Gjysma e Globit në Zgjedhje - A Po Vdes Demokracia Vetëm në Shqipëri?
Rreth 4.4 miliardë njerëz, në më shumë se 70 vende të botës, shkojnë në zgjedhje këtë vit. Ndër to bëjnë pjesë 8 nga 10 vendet me popullsi më të madhe në botë. Një rekord historik ku zgjedhje legjislative, presidenciale dhe lokale, pa më të voglin dyshim, do të ndryshojë raportet gjeopolitike dhe dinamikat socio-ekonomike të të gjithë botës. Këtë vit do zgjedhin edhe në demokracinë e tretë në botë, Islandën, por edhe në Korenë e Veriut, për aq sa mund të quhen zgjedhje.
Demokracia është një realitet relativisht i ri për shumë vende. Ndërsa koncepti i demokracisë duket së pari në antikitetin grek, ku qytetarët merrnin pjesë në proceset e vendimmarrjes, forma moderne e demokracisë nisi të marrë formë në shekujt XVII dhe XVIII me shfaqjen e ideve si të drejtat individuale, qeverisja përfaqësuese dhe kontrata shoqërore. Mandej, në shekullin XX demokracia nisi të përhapet më gjerësisht në të gjithë botën.
Ne shekullin e V-të p.e.s, politikani më i famshëm në Athinën e kohës, Perikliu, mbajti fjalimin e njohurku i thuri elozhe demokracisë. Fjalë që kanë udhëtuar nëpër shekuj pa humbur peshën e tyre. Fjalë që nuk thuheshin në kulmin e lavdisë së Athinës, por përkundrazi, në një nga momentet më të vështira të saj. Qyteti ishte nën diktatin e armikut të padukshëm, atë të murtajës, por edhe e përfshirë në një nga konfliktet me te mëdha të Greqisë së lashtë. Në këtë konflikt përballeshin dy fuqitë më të mëdha të kohës, Athina dhe Sparta, dhe njëkohësisht dy modele të kundërta, ku e para përfaqësonte një demokraci e tjetra një oligarki. Dy modele që në një formë ose tjetrën janë përballur shpeshherë në shekullin e kaluar dhe në vitet në të cilat po jetojmë.
Sot, sipas International IDEA's Global State of Democracy, demokracia është në pikën më të ulët. Kohët e fundit, është bërë e qartë se, edhe në demokracitë më të mira, shumëllojshmëria e institucioneve, rregullave, kontrolleve dhe kundërpeshave të nevojshme për të mbajtur sistemin gjendet në një ekuilibër të hollë, që mund të prishet lehtë. Raporti për Demokracinë i Institutit V-Dem për vitin 2023 thekson se 72% e popullsisë së botës, rreth 5.7 miliardë njerëz, jetonin në autokraci, në fund të vitit 2022.
Niveli i demokracisë për qytetarët globalë në fund të vitit 2022 ka arritur nivelet e vitit 1986. Sipas raportit, për herë të parë në dy dekada, bota ka më shumë autokraci të mbyllura sesa demokraci liberale. Megjithatë, në terma të PBB-së, demokracitë liberale dhe demokracitë zgjedhore përbëjnë mbi 50% të GPD-së botërore.
Gjenerata jonë, e cila nuk ka jetuar në sistem të mirëfilltë diktatorial, në Shqipëri dhe në botën Perëndimore, ka qenë sidoqoftë dëshmitare e krizave të vazhdueshmeqë nga ajo ekonomike e vitit 2008, në krizën sanitare të 2021 apo në një krizë të projektuar ekologjike, pa harruar konfliktin në dyert e Europës mes Rusisë dhe Ukrainës apo atënë lindjen e Mesme. Deri sot kemi lidhur demokracinë liberale me modelin kapitalist dhe zhvillimine vazhdueshëm ekonomik, duke përcaktuarmirëqenien ekonomike si arsyen e vetme te demokracisë.
Vitet e fundit, modelet që vijnë nga Kina apo edhe India e Bangladeshi janë mundur të imponojnë në nivele të ndryshme idenë se zhvillimi ekonomik vjen edhe në mungesë të demokracisë.Kina, e ndihmuar dhe nga ngadalësimi në ekonomitë perëndimore për shkak të largimit të tyre nga kapitalizmi i tregut të lirë, u duk se po zhvillohej dhe mund të arrinte statusin e ekonomisë më të madhe. Por borxhi i jashtëzakonshëm publik, rënia e eksporteve, krijimi i qyteteve fantazmë, largimi i shumë kompanive perëndimore për shkak të pasigurisë politike dhe praktikave të padrejta të biznesit, kanë bërë që ajo rritje artificiale të ishte e paqëndrueshme. Duke provuar dhe një herë se zhvillimi ekonomik pa kombinimin e kapitalizmit të tregut të lire me demokracinë është një iluzion i destinuar të bjerë.
Nga ana tjetër, mbetet pyetja se përse ka humbur besimi te demokracitë liberale që pas krizës së 2008, kur ky model i kombinuar me kapitalizmin çojnë në zhvillim dhe harmoni sociale.
Demokracia ka humbur terren e ndjeshmëri në katër cepat e botës. Kthimi ne autokraci apo diktature nuk është thjeshtë teorik. Që nga sulmet e 11 shtatorit apo më pas atyre terroriste në Europë, demokracia ka humbur terren në emër të sigurisë. Herë me armikun e dukshëm, herë të padukshëm prej më shumë se dy dekadash, si zgjedhje politike apo si derivë autoritare e demokracisë, dëgjojmë gjithnjë e më shpesh shprehjen "në emër të sigurisë". Pra shtetet kanë marrë gjithnjë e më shumë pushtet ndaj individit në emër të sigurisë të këtij të fundit. Këtë e pamë së fundmi edhe në menaxhimin e krizës së COVID. Por, siç do të shprehej dhe Benjamin Franlin, ata që sakrifikojnë lirinë për pak siguri nuk meritojnë as njërën as tjetrën.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, Neil Gorsuch, u shpreh para pak kohësh se "nga marsi i vitit 2020, mund të kemi përjetuar shkeljet më të mëdha të lirive civile në periudhë paqeje të këtij vendi. Zyrtarët ekzekutivë në të gjithë vendin nxorën dekrete emergjente në një shkallë mahnitëse. Guvernatorët dhe udhëheqësit vendorë vendosën urdhra për bllokim që detyronin njerëzit të qëndronin në shtëpitë e tyre. Ata mbyllën bizneset dhe shkollat, publike dhe private. Ata mbyllën kishat, megjithatë lejuan kazinotë dhe bizneset e tjera të favorizuara të vazhdonin. Ata kërcënonin shkelësit jo vetëm me sanksione civile, por edhe me sanksione penale."
Në turp të jo vetëm amerikanëve, por të qytetarëve kudo, liritë individuale u shkelën me miratim të heshtur nga pothuajse të gjithë. Disa që nuk pajtoheshin ishin heshtur, dhe çdo diskutim ishte i ndaluar, nga një koalicion I frikshëm i mediave, politikanëve, Big Tech dhe Big Pharma.
Kjo pikëpamje thellësisht e majtë—ndofta guxojmë të themi madje dhe socialiste—ju imponua të gjithëve ne, në disa raste edhe nga udhëheqësit konservatorë apo të qendrës së djathtë, të cilët shpesh treguan një entuziazëm më të madh se kolegët e tyre të majtë. Në të njëjtën kohë, kur individët shohin që vetë institucionet e zgjedhura prej tyre shkelin të drejtat për të cilat ato janë krijuar për t’i mbrojtur, ata humbasin besimin në rregullat dhe proceset demokratike.
Si reagim dhe rezultat i bashkëpunimit të qeverive, interesave financiare dhe Big Tech, të cilat po sjellin cilësitë komuniste të vjetra në çdo gjë përveç emrit, shumica e popujve ngrihen në Perëndim, duke votuar për të njëjtat ide që parti konservatore apo të qendrës së djathtë kanë mbrojtur gjithmonë, si liritë individuale, përgjegjshmëri, tregje të lira, tregti të lirë dhe të drejtë, tradita, kultura, mbrojtja e kufijve dhe sundimi i ligjit. Meqë shumica e partive tradicionale të qendrës së djathtë u zhvendosën majtas, u krijuan parti konservatore të reja, patjetër shumë më të zhurmshme se ato të vjetrat, por në thelb duke mbrojtur e propozuar ide të njëjta, dhe që janë tejet natyrale.
U pa, si gjatë krizës së vitit 2008, dhe gjatë periudhës 2020-2021 se qeveritë në mënyrë të përsësitur ishin shkaktaret e krizave, dhe politikat fajtore paraqiteshin si shpëtimi në emër të kapitalizmit dhe demokracisë, duke u futur në një cikël shkatërrimtarë. Ndërkohë këto politika nuk ishin as kapitaliste, as demokratike, por thellësisht autokratike. Duke kamufluar natyrën e tyre, dhe duke u paraqitur si diçka që nuk janë, goditej në këtë mënyrë dhe besimi te demorkacia dhe tregu i lirë.
Mediat, shumica e të cilave janë financuar dhe nën presionin e grupeve radikale të majta, bërtasin për ekstremizëm të djathtë. Megjithatë, shumica e popullatave të këtyre vendeve nuk mund të jetë dhe nuk është ekstreme, ndërsa mbrojnë ide të shëndetshme dhe normale që dikur ishin norma në një shoqëri.
Votimi për këto parti është një mekanizëm mbrojtës i shumicës së njerëzve, kur ata shohin që të drejtat dhe liritë e tyre po bjerrin ngadalë dhe janë nën sulm. Këtë vit, kjo luftë për demokraci dhe të drejtat dhe liritë individuale do të jetë motivimi kryesor për shumicën e votuesve. Duhet të jetë motivimi kryesor i votuesve kudo, në Shqipëri dhe në rajon.
Dizinformimi, mos angazhimii të rinjve apo shpejtësia e shpërndarjes së informacionit janë kthyer po ashtu armiqtë më të mëdhenj të demokracisë. Sot informacioni shpërndahet në një shpejtësi marramendëse dhe po ashtu në sasi që nuk janë parë kurrë më përpara në historinë e njerëzimit. Kjo e bën qytetarin të humbasë në detin e pafund të informacionit, dhe të ndikohet nga informacioni i rremë, i cili nuk mund të përgënjeshtrohet kurrsesi me të njëjtën shpejtësi qe dizinformon. Rrjetet sociale nga ana tjetër, në fillim motorë të protestave të mëdha nga ata të Pranverës Arabe deri tek Jelekverdhët francezë janë kthyer motori me i madh i dizinformimit. Të vendosur nën diktatin e algoritmeve të kontrollueshëm nga ai që paguan më shumë janë kthyer si polici informatik i informacionit shpesh në duart e autokratëve.
Në këto kushte edhe sikur demokracia të funksiononte perfekt, a vlen më të quhet demokraci kur një pjesë e madhe e popullit manipulohet në mënyre permanente? Shpesh në debate të ndryshme demokracia quhet si luks i të pasurve. E para, sepse ata kontrollojnë mediat dhe kanë influencë më të madhe mbi njerëzit nëpërmjet kapitalit që kanë në dispozicion, por edhe në kuptimin e demokracisë si prioritet i vendeve të pasura.
Jo rastësisht dhamë shembullin e Perikliut. Përballë ushtarëve të vdekur, i rrethuar nga jashtë nga armiku dhe nga brenda nga murtaja, ai zgjedh të bëjë fjalimin më të famshëm mbi demokracinë duke treguar superioritetin që ka mbi çdo sistem tjetër. Liria dhe barazia e trajtimit të qytetarëve është edhe më e rëndësishme se mirëqenia ekonomike, por e lidhur pazgjishmërisht me këtë të fundit. Vendosja nëpërmjet negocimit dhe kompromisit, besimi te institucionet e forta bën një shoqëri që jeton në paqe edhe në kohë krizash.
Në Shqipëri njëlloj si në vende si Bangladeshi demokraciaka vdekur literalisht, pikërisht ndërkohë që po lindte. Njerëzit, madje as politikanët nuk marrin më asnjë vendim. Gjithçka është nën thundrën dhe humorin e një personi të vetëm. Si në Bangladesh ku qeveria e rizgjedhur pa asnjë surprizë javën e kaluar, kërcënon votuesit për heqjen e ndihmave sociale e deri tek shtëpitë e dhëna nga shteti nëse nuk votohet qeveria, burgos opozitën deri në nivele lokale, prodhon kandidatë për të mos u dukur parlamenti vegël e një partie unike, po ashtu edhe në Shqipëri demokracia është varrosur. Opozita nuk ka më fjalën e saj, media është kthyer në papagall të qeverisë dhe opozitat alternative çojnë e ulin tarabat e partive politike me kandidatë në shërbim të fasadës demokratike. Si në Bangladesh, të votosh qeverinë është t’i kthesh nderin që të paktën na jep të hamë. Kjo tablo e ngjashme mes Bangladeshit dhe Shqipërisë është rrezik i madh për të ardhmen e një vendi që po shuhet.
Demokracia ka te metat e veta, por siç thotë ish kryeministri Britanik WinstonChurchill, është më pak i keqi nga të gjithë sistemet që njohim. Përpara se tëshkruajmë epitafin e Demokracise, duhet ti bëjmë një pyetje të thjeshtë vetes. Në diskutime mes miqsh, në familje, punë apo kudo, a preferojmë debatin apo dhunën? Kaq i thjeshtë dhe kaq i domosdoshëm është roli i demokracisë në raportin social që duhet të vendosim. Të marrësh një vendim, ta vendosësh me konsensus, të pendohesh dhe ti rikthehesh edhe një herë vendimit, kjo është përditshmëria jonë dhe kështu duhet të jetë edhe për vendimet që marrim si shoqëri.
Demokracia, ashtu si kapitalizmi në rrafshin ekonomik, është e vetmja zgjidhje sepse alternativa është dhuna dhe diktati arbitrar. Duket se, reagimi në pjesë të ndryshme të botës, dhe votimi për parti në dukje atipike, vjen pikërisht si përpjekje për të rivendosur këto balanca shoqërore të dëmtuara, por ende jo të vrara.