Treninua

Iljaz Mehmeti

9/14/20264 min read

Në qytet kishin pritur njëqind vjet për trenin. Kur më në fund u dëgjua fishkëllima, njerëzit dolën në rrugë si për festë. Kishte flamuj në ballkone, fëmijë të veshur bukur dhe pleq që qanin.

Në ballë të lokomotivës shkruhej:

TREN DIREKT PËR NË EUROPË

"Mbaruam," tha një burrë duke përqafuar gruan. "Edhe ne do të bëhemi njerëz."

Dy të fejuar premtuan se do të martoheshin sapo të mbërrinin.

Dy shokë blenë bileta pranë njëri-tjetrit. "Nga sot fillon jeta," tha njëri.

Askush nuk pyeti sa zgjaste udhëtimi. Mjaftonte që treni kishte ardhur.

Në fillim gjithçka dukej normale.

Pastaj u kërkua një pagesë shtesë. Pastaj një tjetër. Pastaj u hoqën sediljet, për modernizim. Më pas dritaret, për transparencë.

Askush nuk dinte më nëse treni po ecte, por altoparlanti përsëriste: "Po i afrohemi Europës."

Njerëzit duartrokisnin gjithnjë e më pak. Por shumë pak prej tyre zbrisnin.

Një mëngjes vagonët u riorganizuan. Udhëtarët tani duhej të qëndronin ngjitur, njëri pas tjetrit.

Rregulli u kuptua shpejt. Secili e ndjente nga ai që kishte pas, por edhe secili kishte dikë, apo disa përpara.

Në fillim pati britma. Pastaj filluan llogaritë.

Burri i tha gruas: "Rri pas meje."

"Që të më mbrosh?"

"Jo. Të paktën të mbetet në familje."

Dy shokët u panë me dyshim.

"Ti rri përpara."

"Pse unë?"

Pas pak nuk ishin më shokë. Ishin dy pozicione.

Dy të fejuarit u gjendën sërish te sporteli.

"Merr dy bileta," tha ajo.

"Po e di çfarë ndodh brenda?"

"E di."

"Atëherë pse hypim?"

Ajo pa radhën. "Sepse të gjithë hypin."

Pastaj iu afrua dhe i pëshpëriti: "Ti vetëm siguroju të kemi njerëzit e duhur përpara."

Ai bleu dy bileta. Dasmën e shtynë përsëri.

Në radhë ishte edhe Profesori.

Kishte studiuar shtatë vjet në Angli. Familja kishte shitur një copë tokë, ai kishte marrë borxh, kishte punuar netëve dhe kishte ngrënë sanduiçe të ftohta në biblioteka, me bindjen se një ditë do të kthehej dhe do t'i vlente vendit të vet.

Kur u kthye, pa për vite me radhë njerëz, që nuk kishin lexuar as kapakun e një libri, të hypnin në vagonët e parë.

Në fillim u neverit. Pastaj u zemërua. Më në fund filloi të bënte llogaritë.

"Kam investuar shumë në këtë vend," thoshte.

Një mëngjes kolegët e panë në radhë për biletë.

"Edhe ti, Profesor?"

Ai rregulloi syzet. "Nuk po korruptohem. Po rimbursohem."

Dhe kur më në fund hypi, nuk e shqetësoi ajo që ndjeu nga pas.

Pas kaq vitesh pritjeje, kënaqësia që ndjente dikë përpara ishte pothuajse akademike.

Në fund të trenit udhëtonte populli e rradhës së vagonave nuk i dukej fundi.

Në mes udhëtonin biznesmenët, drejtorët, profesorët dhe njerëzit që dinin kujt duhej t'i telefononin për të ndërruar vend.

Përpara tyre ishte një vagon i veçantë. Aty udhëtonin politikanët. Por edhe ata rrinin njëri pas tjetrit.

Ministri kishte përpara një sipërmarrës të madh ndërtimi dhe prapa një tjetër.

Kryetari i bashkisë kishte përpara ministrin.

Një deputet kërkonte të kalonte një vend më lart.

"Nuk ka vende," i thanë.

"Po unë jam pushteti."

Konduktori qeshi. "Këtu të gjithë janë pushteti për dikë dhe vagon për dikë tjetër."

Vagoni i fundit përpara lokomotivës ishte më elegant.

Aty rrinte Shefi.

Kishte pranë shefin e vet, pra Shefin e Shefit, dhe disa Ambasadorë.

Në mur varej një hartë e madhe e Europës. Shefi e shikonte shpesh.

Ai kishte një ëndërr të vërtetë: një ditë, kur të hapej libri i historisë, të lexohej emri i tij si ai që kishte drejtuar Trenin.

"Këtë do të lë pas," thoshte.

Ambasadorët buzëqeshnin. "Vazhdoni reformat."

Administrata buzëqeshte. "Gjithçka po ecën sipas planit."

Shefi i Shefit i vinte dorën mbi shpatull. "Historia do t'ju kujtojë."

Shefi nuk e vinte re se ndërkohë administrata ishte qeveri më vete, Ambasadorët i kishin futur në kokë fjalimet e tyre dhe Shefi i Shefit e kishte shaluar me ëndrrën e tij.

Kur e kuptoi, ishte vonë.

U kthye i revoltuar. "Po unë drejtoj trenin!"

Shefi i Shefit buzëqeshi. "Jo. Ti vetëm je më afër lokomotivës."

Në stacionet e tjera, ndërkohë, radha për bileta bëhej gjithnjë e më e gjatë.

Një ditë një djalë pyeti të atin: "Baba, ky është ende treni për në Europë?"

I ati u mendua. "Kështu quhet."

"Dhe shkon atje?"

"Kjo nuk është më pyetja."

"Po cila është?"

I ati i tregoi radhën. "Të gjesh vendin e duhur."

Djali pa njerëzit që hipnin. "Po të gjithë e dinë çfarë i pret."

"Pikërisht."

"Atëherë pse blejnë biletë?"

I ati nxori portofolin. "Sepse këtu askush nuk pret Europën. Presin radhën.”

Bleu dy bileta. Njërën për vete. Tjetrën për djalin.

Mbi stacion vazhdonte të ndriçonte tabela e vjetër:

TREN DIREKT PËR NË EUROPË

Poshtë saj ishte varur një tjetër:

TRENINO PËR NË EUROPË

Dikush kishte provuar t’a hiqte.

Por nga brenda trenit ishte dëgjuar një zë: "Lëre. Është e vetmja tabelë që thotë të vërtetën.

Insights

Promoting conservative values in economic policy, national security and governance.

Contact

info@albanianconservativeinstitute.org

© 2025. All rights reserved.