteteve të Bashkuara. Ky vendim, që në sipërfaqe duket si një masë ekonomike proteksioniste, në të vërtetë është një goditje gjeopolitike me pasoja të thella rajonale. Në një kohë kur Serbia u godit me një tarifë prej 37% — më e larta në të gjithë Evropën — dhe Bosnja me 35%, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi përfituan trajtimin më të favorshëm, me një tarifë vetëm 10%. Këto shifra, që në pamje të parë duken si statistikë, në fakt përfaqësojnë një shans historik për shqiptarët në rajon që nuk duhet të shpërdorohet.

Ky është një prej atyre momenteve të rralla në histori, kur një kombinim i rrethanave ndërkombëtare, pozicionimit politik dhe ekuilibrave tregtarë krijon një derë të hapur. Në këtë derë nuk hyn vetëm potenciali ekonomik — hyn edhe ideja e drejtësisë gjeopolitike, e stabilitetit afatgjatë dhe e fuqizimit të shqiptarëve si faktor vendimmarrës në Ballkan.

Ekonomia është gjithmonë më shumë se thjesht tregti. Kur një produkt shqiptar hyn në tregun amerikan me një tarifë 10%, ndërsa një i ngjashëm nga Serbia me 37%, pasojat janë të menjëhershme: prodhuesit amerikanë dhe ndërkombëtarë kërkojnë kosto më të ulëta, efikasitet dhe treg të hapur. Në këtë moment, Shqipëria dhe Kosova bëhen jo vetëm alternativa më e lirë, por edhe më e leverdishme gjeopolitikisht. Ky hendek tarifor krijon një dinamikë të re në rajon: investitorët që deri dje mund të kishin marrë në konsideratë Serbinë, tashmë e kanë gjithnjë e më të arsyeshme të kthejnë sytë nga Prishtina apo Durrësi. Jo për hir të ndjeshmërisë politike, por për llogari të ftohtë financiare.

Ajo që kërkohet tani është shndërrimi i këtij avantazhi në një strategji kombëtare të mirëartikuluar. Kjo nuk arrihet thjesht me shpresa, por me vendimarrje institucionale. Duhet ndërtuar një klimë që jo vetëm ul kostot për investitorët e huaj, por i ofron atyre siguri ligjore, infrastrukturë të besueshme dhe një treg të organizuar. Zonat e lira ekonomike janë vetëm fillimi. Ato duhet të jenë të lidhura me porte, me korridore transporti dhe me qendra logjistike që funksionojnë me efikasitetin e ekonomive të zhvilluara. Kërkohet modernizimi i sistemeve doganore, dixhitalizimi i gjithë zinxhirit të eksportit dhe mbështetje institucionale për përmbushjen e standardeve të tregut amerikan, si FDA për produktet ushqimore apo OSHA për mallrat industriale.

Në këtë rrugëtim, roli i diasporës shqiptare në SHBA është kritik. Ajo nuk është më thjesht komunitet i ndjeshëm ndaj çështjeve kombëtare, por është një urë aktive drejt rrjeteve të biznesit, institucioneve dhe tregjeve të Amerikës. Një politikë e koordinuar mes Ministrive të Jashtme dhe Ekonomisë në Tiranë dhe Prishtinë mund të mobilizojë këtë potencial si asnjëherë më parë. Krijimi i një agjencie të përbashkët ekonomike shqiptare në SHBA, me qendër në Nju Jork apo Washington D.C., do të shërbente si qendër kontakti për çdo investitor apo distributor amerikan që kërkon të hyjë në rajon.

Por dimensioni ekonomik nuk është i ndarë nga ai politik. Serbia, e ndëshkuar me tarifën më të lartë në Evropë, e gjen veten nën presion të trefishtë: ekonomik, diplomatik dhe narrativ. Në një kohë kur qeveria serbe vazhdon të refuzojë njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe mbështet destabilizim në veri, ky është një sinjal që SHBA-të janë të gatshme të përdorin edhe instrumente ekonomike për të ndikuar në sjelljen politike. Dhe pikërisht këtu, qeveria e Kosovës, me mbështetje nga Shqipëria dhe partnerët ndërkombëtarë, duhet të vendosë në tavolinë jo vetëm kërkesën për njohje, por edhe për një marrëveshje përfundimtare paqeje, që do të sillte stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Nëse Prishtina dhe Tirana arrijnë të ndërtojnë rritje ekonomike nga kjo situatë, atëherë Serbia përballet me një zgjedhje: ose ta mbajë veten të izoluar nga ekonomia globale, ose të pranojë një ndryshim rrënjësor në qasjen e saj ndaj fqinjëve shqiptarë. E thënë ndryshe, fuqia e tregut mund të bëjë atë që diplomacia klasike nuk e ka arritur për 15 vite. Një Kosovë e suksesshme ekonomikisht, që eksporton mallra të certifikuara në SHBA dhe tërheq investime të huaja, është më e fuqishme se një Kosovë që bën vetëm nota proteste.

Në këtë drejtim, momenti historik kërkon bashkëpunim të thelluar institucional mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke vepruar si një bllok ekonomik i përbashkët. Le të imagjinojmë për herë të parë një zyrë të përbashkët për tregtinë me SHBA, një plan kombëtar të përbashkët për nxitjen e investimeve, apo një strategji të përbashkët të eksportit. Këto nuk janë më vizione idealiste, por nevoja konkrete në një realitet të ri që e ka vendosur botën shqiptare në një pozitë përfituese.

Sot kemi shansin të shohim një formë të re të bashkimit kombëtar — jo përmes retorikës, por përmes interesit ekonomik të përbashkët, të mbështetur nga realitete ndërkombëtare. Për herë të parë, tregu është më i fuqishëm se retorika nacionaliste e Beogradit. Për herë të parë, eksporti i një makinerie apo një veshjeje “Made in Albania” apo “Made in Kosovo” mund të shërbejë si deklaratë force më e fuqishme se çdo rezolutë.

Ky moment është i përkohshëm. Administratat ndërrohen, tregjet lëvizin, politika botërore nuk rri në vend. Nëse nuk shfrytëzohet tani, me kurajo dhe me vendimmëri, do të mbetet një rast i humbur që brezat do ta kujtojnë me keqardhje. Por nëse veprohet sot, atëherë brezi i ardhshëm do të flasë për gushtin e vitit 2025 si fillimin e një epoke të re për shqiptarët në Ballkan: një epokë ku zgjuarsia politike, vizioni ekonomik dhe uniteti strategjik bënë diferencën.

Dhe ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, është e mundur që të krijohen kushtet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, e cila jo vetëm do të formalizojë njohjen, por do të vendosë themelet e bashkëpunimit afatgjatë ekonomik dhe politik në rajon. Nëse Serbia përballet me koston reale të izolimit ekonomik dhe tarifave shkatërruese, ndërkohë që shqiptarët përjetojnë një rritje të shpejtë ekonomike dhe pozicion gjeostrategjik të përforcuar, atëherë presioni për një zgjidhje bëhet i papërballueshëm. Serbia mund ta pranojë një marrëveshje paqeje — madje edhe më të favorshme për shqiptarët sesa ajo e shtatorit 2020 — nëse ajo shoqërohet me garanci për heqjen e tarifave dhe rikthimin e aksesit të saj në tregun amerikan.

Dhe ky është një tjetër avantazh i madh për shqiptarët: fakti që presidenti aktual amerikan është i njëjti që ndërmjetësoi marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Uashington, e cila për shumë ishte akti më i afërt drejt normalizimit të plotë. Me të njëjtin president në Shtëpinë e Bardhë dhe me një qasje tashmë më të qartë ekonomike ndaj rajonit, shqiptarët kanë në dorë jo vetëm shanset për zhvillim të brendshëm, por edhe mekanizmin për të ndikuar arkitekturën politike të rajonit.

Historia ndonjëherë troket fort — por ajo pret veprim, jo vetëm mirëkuptim. Shqipëria dhe Kosova sot nuk duhet të mjaftohen me interpretimin e momentit. Duhet të marrin përgjegjësinë për ta udhëhequr atë.

Z. Çeno është bashkëthemelues dhe anëtar bordi i Institutit Konservator.