Deklaratë zyrtare e Institutit Konservator Shqiptar
Mbi Programin Qeverisës 2025–2029
Instituti Konservator Shqiptar
9/19/202511 min read


Instituti Konservator Shqiptar (ACI) shpreh shqetësimin e thellë që në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë nuk u lejua që të diskutohej programi që do të qeverisë shqiptarët në katër vitet e ardhshme, një ndodhi e paprecedentë dhe e papranueshme për një vend kandidat për në Bashkimin Europian.
ACI e ka analizuar me vëmendje Programin Qeverisës 2025–2029. Në dritën e situatës reale ekonomike të vendit, siç e përshkruajmë në studimin tonë Modeli Ekonomik i Shqipërisë (shtator 2025), dhe në dritën e parashikimeve të institucioneve të pavarura (Raiffeisen Research, Komisioni Europian, Banka Botërore, OECD), arrijmë në përfundimin se Programi i PS është një përbërje premtimesh pa baza të mjaftueshme produktive dhe fiskale dhe pa një vizion për zhvillim të qëndrueshëm të vendit, që do të përkeqësojë situatën dhe shpopullimin e vendit.
1) Përmbledhje e shkurtër e situatës ekonomike dhe fakte themelore
Ekonomia shqiptare po tregon dobësi strukturore: prodhimi industrial ra me 7.73% në 2024 dhe 5.7% në T1 2025, bujqësia ra me 2.70% në 2024 dhe 2.8% në T1 2025 dhe produktiviteti ka rënë mesatarisht -1.2% (2023–2025), shifra të përmbledhura dhe analizuar në studimin tonë. (Albanian Conservative Institute).
Ekonomia shqiptare tashmë rritet vetëm si rezultat i rritjes së shpenzimeve qeveritare (vetëm administrata publike u rrit me 19% në tremujorin e parë të vitit 2025), shërbimet (turizmi kryesisht, me kontribut +2.1% në tremujorin e parë të vitit 2025) dhe ndërtimi (sektori i pasurive të patundshme kontribuoi +8% në T1 2025) ku, fatkeqësisht, kanalizohen të gjithë flukset e parave ilegale (përafërsisht EUR 700 milionë euro në vit, përafrim konservator, dhe ku vetëm 20% e financimit vjen nga bankat).
Paga reale mesatare mujore bruto në tremujorin e dytë të vitit 2025 ishte 16.3% më e ulët se paga bruto, duke reflektuar ndikimin e inflacionit në fuqinë blerëse të qytetarëve.
Parashikimet makro për rritjen e vendit janë të rishikuara me trend rënës krahasuar me pritshmëritë e mëparshme: Komisioni Europian projekton rritje të PBB-së rreth ~3.5–3.6% në 2025, Banka Botërore ka ulur parashikimin në ~3.2% për 2025 dhe ulje për në vitin 2026, ndërsa Raiffeisen Research raporton rënie në 3.5% të rritjes ekonomike, që e bën parashikimin e qeverisë në 4% mesatarisht, vështirësisht të arritshëm.
Mbi 1,1 milionë shqiptarë kanë braktisur Shqipërinë, sipas EUROSTAT, nga viti 2014, në mënyrë ligjore dhe joligjore. Nataliteti është më i ulëti në Europë, me disa vite ku vdekjet tejkalojnë lindjet. Nuk mund të ketë program ekonomik, arsimor, shëndetësor apo të zhvillimit urban pa marrë parasysh këtë krizë thelbësore të vendit.
Ekonomia është e deformuar nga rrjedha e parave informale/ilegale: para nga tregtia e drogës që arrijnë në 20% të GDP, dhe shkojnë drejt sektorit të pasurive të paluajtshme (300 milionë deri në 700 milionë euro në vit lahen në ndërtim), deficiti tregtar për mallra -25.3% të PBB-së (2025), si dhe një ekonomi informale që në tërësi vlerësohet rreth 30–35% të PBB-së. Këto faktorë e bëjnë strukturën e rritjes jashtëzakonisht të brishtë. (Albanian Conservative Institute)
Varfëria është në nivele 20% dhe përjashtimi social arrin 42%.
Rritja modeste e IHD vjen si pasojë e riinvestimeve (në masën 60%) dhe e investimeve në sektorin e pasurive të patundshme, të cilat në këndvështrimin tonë klasifikohen gabimisht si IHD.
Rënia me 11 pikë në raportin e konvergjencës së OECD, ku kemi vendin e fundit në klimën e biznesit, infrastrukturë dhe produktivitet.
2) Çfarë premton Programi (pikat kyçe) — dhe burimet e premtimeve tij
Programi parashikon, ndër të tjera: paga minimale 500 € (brenda 2026), paga mesatare kombëtare 1,000–1,200 € deri 2030, rritje pagash sektoriale (p.sh. +25% për mjekë/infermierë deri 2029), rritje PBB ~4%/vit, dyfishim/dyfishim të të ardhurave nga turizmi dhe investime të mëdha infrastrukturore dhe industriale. Këto premtime dhe objektiva janë të përshkruara në tekstin zyrtar të Programit.
3) Arsyeja kryesore pse Programi dështon: mungesa e bazës prodhuese
3.1. Pagat nuk rriten me dekret; rritja e pagave kërkon rritje produktiviteti
Çdo teori ekonomike sqaron se paga reale (fuqia blerëse) rritet kur rritet produktiviteti për punonjës, i cili sipas raporteve ndërkombëtare ka qenë në rënie vitet e fundit. Në kushtet kur industria dhe bujqësia po tkurren (–7.73% respektivisht –2.70%), nuk ekziston baza e domosdoshme për të financuar rritje të përgjithshme dhe të qëndrueshme të pagave. Një rritje nominale pagash me dekret pa rritje produktiviteti çon në një nga tre skenarët e mëposhtëm: (a) inflacioni i detyruar (fuqia blerëse rri e pandryshuar), (b) mbyllje/ulje vendesh pune në sektorin formal, që kalon punë në informalitet, ose (c) financim i përkohshëm me borxh i cili rrit riskun sovran dhe barrën tatimore të së ardhmes. Të gjitha këto rrezikojnë që pasojat afatmesme të jenë më të rënda se përfitimet elektorale afat-shkurtra. (Shih premisat e Programit për rritje pagash/dobësitë strukturore). (Albanian Conservative Institute)
3.2. Inflacioni, kosti i punës dhe konkurrueshmëria
Në një ekonomi të hapur me import të lartë (eksporte të kufizuara ~€4 mld dhe në rënie nga nënçmimi i madh i euros, dhe rënia e prodhimit dhe deficit tregtar shumë i madh), rritja e pagave pa rritje produktiviteti ul marzhet e fitimit dhe i bën bizneset prodhuese jo-konkurruese. Investitorët që kërkojnë prodhim (çfarë na duhet për të rritur eksportet) do të shmangin mjedise me kosto pune të rritur dhe produktivitet të ulët. Në vend të kësaj, kapitali dhe punët e reja do të orientohen drejt ndërtimit dhe shërbimeve që prodhojnë ROI të shpejtë (dhe shpesh janë përshtatje për larje kapitali), përforcohet nga fluksi i parave joformale. (Albanian Conservative Institute)
4) Analizë kritike e pikave kryesore të Programit
4.1. Paga minimale 500 € deri 2026 & paga mesatare 1,000–1,200 € deri 2030
Programi propozon ngritje të pagave si masë kryesore për mirëqenie; por Programi nuk specifikon masat konkrete, fiskale dhe prodhuese me të cilat do të rritet produktiviteti në masën e nevojshme për të bërë këto paga të qëndrueshme. Nuk ka as ulje të taksave, as deregullim, as hapa për të rritur konkurueshmërinë në sektorin privat, një nga problemet e shumta që thekson raporti i investimeve për Shqipërinë i Departamentit të Shtetit.
Me industri në tkurrje –7.73% (2024) dhe bujqësi në tkurrje –2.7% (2024), çdo rritje pa nxitjen e prodhimit vendor do të jetë financuar në mënyra të rrezikshme: borxh, rritje taksash, ose rritje e informalitetit. Të gjitha këto ulin mirëqenien afatmesme dhe afatgjatë.
Varfëria sipas organizatave ndërkombëtare dhe INSTAT është në 20% dhe përjashtimi social është në 42%. Hendeku mes pagës minimale dhe pagës maksimale është më i larti në Europë, ashtu si paga minimale në Shqipëri është më e ulëta.
4.2. Rritja PBB ~4%/vit — premtim i pa mbështetur në strukturë
Institucione të pavarura (Komisioni Europian, Banka Botërore, Raiffeisen) parashikojnë rritje midis ~3.2%–3.6% për 2025, jo rritje të qëndrueshme vjetore 4% që kërkon programi. Pra, pritet një ulje apo stagnim relativ ndaj objektivit të Programit dhe këtë qeveria nuk e sqaron se si do ta kapë. Gjithashtu, të gjithë krahasimet për rritje ekonomike që bëhen, në të shkuarën apo të ardhmen, nuk marrin parasysh forcimin e lekut dhe ndikimin që ka në përllogaritje.
4.3. Bujqësia: “modernizim” pa zinxhir përpunimi dhe treg
Programi përmend teknologji dhe zinxhirë furnizimi, por nuk ofron instrumente konkrete: ulje kostoje inputesh, përpunim të produktit në vend (agro-processing), akses të garantuar në tregje të BE-së, apo skema nxitëse të investimeve për përpunim. Pa këto, fermeri do të mbetet i ekspozuar ndaj importeve dhe humbjes së tregjeve vendorë. Programi nuk jep asnjë hap konkret për frenimin e tkurrjes së bujqësisë, e cila punëson rreth 30% të qytetarëve, sepse në radhë të parë as nuk e evidenton si një problem strukturor të ekonomisë. (Përmbledhje në program: 2.7 Bujqësia dhe Zhvillimi Rural).
4.4. Industria dhe prodhimi: zgjidhje “start-up” nuk zëvendëson bazën industriale
Programi përqendrohet tek teknologjia, startup-et dhe teknoparku, të cilat janë të nevojshme, por nuk janë zgjidhje e menjëhershme për rivendosjen e kapaciteteve prodhuese që lëvizin eksportet me vlerë të shtuar. Shqipëria ka pasur tkurrje industriale të rëndë; pa skema ekonomike për rindërtimin e linjave të përpunimit dhe për stimuj për eksport, start-up-et do të mbeten një shtresë e vogël moderne që nuk transformon bazën.
Gjithashtu, OECD në raportin e konvergjencës me Bashkimin Europian na zbret 11 vende, dhe na përcakton si të fundit në rajon për klimën e biznesit, infrastrukturën dhe produktivitetin.
4.5. Turizmi si ‘motor’ — i paqëndrueshëm si politikë e vetme
Turizmi është i rëndësishëm, por sezonal dhe i ndjeshëm ndaj krizave globale. Ne pamë se sipas INSTAT ritmi i rritjes së turizmit ka ardhur në rënie, në krahasim me një vit më parë. Mungesa e infrastrukturës, kapaciteteve, cilësisë së shërbimit, dhe politikave fiskale të lehtësimit dhe barazisë së konkurrueshmërisë në këtë sektor, bëjnë që turizmi mos të jetë një shtyllë e qëndrueshme e rritjes dhe zhvillimit. Programi mbështetet te ky sektor për rritje të të ardhurave, por kjo nuk zgjidh varësinë thelbësore nga importet, humbjen e prodhimit bujqësor dhe tkurrjen e industrisë. Një ekonomi e varur vetëm nga turizmi dhe ndërtimi është e brishtë, nën rrezikun e krizave të jashtme dhe nuk garanton zhvillim për qytetarët.
4.6. Borxhi, Taksa dhe “Paqe Fiskale” — rreziqet
Programi pretendon konsolidim fiskal por njëkohësisht shton shpenzime të drejtpërdrejta sociale dhe investime kapitale të mëdha; burimet e deklaruara (rritje të ardhurash tatimore, lufta ndaj informalitetit) janë optimiste dhe nuk adresojnë burimin kryesor të deformimit, rrjedhat e parave të dyshimta/të paligjshme që mbulojnë pjesë të ekonomisë. Gjithashtu reforma e taksës mbi pasuritë e paluajtshme rrit rrezikun politik dhe ekonomik për familjet dhe investitorët e ligjshëm.
Rritja e të ardhurave buxhetore ka qenë si pasojë kryesisht e rritjes së administratës që ka rritur prurjet në tatimin për të ardhurat personale, si dhe TVSH-në si pasojë e rritjes së çmimeve.
PPP gjithashtu kanë ngritur shqetësim dhe në raportet e Departamentit të Shtetit apo Komisionit Amerikan, për sa i përket transparencës, konkurrencës së drejtë, dhe favoritizmit.
4.7. Rreziku valutor (FX)
Studimi ynë evidenton forcim të lekut rreth ~30% kundrejt euros (2015–2025), e pazakontë sipas indikatorëve themelorë, e pashpjegueshme vetëm nga rritja e turizmit dhe që sinjalizon flukse të dyshimta. Programi nuk adreson seriozisht riskun e kostove të borxheve të dollarizuara/euro-denominuara apo ndikimin e një korrigjimi të valutës mbi eksportet dhe shpenzimet publike.
Programi nuk dallon as dëmin e rënies së euros te eksportuesit shqiptarë dhe situatën e vështirë në të cilën ata ndodhen.
5) Pikat më alarmante
Rritjet e pagave të planifikuara pa plan produktiv, receta për inflacion dhe shkatërrim të vendeve të punës formale.
Varësia e rritjes në ndërtim dhe shërbime nga para informale, rrezik i kolapsit nëse lufta kundër rrjedhave ilegale përshkallëzohet. (Albanian Conservative Institute)
Mos-adresimi i rënies së industrisë dhe bujqësisë me masa reale për përpunim dhe eksporte, si dhe vendi i fundit për klimën e biznesit. Programi flet për teknologji, por jo për zgjidhje për zinxhirët e vërtetë të përpunimit. Pa forcim të sektorit privat, konkurrencës, tregut të lirë e lehtësimit fiskal, nuk ka zhvillim apo rritje pagash reale.
Rreziku i përdorimit të borxhit dhe mekanizmave fiskalë të dyshimta për të financuar premtime, pa mekanizma të qartë për rritje produktiviteti.
Mospërfshirja e rreziqeve valutore dhe skenarëve të korrigjimit të kursit në vetë-parashikimet e qeverisë.
Një mungesë e reflektimit për situatën aktuale alarmante në Arsim, ku Shqipëria ka një trend rënës në rankimin e PISA-s dhe gjithmonë e më pak studentë e nxënës, si dhe për shërbimin shëndetësor shqetësues. Sot qytetari shqiptar merr gjithmonë e më pas shërbime cilësore.
Një mungesë e reflektimit për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, dhe hapat emergjente për rikthimin e sigurisë në rrugët e Shqipërisë.
6) Si rriten pagat dhe ekonomia në të vërtetë
Rrit produktivitetin: investim në kapital fizik (linja përpunimi, teknologji), ulje e taksave dhe presionit e barrës rregullatore e qeveritare, ulje e ndërhyrjes qeveritare në treg dhe rritje e konkurrencës së lirë, arsim profesional të lidhur me kërkesën e industrisë dhe incentiva të drejtpërdrejta për firmat eksportuese. (Kjo rrit vlerën që punëtori prodhon për orë.) (Albanian Conservative Institute)
Lidh formalizimin me subvencionet për përpunimin: grante për grupe fermerësh që investojnë në përpunim, në industrinë prodhuese e përpunuese, me kritere të qarta dhe rezultat të matshëm, jo vetëm transferte direkte. (Kjo krijon punë me paga reale në vend.)
Kushtëzimi i lehtësirave fiskale me investimin produktiv: taksa 0% për bizneset e vogla, si dhe start up-et e reja të orientuara drejt inovacionit, prodhimit dhe eksportit.
Stabilitet valutor dhe lufta ndaj parasë së pistë: masat unanime për transparencë në transaksione, kontroll i fuqishëm i kapitalit të dyshimtë dhe bashkëpunim me aleatët (EU/SHBA) për të goditur rrjedhat kriminale. Pa këtë, asnjë reformë produktive nuk ka sukses. (Albanian Conservative Institute)
7) Mesazhi i ACI për qytetarët dhe aktorët politikë
Programi 2025–2029 është një paketë premtimesh të palidhura me një vizion zhvillimi, dhe pa mekanizmin që e bën çdo zhvillim të qëndrueshëm. Programi jep një paketë konsumi, por pa prodhim dhe pa inovacion që të përkthehet në mirëqenie për çdo individ. Duke u mbështetur në rënien e industrisë dhe bujqësisë (–7.73% dhe –2.70%), në flukse informale dhe në deficitin tregtar –25.3% të PBB-së, çdo premtim për rritje të përgjithshme të pagave pa rimodelim strukturor do të prodhojë më shumë kosto sesa fitime. Parashikimet e institucioneve të tjera (EC, WB, Raiffeisen) konfirmojnë pritshmërinë për rritje më modeste (rreth 3.1–3.6% për 2025) dhe për vitin 2026, gjë që nuk i japin mbështetje targeteve të Programit për rritje të qëndrueshme 4%.
8) Kërkesa konkrete të ACI
Një plan kombëtar për shpopullimin dhe rindërtimin e zinxhirëve të përpunimit agro-ushqimor (grante kapitale, avantazhe fiskale të kushtëzuara me eksport, ulje e barrës fiskale, ulje e TVSH-së, barazim i TVSH në hyrje dhe dalje për bujqësinë). Ne propozojmë nisjen e një debati të madh kombëtar për frenimin e agjendës së shpopullimit.
Paketa e formalizimit dhe stimulit për industrinë prodhuese (kredi të subvencionuara për investim, zbritje tatimore për investime eksportuese, dhe “one-stop” procedural për licencim).
Masa të forta dhe të verifikueshme kundër flukseve të paligjshme të parave e luftë të pakompromis ndaj drogës (bashkëpunim me BE/SHBA, kontrolle të transaksioneve, sanksione ndaj pastruesve të parave).
Rishikim i skemave të shpenzimeve sociale, fokus tek investimi me kthim (arsimi profesional, përpunimi, infrastrukturë logistike) dhe jo transferta të përgjithshme pa rezultate apo klienteliste.
Transparencë dhe stres-test i projeksioneve fiskale: çdo premtim i madh paga/pensione/infrastrukturë) të shoqërohet me katalog financimesh të verifikueshëm (burime, timing, impakt në borxhin publik).
Rishikim, transparencë dhe llogaritje e PPP-ve dhe impaktit në buxhetin e shtetit dhe në ekonominë e vendit.
Rritje e peshës së arsimit në 5% të PBB-së, duke u fokusuar te rritja e cilësisë së kurrikulave, inovacionit, dhe një reformim të arsimit në patriotik e shkencor. Ne propozojmë një diskutim dhe pakt të madh kombëtar për arsimin.
Një vëmendje të veçantë për rritjen e sigurisë ushqimore, e cila është kthyer në një krizë të vërtetë në vitet e fundit.
Rritje e peshës së shëndetësisë dhe e cilësisë së shërbimit shëndetësor me në fokus individin shqiptar. Ne propozojmë nisjen e një diskutimi dhe të një pakti të madh kombëtar për shëndetësinë.
Një fokus të menjëhershëm te pensionet, skema e të cilave është një minë me sahat, që kërkon një analizë dhe një zgjidhje afatgjatë. Ndërkohë, në afatshkurtër, Buxheti i shtetit ka hapësirë për të garantuar që asnjë pensionist mos të ketë të ardhura nën minimumin jetik.
Vendosja në efikasitet të plote e drejtësisë administrative.
Instituti Konservator Shqiptar qëndron i gatshëm të bashkëpunojë me institucione publike, biznesin dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar një plan realist rikthimi të prodhimit, uljes së informalitetit dhe rikthimit të Shqipërisë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo kërkon politika të vendosura pro-prodhimit, ndëshkim të krimit ekonomik dhe reforma të thella strukturore, jo premtime pagash “me dekret”.