Trashëgimia e Charlie dhe Erika Kirk - Një Thirrje Beteje për Vlerat

Lindita Komani

9/21/20253 min read

Charlie Kirk u vra, por kush ka parë të paktën një nga filmimet e debatave nëpër kampuset universitare amerikane, mund ta kuptojë mirë që ajo që ndodhi ishte që vranë Charlie Kirk, por jo Charlie Kirk brenda të rinjve dhe të rriturve që ishin tashmë ndjekës të tij. "Turning point" ka mbirë tashmë si farë, sepse njeriu ka aftësinë të kthehet dhe të rimëkëmbet, të ketë një "turning point" në jetë, duke dëgjuar dhe duke mos u radikalizuar, duke dashur Zotin dhe të afërmin, duke zgjedhur bashkimin përballë përçarjes. Charlie Kirk ishte deri dje një njeri me të ardhme të ndritur përpara. Nga sot unë mendoj që modeli që ai ngriti është e ardhmja. Pjesë e këtij modeli është edhe e shoqja e tij, Erika.

Me Erikën, Charlie krijoi jo vetëm një familje të shëndetshme dhe të lumtur, por dëshmoi që kjo lloj familjeje është e mundur, edhe për të rinjtë, në mes të çmendurisë kolektive të shekullit të 21-të, kur prej tyre, si pjesë e një eksperimenti të pamëshirshëm psikosocial global, ose më mirë një lufte të fshehtë-të hapur mbi njeriun, pritet që ta kenë humbur krejtësisht arsyen, marrëdhënien me Zotin dhe familjen, të jenë qenie të vogla, egoiste, narciziste, të paqëndrueshme, të vetmuara, të izoluara, urrejtës ndaj kujtdo që mendon ndryshe nga ata.

Charlie dhe Erika krijuan një shembull publik të çiftit të krishterë, të cilët me Zotin në zemër e me ta, ishin të dashur, miq, familje për njëri-tjetrin dhe fëmijët dhe frymëzues për miliona të rinj të tjerë, që një jetë në Krishtin fal lumturi, siguri, mbrojtje. Ky shembull ishte ndryshe nga ai i shumë personazheve të rrjeteve sociale, të cilët ekspozojnë jetën familjare për të siguruar fitime të drejtpërdrejta përmes marketizimit të saj. Çifti Charlie – Erika ishte një çift që po punonte për të ardhmen, të tyren ndoshta në politikën e lartë, por njëkohësisht edhe për një shoqëri më të mirë, më pranuese, në shenjën e Krishtit. Kjo e fundit i jepte këtij çifti dhe familjeje të re hirin e misionarëve, të cilët mund t’i njohim edhe nga angazhimi i tyre në terren edhe këtu në Shqipëri.

Po sa njerëz arritën të frymëzoheshin nga puna e misionarëve amerikanë, që synonin përhapjen e një mënyre jetese që përngjante deri diku me atë të familjeve shqiptare që dolën nga komunizmi, por që vendoste Krishtin në qendër dhe jetën e virtytshme nuk e lidhte me “Nënën Parti” dhe diktatorin e radhës, por me Shpëtimtarin e njerëzimit? Për 35 vjet tranzicion, në mënyrë konstante dhe të egër, kjo përpjekje misionare u zhurmua nga një përpjekje tjetër, e cila ishte zhvlerësuese e çdo vlere që jo vetëm ne, por edhe vetë amerikanët, mund të kishin për jetën familjare, rritjen e fëmijëve dhe virtytet mbi të cilat një njeri mund të ndërtonte jetën. Ne njohëm jo Amerikën e besimit, por Amerikën e zhbërjes së tij, që vinte në qendër individin, vazhdimisht në përpjekje për një lumturi që nuk u kuptua kurrë sesi duhet të ishte, por që vazhdimisht transformohej sipas një agjende të majtë globaliste, një agjendë që e radikalizoi Amerikën duke ia kthyer qytetarët kundër njëri-tjetrit.

Tridhjetepesë vjet pas rënies së komunizmit, e ndoshta për shqiptarët që nuk kanë kontakt me Amerikën e besimit, me rastin e vrasjes së Charlie Kirk, për herë të parë u kuptua që ekziston një Amerikë më e madhe dhe shumë ndryshe nga ajo që kemi njohur. Prandaj, misioni i pambyllur i Charlie-t për ungjillizim, dialog dhe çradikalizim politik, për të qenë një burrë dhe baba i mirë dhe kushtrimi i Erikës si grua ideale, tani e ve, nënë e dhimbsur e fëmijëve dhe mikeshë e ngushtë po jehojnë vërtet nëpër botë si një thirrje beteje.

Znj. Komani është drejtuese bordi e Institutit Konservator.