THIRRJE PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË NJERIUT DHE FORCIMIN E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI
Rezolute e iniciuar nga Fondacioni per Liri dhe Demokraci dhe Institute Konservator Shqiptar, se bashku me mbi 20 organizata te tjera te shoqerise civile per shkeljen e te drejtave te njeriut ne Shqiperi.
Instituti Konservator Shqiptar
1/10/202512 min read


Ne,
qytetarë dhe organizata shqiptare të angazhuara në promovimin e demokracisë, lirive themelore dhe një shteti të së drejtës,
duke marrë parasysh situatën aktuale në Shqipëri, përkeqësimin e standardeve demokratike, përqëndrimin e te gjitha pushteteve ne nje dore, kryeministrit Edi Rama, zëvendësimin e zgjedhjeve te lira me farse elektorale, e te drejtësisë në degë ekzekutivi, arrestimet dhe burgosjet politik të liderëve të opozitës dhe deputetëve dhe qeveritarëve vendorë të saj dhe shkeljet e renda të drejtave të njeriut të raportuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
instalimit në Shqipëri të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë;
duke iu referuar rezolutave të fundit të miratuara nga Internacionalja Demokratike e Qendrës (CDI), Partia Popullore Europiane (EPP) dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar (IDU) të cilat theksojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes së të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë dhe rritjen e transparencës dhe integritetit në qeverisje;
duke sjellë në vëmendje gjithashtu përkeqësimin në ushtrimin dhe garantimin e të drejtave të njeriut në Shqipërisë nga raportet e ndryshme si Amnesty International, Journalists without Borders, World Justice Project, si dhe nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut;
si pjesëmarrës të forumit “Të drejtat e shkelura” të mbajtur në Tiranë në datën e sotme :
1. Dënojmë shkeljet e vazhdueshme të raportuara të të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në Shqipëri, përfshirë kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes, manipulimet zgjedhore dhe gjendjen dramatike ne burgjet e vendit, 62 % e të burgosurve janë ne paraburgim, mungesën e transparencës në qeverisje.
2. Ritheksojmë se respektimi dhe garantimi i të drejtave themelore janë parakusht për një demokraci funksionale dhe për përmbushjen e aspiratave të popullit shqiptar për integrim Europian, partneritet atlantik, dhe prosperitet socio-ekonomik.
3. Kujtojmë se garantimi i të drejtave për çdo qytetar, përfshi gjatë proceseve hetimore, penale apo gjyqësore, është një parakusht për të evituar rrëshqitjen drejt një regjimi policor ku kufizimi i dhunshëm i lirive mbizotëron përkundrejt zbatimit të një procesi të drejtë gjyqësor;
4. Theksojmë nevojën për të adresuar këto sfida përmes një angazhimi kombëtar dhe ndërkombëtar, duke përfshirë aktorët politikë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ne,
Konsiderojmë emergjente dhe i bëjmë thirrje:
Qeverisë Shqiptare:
Të respektojë me rigorozitet të drejtat e qytetarëve, në veçanti ato në lidhje me pronën private dhe lirinë e lëvizjes, duke garantuar që secila prej tyre nuk mund të tjetërsohet as të kufizohet nëpërmjet formave të ndryshme të ndalimit policor ose paraburgimit, pa një proces gjyqësor efektiv, të drejtë dhe transparent.
Të garantojë lirinë e shprehjes, duke ndaluar çdo formë censure dhe presioni ndaj gazetarëve, qytetarëve dhe përfaqësueseve politikë.
Të organizojë një garë zgjedhore të lirë dhe të ndershme, duke siguruar një proces elektoral të pandikuar nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore ose kërcënimet politike.
Të garantojë votimin e Diasporës dhe të sigurojë mos prekjen e votës së saj.
Të respektojë ndarjen e pushteteve & pavarësinë e institucioneve shtetërore, përfshirë institucionet vendore të zgjedhura demokratisht si bashkitë dhe këshillat bashkiakë.
Të ndalojë çdo ndërhyrje, instrumentalizim apo politizim të sistemit të drejtësisë, si në terma të drejtësisë administrativo-penale, ashtu dhe në atë kushtetuese.
Të vërë në jetë një kulturë perëndimore dialogu, duke bashkëpunuar më çdo aktor me rëndësi, politik, ekonomik ose nga shoqëria civile, për të ndaluar agjendën e shpopullimit, shkatërrimin e arsimit, shëndetësisë, për të zgjidhur çështjen e pronës, pensionet dhe minimumin jetik.
Të mundësojë krijimin e një qeverie teknike sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të menaxhuar procesin zgjedhor dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.
Komunitetit Ndërkombëtar:
Të monitorojë me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, duke përdorur rezolutat e miratuara nga CDI, EPP dhe IDU si udhërrëfyes për të ndihmuar rikthimin e standardeve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Të konstatojë shkeljet e shumta të të drejtave të qytetarëve shqiptarë të cilat enden me vite të tëra për të marrë drejtësi, ose mbahen fizikisht në ndalim policor ose paraburgim për shkak të një sistemi drejtësie jo-efektiv dhe jo-të drejtë.
Të vendosë presion ndaj qeverisë shqiptare për të ndalur shkeljet e të drejtave të njeriut dhe për të siguruar zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit, në veçanti për sa i përket korrupsionit trans-nacional dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Të ndërmjetësojë negociatat për krijimin e një qeverie teknike në shembullin e Maqedonisë së Veriut, që do të mundësojë një garë zgjedhore të lirë dhe të ndershme.
Të ofrojë asistencë teknike dhe financiare për përmirësimin e infrastrukturës zgjedhore dhe forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
Aktorëve të shoqërisë civile dhe opozitës politike Shqiptare, të bashkohen nën një mision të përbashkët në mbrojtjen e të drejtave themelore, të vlerave universale dhe parimeve të mëposhtme:
Liritë dhe të Drejtat Individuale: Individët lindin të lirë me të drejta të patjetërsueshme. Detyra e qeverisë është të garantojë dhe jo t’i kufizojë këto të drejta dhe liri të cilat janë të pandashme nga liritë politike dhe ekonomike.
Shteti i së Drejtës: Shqipëria duhet të vendosë një shtet ligjor që siguron ndarjen dhe balancimin e pushteteve, mbrojtjen e institucioneve dhe decentralizimin e pushtetit, duke luftuar fuqimisht mbi gjithçka kapjen e institucioneve nga korrupsioni dhe krimi. Sot, shteti nuk njeh vendimet e institucioneve të veta, për shembull Parlamenti nuk njeh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo mosnjohja e vendimit te gjyqit te 13 pagave të Naftëtarëve të Rafinerisë Ballshit.
Fuqizimi i Qytetarit: Qytetarët duhet të kenë një rol aktiv në politikëbërje dhe qeverisje, me një fokus te përfaqësimi i drejtpërdrejtë, respektimi i interesave të tyre, dialogu transparent dhe jo imponimi me dhunë i vendimmarrjeve.
Tregu i Lirë: Ekonomia shqiptare duhet të bazohet në kapitalizmin, sipërmarrjen dhe garantimin e një tregu realisht të lirë si mekanizma për krijimin dhe shpërndarjen e drejtë të pasurive kombëtare, dhe duke nxitur kështu një ekonomi konkurruese, që ofron fitime dhe paga të larta por dhe taksa e borxh publik të ulët.
Fuqizimi i Prodhimit Vendas: Ndryshimi i modelit ekonomik nga thjesht importues e konsumator në prodhues e eksportues, duke nxitur prodhimin vendas, bujqësor e blegtoral, duke fuqizuar industrinë përpunuese dhe ndihmuar fermerët shqiptarë.
Një arsim cilësor, shkencor e patriotik: Arsimi është themeli i mundësive për çdo individ dhe garanton zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Një komb nuk ka të ardhme pa investuar në arsimin e brezit të ri. Prandaj, ne mbështesim reformat arsimore në të gjitha nivelet për të rritur cilësinë e tij, për ta çliruar nga ndikimet ideologjike duke synuar një depolitizim dhe dekomunistizim të plotë të përmbajtjes dhe kurrikulave, veçanërisht në shkencat shoqërore.
Një shëndetësi dinjitoze: Një reformimi i sektorit shëndetësor shqiptar që të udhëhiqet nga qëllimi fisnik i rritjes së jetëgjatësisë për çdo shqiptar, duke u kujdesur paralelisht që kjo jetëgjatësi të përkthehet në vite jete cilësore, me kosto të ulët për qytetarët e shërbim cilësor.
Mbrojtja e shtresës më vulnerabël të shoqërisë, pensionistët: Garantimi i dinjitetit dhe një jetese të rehatshme për pensionistët, duke arritur në një pension dinjitoz sa paga minimale. Gjithashtu, ne kërkojmë vendosjen e Statusit për Minatorët.
Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore e Historike: Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe historike është një detyrim ndaj brezave të kaluar dhe një investim për të ardhmen, që ruan identitetin kombëtar dhe lidhjen me rrënjët tona. Ne theksojmë rëndësinë e ruajtjes së monumenteve, traditave dhe vlerave historike si një burim frymëzimi dhe kohezioni për shoqërinë, si dhe një element thelbësor i identitetit tonë. Bëjmë thirrje për rindërtimin e teatrit aty ku ishte dhe si ishte.
Prona Private: Respektimi i pronës private shihet si thelbësor për sigurinë dhe zhvillimin shoqëror, duke e lidhur ngushtë me liritë dhe dinjitetin njerëzor përtej çdo statusi strategjik apo korruptiv që e tjetërson pronën private.
Dekomunistizimi dhe Demokracia: Kërkohet hapja e dosjeve komuniste dhe ndalimi i glorifikimit të diktaturës duke përfshirë më shumë edukim e sensibilizim për të mbrojtur liritë dhe për të rikthyer dinjitetin e viktimave, apo evituar ripërsëritjen e një modeli anti-demokratik, anti-të drejta dhe anti-perëndimor. Të lejohet me ligj përfshirja në drejtimin e institucioneve kushtetuese shtresa antikomuniste me një kuotë të veçantë. Ne kërkojmë që të dënohen krimet e komunizmit me ligj siç i ka dënuar Europa dhe të gjenden eshtrat e 6000 të zhdukurve të komunizmit.
Decentralizimi: Decentralizimi i pushtetit dhe zhvillimi i balancuar i territorit forcojnë vetëqeverisjen lokale, rrisin llogaridhënien dhe sigurojnë që çdo zonë të ketë mundësi të barabarta për zhvillim.
Mjedisi: Ruajtja e mjedisit dhe burimeve natyrore për ne është thelbësore për të siguruar një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Ne kërkojmë harmonizimin e zhvillimit ekonomik me mbrojtjen ekologjike. Gjithashtu, ne inkurajojmë shfrytëzimin e burimeve alternative të përftimit të energjisë, uljen e humbjeve në rrjet dhe ndëshkimin e keq menaxhimit të Kaskadës së Drinit sipas rekomandimeve ligjore te KLSH. Ne kërkojmë zbatimin e rezolutës së Këshillit Bashkiak Dibër kundër HEC Skavicës, si përfaqësues të zgjedhur për të mbrojtur interesat e komunitetit qe preket drejtpërdrejt. Ne kërkojmë të zbatohet legjislacioni për të drejtat e konsultimit publik, konventa e Bernës dhe e Arhusit duke mos prekur zonat e mbrojtura nëpërmjet makinacioneve për të hapur rruge projekteve ndërtimore siç është aeroporti i Vlorës si dhe ndërhyrja ne Butrint.
Integrimi Europian: Anëtarësimi në BE është një objektiv parësor, që garanton respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e vendit, që rrit konkurrencën dhe mbron të drejtat e konsumatorit shqiptar ndër të tjera.
Mbrojtja e Shqiptarëve dhe Vlerave Kombëtare: Nevoja për të mbrojtur shqiptarët kudo që ndodhen, dhe për të garantuar në mënyrë të pa kompromis familjen, vlerat tradicionale shqiptare, dhe lirinë e besimit si themele të shoqërisë sonë. Ne mbështesim krijimin e një Ministrie për Familjen dhe Ripopullimin, si dhe një hetim për shkaqet dhe agjendën shpopullimit, si dhe të censusit të fundit të kryer.
Dinjiteti dhe Jeta Njerëzore: Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor është një detyrë e shenjtë, duke garantuar të drejtat e individëve nga fillimi deri në fund të jetës.
Rindërtimi i Shoqërisë: Promovimi i lirive dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor shihen si çelësi për ringjalljen e shoqërisë shqiptare, së bashku me një funksionim normal të dialogut social mes grupeve të ndryshme shoqërore.
Ne,
nënshkruesit e kësaj rezolute:
Angazhohemi të mbrojmë të drejtat e njeriut, të promovojmë vlerat demokratike dhe të qëndrojmë në solidaritet me të gjithë qytetarët shqiptarë që kërkojnë një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë.
Kërkojmë nga të gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtarë të bashkohen në këtë përpjekje për të siguruar një Shqipëri demokratike dhe të begatë.
Nënshkruar më 18 dhjetor, në Tiranë, Shqipëri.
Referenca
Rezoluta e Internacionales Demokratike të Qendrës https://twitter.com/idc_cdi/status/1868693155744510033
Rezoluta e Partive Popullore Europiane (EPP)
Rezoluta e Unionit Demokrat Ndërkombëtar (IDU)
https://www.idu.org/idu-resolution-on-albania/
Raporti i Amnesty International
Raporti i Journalists without Borders
https://euronews.al/en/press-freedomin-albania-in-a-critical-situation-the-recommendations-of-reporters-without-borders/ https://rsf.org/en/rsf-and-albanian-media-council-publish-policy-blueprint-ensure-right-information
Raporti i World Justice Project
https://worldjusticeproject.org/rule-of-law-index/country/2023/Albania/
Raportet e prodhuara nga Opozita Shqiptare:
https://pd.al/international-newsletter/
Farsa elektorale e 14 majit
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=7f8f476313
Raport i publikuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci mbi narko-komunizmin
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=cf17e008cb
Raport nga Partia Demokratike e Shqipërise mbi situatën në Shqipëri
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=dfe5921bf4
Reportazh nga Der Spiegel: Prime Minister Rama and Corruption in Albania https://www.spiegel.de/ausland/albanien-premier-edi-rama-hofieren-europas-regierungschefs-den-falschen-a-5df015c1-97d4-4d1a-a161-d0c6479db77d
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=bcfe5db6b4
Reportazh mbi krimin dhe korrupsionin në Shqipëri bga Rai3
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=8cc88d2748
Reportazh nga mediat franceze mbi autoritarizmin e qeverisë:
Raport i misionit të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë
https://us12.campaign-archive.com/?u=703c8065ef608c88abb2edbba&id=b0b7ce5e10
Organizatat nënshkruese:
- Fondacioni për Liri dhe Demokraci: FLD është fondacioni zyrtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i cili synon të promovojë liritë individuale, demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut. Po ashtu, FLD synon të kontribuoje në forcimin dhe mbështetjen e jetës politike në Shqipëri, forcimin e shoqërisë civile dhe në promovimin e vlerave demokratike.
- Instituti Konservator Shqiptar: Instituti kryesor konservator në Shqipëri e rajon që fokusohet në promovimin e vlerave konservatore, politikat ekonomike të tregut të lirë, qeverisjen e mirë, sigurinë kombëtare, dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke mbështetur vlerat e familjes, traditës dhe lirisë.
- Albanian Policy Center: Një qendër mendimi konservatore që promovon qeverisje demokratike, siguri kombëtare, dhe zhvillim ekonomik në Shqipëri, duke mbështetur tregjet e lira dhe shtetin ligjor.
- Keshilli Atlantik Shqiptar: Një organizatë që promovon integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe partneritetin me NATO-n, duke adresuar sfidat e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
- Koalicioni shqiptar pro familjes dhe jetës: Koalicioni është një organizatë e rëndësishme konservatore në Shqipëri e fokusuar në mbrojtjen e vlerave tradicionale të familjes dhe të jetës. Bashkon organizata të ndryshme fetare dhe të shoqërisë civile të cilat kanë synim mbrojtjen e jetës dhe familjes.
- Shqipëria kundër shpopullimit: Një organizatë e krijuar nga aktivistë të njohur të shoqërisë civile për të sensibilizuar dhe sjellë në vëmendje tragjedinë më të madhe që po i ndodh atdheut tonë, braktisjen e vendit, nëpërmjet një agjende shpopullimi.
- Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Organizatë e krijuar nga një grup artistësh për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, dhe më pas për a rindërtuar atë aty ku ishte dhe si ishte.
- Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim: Një organizatë që mbështet ish-policët, duke i ndihmuar ata dhe duke qenë një zë i fortë në arenën publike shqiptare në mbështetje të të drejtave të tyre.
- Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë: Shoqata ka për qëllim të kontribuojë për mbrojtjen e interesave të njësive të vetëqeverisjes vendore, me objektiv forcimin e strukturave dhe mekanizmave demokratike në organizimin e Bashkive dhe zbatimin e parimeve të Kartës Europiane të Autonomisë Lokale
- Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë: Një organizatë që përfaqëson interesat e biznesit të vogël dhe të mesëm, duke qenë një zë i rëndësishëm në hapësirën publike shqiptare për reforma ekonomike dhe mbështetje për sipërmarrësit.
- Alternativa Studentore: Një organizatë e rëndësishme rinore në qytetin e Shkodrës, që mbështet të drejtat e studentëve dhe inkurajon përfshirjen e tyre në çështje publike dhe sociale.
- Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë: BSPSH është konfederata më e madhe në Shqipëri e krijuar në shkurt 1991 dhe luftoi së bashku me Sindikata e Pavarur e Minatoreve te Shqiperise - SPMSH për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, regjimin më të egër të Ballkanit.
- Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë: Një sindikatë e themeluar ne 1991 në mbrojtje te interesave social-ekonomike te arsimtareve.
- Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë: SPASH është një organizatë që përfaqëson interesat e artistëve dhe punonjësve të kulturës në Shqipëri. Ajo angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të artistëve, përmirësimin e kushteve të punës dhe promovimin e statusit të artistit në vend.
- Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Shqipërisë: Sindikata e parë e pavarur e themeluar në vitin 1991 në Shqipëri, e cila ka dhënë kontributin e saj për rrëzimin e regjimit komunist dhe për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri!
- Unioni Mbarëkombëtar I Integrimit të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë: Është një organizatë që përqendrohet në të drejtat, njohjen dhe integrimin e ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist në Shqipëri.
- Grupimi Dhjetor 90: Grupimi Dhjetor 90, krijuar vetem pak dite pas vrasjes se Liderit Historik të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 90, Azem Hajdari, përfaqëson vlerat dhe idealet për të cilat studentët u ngritën, për një Shqipëri të lirë e demokratike si e gjithë Europa.
- Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë: Organizatë e shoqërisë civile me qendër në Tiranë, e specializuar në çështjet e monitorimit, transparencës, qeverisjes së mirë dhe medias.
- Akademia Rrënjët Tona: Një organizatë e cila synon të ndikojë në politikat strategjike të shtetit shqiptar në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare. Përmes fushatave periodike sensibilizuese dhe aktiviteteve të tjera të organizuara, Akademia synon të mobilizojë komunitetin shqiptar për të ndërhyrë në proceset vendimmarrëse në nivel kombëtar.
- Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar: Një organizatë që përfaqëson punonjësit e sektorit të naftës në Shqipëri, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të naftëtarëve, duke përfshirë negocimin e kontratave kolektive, sigurimin e kushteve më të mira të punës dhe adresimin e çështjeve që lidhen me pagat, sigurinë në punë dhe përfitimet sociale.
- Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës: Një organizatë e shoqërisë civile e cila proteston kunder ndërtimit të HEC Skavica, me arsyetimin se permbyt 35 fshatra, 20 mijë banorë shperngulen, dhe mijëra hektarë tokë prodhuese fundoset nen uje, zhduket kultura, historia dhe nëpërkëmbet dinjiteti, shkatërrohet biodiversiteti, flora e fauna.